Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

4

Ndjenjat e fajit​—«Pastromë nga mëkati im!»

Ndjenjat e fajit​—«Pastromë nga mëkati im!»

«Për shkak të punës sime të re, standardi i jetesës së familjes u përmirësua, por edhe u përfshiva në lloj-lloj aktivitetesh të diskutueshme. Nisa të kremtoja festat, të merrja pjesë në ngjarje politike dhe madje të shkoja në kishë. Për 40 vjet isha Dëshmitare e Jehovait joaktive. Sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë mendoja se Jehovai nuk mund të më falte. Ndihesha vazhdimisht fajtore. Në fund të fundit, e njihja të vërtetën para se të futesha në rrugë të gabuar.»​—Marta.

NDJENJAT e fajit mund të jenë si një barrë që të shtyp. Mbreti David shkroi: «Fajet e mia më kaluan mbi krye si dallgë, më rëndojnë shumë, si një barrë tepër e rëndë.» (Psalmi 38:4) Disa të krishterë i ka mbytur trishtimi i tepërt, të bindur se Jehovai nuk mund t’i falë kurrë. (2 Korintasve 2:7) A është e vërtetë kjo? Edhe nëse ke kryer mëkate të rënda, a je larguar aq shumë nga Jehovai sa nuk do të të falë kurrë? Jo, aspak!

«Le t’i ndreqim gjërat mes nesh»

Jehovai nuk i braktis mëkatarët që pendohen. Përkundrazi, ai u zgjat dorën. Në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, Jezui e krahasoi Jehovain me një atë të dashur, biri i të cilit e braktisi familjen dhe bëri një jetë të shfrenuar. Pas ca kohësh, djali vendosi të kthehej në shtëpi. «Kur [djali] ishte ende larg, i ati e vuri re dhe, i shtyrë nga keqardhja, vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me butësi.» (Luka 15:11-20) A dëshiron t’i afrohesh më shumë Jehovait, por mendon se je «ende larg» nga ai? Ashtu si ati në ilustrimin e Jezuit, edhe Jehovait i vjen keq ngaqë ka dhembshuri të butë për ty. Ai mezi pret të të japë mirëseardhjen.

Por, po sikur të mendosh se mëkatet e tua janë aq të rënda ose aq të shumta, sa Jehovai nuk mund të të falë? Të lutemi, ki parasysh këtë ftesë të Jehovait që gjendet tek Isaia 1:18: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh,​—thotë Jehovai.—​Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» Po, edhe mëkatet që duken sikur s’mund të fshihen ngaqë janë si një ngjyrë e kuqe flakë mbi një rrobë të bardhë, prapëseprapë Jehovai mund t’i falë.

Jehovai nuk do që të vazhdosh të vuash nga një ndërgjegje fajtore. Atëherë, si mund ta provosh lehtësimin që vjen nga falja e Perëndisë dhe nga një ndërgjegje e pastër? Shqyrto dy hapa që mori mbreti David. Së pari, ai tha: «Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Jehovait.» (Psalmi 32:5) Kujto se Jehovai tashmë të ka ftuar që t’i lutesh dhe ‘që t’i ndreqësh gjërat’ me të. Pranoje këtë ftesë. Rrëfeja mëkatet Jehovait dhe ndaji me të ndjenjat e tua. Nga përvoja e vet, Davidi mund të lutej tërë siguri: «Pastromë nga mëkati im! . . . Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.»​—Psalmi 51:2, 17.

Së dyti, Davidi mori ndihmë nga përfaqësuesi i emëruar i Perëndisë, profeti Natan. (2 Samuelit 12:13) Sot Jehovai ka siguruar pleqtë e kongregacionit që janë stërvitur për t’i ndihmuar mëkatarët e penduar që të rifitojnë miqësinë me të. Kur të flasësh me pleqtë, ata do të përdorin Shkrimet dhe do të bëjnë lutje të përzemërta që të të mjekojnë plagët e zemrës, të të pakësojnë ose të të heqin ndjenjat negative që ke dhe të të ndihmojnë të shërohesh frymësisht.​—Jakovi 5:14-16.

Jehovai do që të provosh ndjenjën e lehtësimit që vjen nga një ndërgjegje e pastër

«Lum ai që . . . i janë mbuluar mëkatet!»

Me të drejtë, mund të mendosh se t’i rrëfesh mëkatet Perëndisë Jehova dhe të flasësh me pleqtë, është një nga gjërat më të vështira. Me sa duket edhe Davidi ndihej kështu. Ai ‘heshti’ për ca kohë lidhur me mëkatet e veta. (Psalmi 32:3) Por më pas i çmoi dobitë që pati ngaqë rrëfeu mëkatet dhe ndreqi rrugë.

Një dobi e madhe ishte se Davidi rifitoi gëzimin. Ai shkroi: «Lum ai që i janë falur rebelimet dhe i janë mbuluar [ose «falur»] mëkatet!» (Psalmi 32:1) Gjithashtu, u lut: «O Jehova, hapmi këto buzë, që goja ime të të lëvdojë!» (Psalmi 51:15) I çliruar nga ndjenja e fajit dhe mirënjohës që Perëndia e fali, Davidi u nxit t’u fliste të tjerëve për Jehovain.

Jehovai do që të provosh ndjenjën e lehtësimit që vjen nga një ndërgjegje e pastër. Dhe, ai do që t’u flasësh të tjerëve për të e për qëllimet e tij, jo me ndjenja faji, por me sinqeritet dhe gëzim të thellë. (Psalmi 65:1-4) Mos harro ftesën e tij ‘që të të fshijë mëkatet, që nga vetë Jehovai të vijnë kohë freskuese’.​—Veprat 3:19.

Kështu ndodhi me Martën. Ajo tregon: «Djali vazhdonte të më dërgonte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Pak nga pak, e njoha më mirë Jehovain. Pjesa më e vështirë e kthimit ishte t’i kërkoja falje për gjithë mëkatet që kisha kryer. Por më në fund, iu luta Perëndisë dhe i kërkova të më falte. S’arrij ta besoj që kaluan 40 vjet para se të kthehesha te Jehovai. Jam një dëshmi e gjallë se edhe pas shumë vjetësh, dikujt mund t’i jepet një mundësi tjetër për t’i shërbyer Perëndisë dhe të ketë sërish dashurinë e Tij.»