Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Një udhëtim magjepsës në kohë

Një udhëtim magjepsës në kohë

Në tetor të vitit 2012, në Bruklin, Nju-Jork, u hap një ekspozitë e re që mund të vizitohet pa ciceron. Kjo ekspozitë hedh dritë mbi vështirësitë dhe rreziqet që kanë hasur ata që janë përpjekur të praktikojnë krishterimin siç mësoi Jezui.

Vetëm javën e parë, e vizituan ekspozitën më se 4.200 mysafirë dhe anëtarë të familjes Bethel. Naomi, një Dëshmitare që jeton aty afër, e vizitoi ekspozitën sapo u hap. Ajo thotë: «Tabela kronologjike më ndihmoi të kuptoja kur dhe pse gjërat ndodhën ashtu si ndodhën. Mësova shumë për organizatën tonë dhe për historinë e saj moderne.»

Ekspozita përfshin një periudhë kohore nga epoka e krishterë në vitin 33 të e.s. deri sot. Ajo është organizuar në katër pjesë. Secila pjesë ka një temë biblike dhe prezantohet me një video të shkurtër në anglisht me titra në shtatë gjuhë.

Pjesa e parë, «Njerëzit e deshën errësirën», e merr emrin nga fjalët e Jezuit që i gjejmë te Gjoni 3:19. Bibla paratha se pas vdekjes së apostujve, njerëz të ligj ‘do të ngriheshin e do të thoshin gjëra të shtrembëruara’. (Vep. 20:30) Ata që guxuan të shkonin kundër rrymës, e paguan shtrenjtë.

Në kontrast të thellë me këtë, pjesa tjetër me titull «Le të ndriçojë drita», marrë nga 2 Korintasve 4:6, vazhdon kronologjinë duke nisur nga fundi i viteve 1800, kur studentë të sinqertë të Biblës filluan t’i studionin Shkrimet në një mënyrë të re. Braktisën bindjet e pranuara prej kohësh dhe me guxim shpallën të vërtetat ndriçuese. Kjo pjesë tregon për rritjen e tyre në njohuri dhe në numër para Luftës I Botërore.

Ambienti tjetër i kësaj pjese përqendrohet te një arritje që i lë pa fjalë Dëshmitarët e Jehovait edhe sot. Në vitin 1914 Studentët e Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) filluan të shfaqnin «Foto-Dramën e Krijimit». Miliona veta panë këtë program që ndërthurte filmime dhe diapozitiva me regjistrime audio. Ndër gjërat që ekspozohen janë piktura origjinale, një video e shkurtër që tregon si fillonte programi dhe më shumë se 500 diapozitiva me ngjyra.

Përndjekja satanike e dishepujve të Krishtit, siç përshkruhet në Zbulesën 12:17, është tema e pjesës së tretë me titull «Dragoi u zemërua». Këtu del në pah asnjanësia e krishterë gjatë kohës së luftës. Përveç fotografive dhe objekteve, videot e shkurtra i portretizojnë në mënyrë edhe më të gjallë përpjekjet për t’u thyer asnjanësinë atyre që refuzonin për shkak të ndërgjegjes. Një prej tyre është Remixho Kumineti nga Italia, i cili nuk pranoi të vishte uniformën ushtarake ose të luftonte në Luftën I Botërore. Një tjetër video flet për Alois Mouzerin nga Austria. Ai refuzoi të thoshte «Hail Hitler» dhe si pasojë humbi punën e më vonë u dërgua në kampin e përqendrimit në Dakau. Një qeli e rindërtuar me dritë të zbehtë, i bën edhe më domethënëse fotografitë që dokumentojnë burgosjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Greqi, Japoni, Poloni, ish-Jugosllavi dhe në vende të tjera, ngaqë praktikonin besimin e tyre.

Emri i pjesës së fundit «Lajm i mirë për të gjitha kombet», bazohet te Zbulesa 14:6. Kjo pjesë përmbledh aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në dekadat e fundit. Rritja e tyre e shpejtë, predikimi i vazhdueshëm dhe dashuria vëllazërore pasqyrohen në fotografitë që veshin muret. Në fund, ka një rresht kioskash interaktive ku vizitorët mund të eksplorojnë Shtëpinë e Biblës dhe Tabernakullin e Bruklinit, vende që Dëshmitarët e Jehovait i kanë përdorur njëqind vjet më parë.

Ekspozita gjendet në Columbia Heights nr. 25 në Bruklin, Nju-Jork. Është e hapur nga e hëna deri të premten, nga ora 8.00 e mëngjesit deri në 5.00 të pasdites. Hyrja është e lirë. Nëse je në qytetin e Nju-Jorkut, pse të mos vish e të bësh këtë udhëtim magjepsës në kohë?