Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«S’mund të jetë e vërtetë!»

«S’mund të jetë e vërtetë!»

NJË BURRË në Nju Jork (SH.B.A.) tregon: «Im bir, Xhonatani, kishte shkuar për të vizituar disa shokë, që banonin disa kilometra larg. Ime shoqe, Valentina, nuk dëshironte që ai të shkonte atje. Ajo gjithmonë bëhej nervoze për shkak të trafikut. Por atij i pëlqente elektronika dhe shokët e tij kishin një laborator ku ai mund të praktikohej. Unë ndodhesha në shtëpi, në uest Manhatan, Nju Jork. Gruaja kishte dalë për të vizituar familjen e saj në Puerto Riko. ‘Xhonatani do të kthehet shpejt’​—mendova. Në atë moment ra zilja e derës. ‘Patjetër që ai do të jetë.’ Por jo. Ishte policia dhe disa ndihmësmjekë. ‘A e njihni këtë patentë?’​—më pyeti polici. ‘Po, është e tim biri, Xhonatanit.’ ‘Kemi një lajm të keq për ju. Ka ndodhur një aksident dhe . . . djali juaj, . . . djali juaj është vrarë.’ Reagimi im i parë ishte: ‘S’mund të jetë e vërtetë!’ Ajo ngjarje tronditëse hapi në zemrat tona një plagë që nuk është mbyllur ende, edhe pse kanë kaluar vite.»

‘Kemi një lajm të keq për ju. Ka ndodhur një aksident dhe . . . djali juaj, . . . djali juaj është vrarë.’

Një baba në Barcelonë (Spanjë) shkruan: «Në Spanjën e viteve ’60 ne ishim një familje e lumtur. Kisha time shoqe, Marijen dhe tre fëmijët tanë, Davidin, Pakuiton dhe Izabelën, respektivisht 13, 11 dhe 9 vjeç.

Një ditë, në mars të 1963-shit, Pakuito u kthye nga shkolla, duke u ankuar se kishte dhembje të forta koke. Nuk mundëm të kuptonim se cili ishte shkaku, por së shpejti e kuptuam. Tri orë më vonë ai vdiq. Një hemorragji cerebrale ia shoi jetën.

Vdekja e Pakuitos ndodhi 30 vjet më parë. Megjithatë, dhimbja e thellë e asaj humbjeje na shoqëron akoma edhe sot. Është e pamundur që prindërit të cilët humbin një fëmijë të mos ndihen se kanë humbur diçka nga vetvetja: pavarësisht se sa kohë mund të kalojë apo se sa fëmijë të tjerë mund të kenë.»

Këto dy përvoja, në të cilat prindërit kanë humbur fëmijët, ilustrojnë se ç’plagë të thellë shkakton vdekja e një fëmije, si edhe kohëzgjatjen e saj. Sa të vërteta janë fjalët e një doktori që shkroi: «Vdekja e një fëmije, zakonisht është më tragjike dhe më traumatike, sesa vdekja e një personi të moshuar, sepse ai është personi i fundit në familje për të cilin mund të pritet vdekja. . . . Vdekja e një fëmije përfaqëson humbjen e ëndrrave të së ardhmes, e lidhjeve dhe përvojave . . . që ende nuk janë realizuar.» Dhe këtë ndjenjë të një humbjeje të thellë mund ta provojë edhe çdo grua që ka humbur foshnjën gjatë një dështimi.

Një grua e pikëlluar shpjegon: «Burri im, Ruselli, kishte shërbyer si një ndihmësmjek në zonën e Paqësorit gjatë Luftës II Botërore. Kishte parë dhe kishte mbijetuar disa beteja të tmerrshme. U kthye në Shtetet e Bashkuara në një jetë të qetë. Më vonë ai shërbeu si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë. I kishte kaluar të gjashtëdhjetat, kur i filluan simptomat e një problemi në zemër. U përpoq të bënte një jetë aktive. Pastaj, një ditë korriku 1988, i ra një infarkt i rëndë dhe vdiq. Humbja e tij më shkatërroi. Nuk munda as t’i them lamtumirë. Ai nuk ishte vetëm im shoq. Ishte shoku im më i mirë. Kishim jetuar së bashku 40 vjet. Tani më dukej sikur do të përballoja një vetmi të veçantë.»

Këto janë vetëm disa nga mijëra tragjeditë që çdo ditë godasin familjet anembanë botës. Siç do të thoshte pjesa më e madhe e personave të pikëlluar, kur vdekja të rrëmben fëmijën, burrin, gruan, prindin apo shokun, ajo është me të vërtetë ashtu siç e quajti shkrimtari i krishterë, Pavli, «armiku i fundit». Shpesh, reagimi i parë i natyrshëm ndaj lajmeve të tmerrshme mund të jetë mohues: «S’mund të jetë e vërtetë! Nuk mund ta besoj.» Më pas, vijnë reagime të tjera, siç do ta shohim.​—1. Korintasve 15:25, 26.

Megjithatë, përpara se të shqyrtojmë ndjenjat e hidhërimit, le t’u përgjigjemi disa pyetjeve të rëndësishme. A nënkupton vdekja fundin e atij njeriu? A ka ndonjë shpresë që të mund t’i shohim përsëri njerëzit tanë të dashur?

Ekziston një shpresë e vërtetë

Shkrimtari biblik, Pavli, ofroi një shpresë lehtësuese nga ky «armik i fundit», vdekja. Ai shkroi: «Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.» «Vdekja do të asgjësohet.» (1. Korintasve 15:26, BR) Përse mund të ishte kaq i sigurt Pavli për këtë? Sepse ishte mësuar prej dikujt që ishte ngritur nga të vdekurit, Jezu Krishti. (Veprat 9:3-19) Për këtë arsye Pavli mundi të thoshte edhe: «Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu [Adamit], kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu [Jezu Krishtit]. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.»​—1. Korintasve 15:21, 22.

Jezui u hidhërua thellë kur takoi një vejushë nga Naini dhe kur pa birin e saj të vdekur. Tregimi i Biblës na thotë: «Dhe kur [Jezui] iu afrua portës së qytetit [Nain], ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të. Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: ‘Mos qaj!’ U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ‘Djalosh, unë të them, çohu!’ Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës. Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ‘Midis nesh doli një profet i madh’ dhe: ‘Perëndia e vizitoi popullin e vet.’ » Vër re se Jezui pati dhembshuri, kështu që e ringjalli birin e vejushës! Imagjino se çfarë parathotë kjo për të ardhmen!​—Luka 7:12-16.

Atje, përballë dëshmitarëve okularë, Jezui kreu një ringjallje të paharruar. Ajo ishte një shenjë e ringjalljes që ai kishte predikuar tashmë disa kohë përpara kësaj ngjarjeje, një ripërtëritje në një jetë mbi tokë nën «një qiell të ri». Në atë rast, Jezui kishte thënë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre.»​—Zbulesa 21:1, 3, 4; Gjoni 5:28, 29; 2. Pjetrit 3:13.

Midis dëshmitarëve të tjerë okularë të një ringjalljeje, ishte edhe Pjetri dhe disa prej dymbëdhjetë të tjerëve që e shoqëruan Jezuin në udhëtimet e tij. Në fakt, ata e dëgjuan Jezuin e ringjallur të fliste pranë Detit të Galilesë. Tregimi na thotë: «Jezusi u tha atyre: ‘Ejani të hani mëngjes.’ Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ‘Kush je’, duke ditur se ishte Zoti. Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun. Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.»​—Gjoni 21:12-14.

Prandaj, Pjetri mundi të shkruante me bindje të plotë: «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.»​—1. Pjetrit 1:3.

Apostulli Pavël e shprehu shpresën e tij me besim, kur tha: «Duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët, duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.»​—Veprat 24:14, 15.

Miliona njerëz, pra, mund të kenë shpresën e fortë për t’i parë njerëzit e tyre të dashur përsëri mbi tokë, por në kushte krejt të ndryshme. Si do të jenë këto kushte? Hollësi të mëtejshme mbi shpresën e bazuar në Bibël për njerëzit e dashur që kemi humbur, do të trajtohen në pjesën e fundit të kësaj broshure, të titulluar «Një shpresë e sigurt për të vdekurit».

Por së pari, le të shqyrtojmë pyetjet që mund të kesh nëse je i pikëlluar nga humbja e një njeriu të dashur: A është normale të pikëllohesh kështu? Si mund ta duroj hidhërimin? Çfarë mund të bëjnë të tjerët për të më ndihmuar? Si mund t’i ndihmoj të tjerët që janë të pikëlluar? Dhe mbi të gjitha, çfarë thotë Bibla mbi një shpresë të sigurt për të vdekurit?