Një shpresë e sigurt për të vdekurit
NJË njëzetvjeçare shkroi: «Në 1981-shin nëna që më kishte adoptuar vdiq nga kanceri. Vdekja e saj ishte shumë e vështirë për mua dhe për vëllain tim të adoptuar. Unë isha 17 vjeçe dhe vëllai ishte 11 vjeç. Mungesën e saj e ndjeva shumë. Meqë më kishin mësuar se ajo ishte në qiell, unë doja të vrisja veten që të isha me të. Ajo ishte shoqja ime më e ngushtë.»
Duket kaq e padrejtë që vdekja të ketë fuqinë për të të ndarë nga një njeri i dashur. Dhe kur kjo ndodh, mendimi se kurrë nuk do të mund të flasësh me atë të dashur përsëri, të qeshësh me të dhe ta shtrëngosh, mund të jetë shumë i vështirë për t’u duruar. Ajo dhimbje nuk fshihet kur të thonë se i dashuri është në qiell.
Përkundrazi, Bibla ofron një shpresë shumë të ndryshme. Siç kemi shënuar më parë, Shkrimet tregojnë se ti mund të bashkohesh përsëri me njeriun tënd të dashur të vdekur në të ardhmen e afërt. Nuk do të jetë në një qiell të panjohur, por pikërisht këtu në tokë, në kushte të drejta paqësore. Dhe në atë rast njerëzit do të kenë perspektivën që të gëzojnë shëndet të përsosur dhe nuk do të vdesin përsëri. «Por, ky nuk është një mendim shumë real!»—mund të thonë disa.
Ç’kërkohet që të bindesh se kjo është një shpresë e sigurt? Që ta besojmë një premtim, duhet të jemi të sigurt se ai që premtoi është i gatshëm dhe ka mundësi për ta plotësuar. Kush, pra, premton se të vdekurit do të jetojnë përsëri?
Në pranverën e vitit 31 e.s., Jezu Krishti me guxim premtoi: «Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij [e Jezuit] dhe do të dalin prej tyre.» (Gjoni 5:21, 28, 29) Po, Jezu Krishti premtoi se miliona që tashti janë të vdekur do të jetojnë përsëri në këtë tokë dhe do të kenë perspektivë që të rrinë mbi të përgjithmonë në kushte paqësore e parajsore. (Luka 23:43; Gjoni 3:16; 17:3; krahaso Psalmin 37:29 dhe Mateun 5:5.) Meqë Jezui bëri premtimin, me siguri mund ta pranojmë si të vërtetë se ai është i gatshëm për ta plotësuar. Por, a mund ta bëjë?
Më pak se dy vjet pas këtij premtimi, në mënyrë të fuqishme, Jezui tregoi se ishte i gatshëm dhe mund të kryente një ringjallje.
«Lazër, dil jashtë!»
Ishte një skenë prekëse. Lazri ishte shumë i sëmurë. Dy motrat e tij, Maria dhe Marta i dërguan fjalë Jezuit, i cili ndodhej matanë lumit Jordan: «Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë.» (Gjoni 11:3) Ato e dinin që Jezui e donte Lazrin. A do të dëshironte Jezui ta shikonte shokun e tij të sëmurë? Është e çudishme se, në vend që të shkonte në Betani menjëherë, Jezui ndenji atje ku ishte edhe për dy ditë.—Gjoni 11:5, 6.
Lazri vdiq pasi u dërgua lajmi mbi sëmundjen e tij. Jezui e dinte kur kishte vdekur Lazri dhe kishte ndër mend të bënte diçka për të. Kur Jezui më në fund mbërriti në Betani, kishin kaluar katër ditë nga vdekja e shokut të tij të dashur. (Gjoni 11:17, 39) A mund të sillte Jezui prapë në jetë një person që kishte qenë i vdekur për kaq kohë dhe trupi i të cilit kishte filluar të dekompozohej?
Kur dëgjoi që po vinte Jezui, Marta, një grua me iniciativë, vrapoi për ta takuar. (Krahaso me Lukën 10:38-42.) I prekur nga hidhërimi i saj, Jezui e siguroi: «Yt vëlla do të ringjallet.» Kur ajo tregoi besimin e saj në një ringjallje të ardhshme, Jezui i tha qartë: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.»—Gjoni 11:20-25.
Kur mbërritën te varri, Jezui urdhëroi që të hiqej guri që mbyllte hyrjen. Atëherë, pasi u lut me zë të lartë, ai urdhëroi: «Llazar, eja jashtë!»—Gjoni 11:38-43.
Të gjithë sytë u ngulën mbi varr. Atëherë, nga errësira doli një figurë. Këmbët dhe duart i kishte të mbështjella me fashë dhe fytyrën me një pëlhurë. «Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!»—urdhëroi Jezui. Fasha e fundit e zgjidhur ra përtokë. Po, ishte Lazri, ai që kishte qenë i vdekur prej katër ditësh!—A ndodhi me të vërtetë?
Tregimi i ringjalljes së Lazrit paraqitet në ungjillin e Gjonit si një fakt historik. Hollësitë janë tepër të gjalla për të qenë vetëm një alegori. Nëse vëmë në dyshim vërtetësinë e tij historike, vëmë në dyshim të gjitha mrekullitë e Biblës, duke përfshirë ringjalljen e vetë Jezu Krishtit. Dhe nëse mohojmë ringjalljen e Jezuit, mohojmë besimin e krishterë në përgjithësi.—1. Korintasve 15:13-15.
Faktikisht, nëse pranon ekzistencën e Perëndisë, nuk do të kesh asnjë problem që të besosh ringjalljen. Le ta ilustrojmë: Një person mund ta regjistrojë testamentin e tij në video dhe pas vdekjes, familja dhe të afërmit e tij mund të shohin dhe të dëgjojnë, ndërsa ai shpjegon se si dëshiron të trajtohet prona e tij. Njëqind vjet më parë, një gjë e tillë ishte e pamendueshme. Dhe për disa njerëz që jetojnë në zona të veçuara në botë, teknologjia e regjistrimit të videos është aq larg kuptimit të tyre, sa duket një mrekulli. Nëse parimet shkencore të themeluara prej Krijuesit mund të përdoren për të rindërtuar një skenë kaq të dukshme e të dëgjueshme, a nuk do të ishte e mundur që Krijuesi të bënte edhe më shumë? A nuk është e arsyeshme, pra, se Ai që krijoi jetën është i aftë për ta rikrijuar?
Mrekullia e kthimit të Lazrit në jetë shërbente për të rritur besimin në Jezuin dhe në ringjalljen. (Gjoni 11:41, 42; 12:9-11, 17-19) Në mënyrë prekëse, ajo zbulon gjithashtu gatishmërinë dhe dëshirën e Jehovait dhe të Birit të tij për të kryer ringjalljen.
«Perëndia do të ketë një dëshirë të madhe»
Përgjigjja e Jezuit ndaj vdekjes së Lazrit zbulon ndjenjat e dhembshura të Birit të Perëndisë. Ndjenjat e tij të thella në këtë rast tregojnë qartë dëshirën e tij të zjarrtë për të ringjallur të vdekurit. Lexojmë: «Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ‘Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur’. Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin psherëtiu në frymë dhe u trondit, dhe tha: ‘Ku e keni vënë?’. Ata i thanë: ‘Zot, eja e shih!’. Jezusi qau. Atëherë Judenjtë thanë: ‘Shih, sa e donte!’.»—Gjoni 11:32-36.
Dhembshuria e përzemërt e Jezuit tregohet këtu me tre shprehje: «psherëtiu», «u trondit», dhe «qau». Fjalët e përdorura në regjistrimin e kësaj skene prekëse, në gjuhën origjinale nënkuptojnë se Jezui ishte aq i prekur nga vdekja e shokut të tij të shtrenjtë, Lazrit, si dhe dhe kur pa motrën e Lazrit duke qarë, saqë sytë iu mbushën plot me lot. *
Është e çuditshme se më parë Jezui kishte sjellë përsëri në jetë dy persona të tjerë. Dhe ai kishte plotësisht ndër mend të vepronte po njëlloj edhe me Lazrin. (Gjoni 11:11, 23, 25) Megjithatë, ai «qau». Ripërtëritja e njerëzve në jetë, pra, nuk është vetëm një procedurë për Jezuin. Siç tregohet në këtë rast, ndjenjat e tij të thella e të dhembshura nënkuptojnë qartësisht dëshirën e tij të zjarrtë për të liruar njerëzit nga pasojat e vdekjes.
Ndjenjat e dhembshura të Jezuit kur ringjalli Lazrin pasqyrojnë dëshirën e tij të zjarrtë për të liruar njerëzit nga pasojat e vdekjes
Pasi Jezui është «përfaqësimi i saktë i qenies së Perëndisë Jehova», me të drejtë nuk presim më pak nga Ati ynë qiellor. (Hebrenjve 1:3, BR) Duke folur për gatishmërinë e Jehovait për të kryer ringjalljen, besniku Job tha: «Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? . . . Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.» (Job 14:14, 15) Këtu, fjala në gjuhën origjinale që përkthehet «do të kishe një dëshirë të madhe», tregon dëshirën dhe mallin e zjarrtë të Perëndisë. (Zanafilla 31:30; Psalmi 84:2) Qartë, Jehovai mezi pret të kryejë ringjalljen.
A mund të besojmë me të vërtetë në premtimin e ringjalljes? Po, nuk ka asnjë dyshim se Jehovai dhe Biri i tij janë të gatshëm dhe të aftë për ta kryer. Ç’do të thotë kjo për ty? Se ti mund të kesh shpresën për t’u ribashkuar me njerëzit e tu që kanë vdekur, këtu mbi tokë, por në kushte shumë të ndryshme!
Jehovai, që i dha udhë njerëzimit në një kopsht të bukur, ka premtuar që do ta rivendosë parajsën në këtë tokë nën sundimin e Mbretërisë së Tij qiellore në duart e të tashmëlavdëruarit Jezu Krisht. (Zanafilla 2:7-9; Mateu 6:10; Luka 23:42, 43.) Në atë parajsë të rivendosur, familja njerëzore do të ketë perspektivën për të gëzuar jetën pa fund, e liruar nga të gjitha sëmundjet. (Zbulesa 21:1-4; krahaso Jobi 33:25; Isaia 35:5-7.) Gjithashtu, do të zhduket e gjithë urrejtja, paragjykimet raciale, dhuna etnike dhe shtypja ekonomike. Në një tokë të tillë të pastër, Perëndia Jehova, nëpërmjet Jezu Krishtit, do të ringjallë të vdekurit.
Ringjallja, e bazuar në sakrificën shpërblyese të Krishtit Jezu, do t’u sjellë gëzim të gjitha kombeve
Kjo është shpresa e gruas së krishterë të përmendur në fillim të kësaj pjese. Shumë vjet pas vdekjes së nënës së saj, Dëshmitarët e Jehovait e ndihmuan të bënte një studim të kujdesshëm të Biblës. Ajo kujton: «Pasi mësova mbi shpresën e ringjalljes, kam qarë. Ishte e mrekullueshme të dija se do ta shoh nënën time përsëri.»
Nëse në mënyrë të ngjashme, zemra jote ka dëshirë të zjarrtë të shohë përsëri një të dashur, me gëzim, Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë që të mësosh se si mund ta bësh tënden këtë shpresë. Përse të mos lidhesh me ta në një Sallë të afërt të Mbretërisë, apo të shkruash në adresën më të afërt që paraqitet në faqen 32.
^ par. 20 Fjala greke që përkthehet «psherëtiu» vjen nga një folje (em·bri·maʹo·mai) që do të thotë se u prek me dhimbje ose thellësisht. Një studiues i Biblës shënon: «Këtu mund të thotë vetëm se një ndjenjë e tillë kaq e thellë e kapi Jezuin, saqë një psherëtimë e pavullnetshme doli me forcë nga zemra e Tij.» Shprehja e përkthyer «u trondit» vjen nga një fjalë greke (ta·rasʹso) që tregon trazim. Sipas një leksikografi kjo do të thotë, «përzihet përbrenda . . . prekem me dhimbje të madhe apo hidhërim.» Shprehja «qau» vjen nga një folje greke (da·kryʹo) që do të thotë «derdh lot, qaj në mënyrë të heshtur».