Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Kushtimet e degëve

Kushtimet e degëve

Më 20 tetor 2012, Dëshmitarët e Jehovait në Kore u gëzuan kur i kushtuan Jehovait godinat e sapondërtuara dhe të rinovuara të degës. Kjo ngjarje ishte veçanërisht domethënëse, sepse vëllezërit mund të kujtonin 100 vitet e shërbimit besnik në këtë vend. Për më tepër, më 2012, numri i lajmëtarëve kaloi për herë të parë shifrën 100.000. Rreth 1.200 vullnetarë vendës dhe 239 shërbëtorë ndërkombëtarë dhe vullnetarë nga nëntë shtete, punuan për të ndërtuar rezidencën e re, një shtypshkronjë, disa studio audio/video dhe një ofiçinë. Veç kësaj, shumica e ndërtesave ekzistuese u rinovuan komplet.

Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti një fjalim inkurajues kushtimi para 3.037 motrave e vëllezërve të pranishëm. Të nesërmen, u organizua një mbledhje speciale në një sallë ekspozitash dhe më se 1.300 kongregacione në Kore u lidhën me programin me anë të Internetit. Këtë program të shkëlqyer frymor e ndoqën gjithsej 115.782 Dëshmitarë të Jehovait dhe të interesuar.

Data 9 mars 2013 do të kujtohet gjatë si një ditë e rëndësishme në historinë e adhuruesve të Jehovait në Liberi. Vizitorë nga 11 shtete u mblodhën për kushtimin e zyrës së degës të saporinovuar dhe të zgjeruar. Fjalimi i kushtimit që mbajti Gaj Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës, i emocionoi shumë gjithë të pranishmit. Pas më shumë se një dekade vonese në planifikimin dhe ndërtimin e zyrës për shkak të luftës civile, dega u zgjerua që të përfshinte edhe pronat aty ngjitur që më parë ishin përdorur nga rebelët për t’u fshehur dhe si kampe refugjatësh. Të 51 anëtarët e familjes Bethel janë të kënaqur që mund të përdorin rezidencën me 35 dhoma, ndërtesën e rinovuar të zyrave, depon e re të literaturës, ndërtesën e re të mirëmbajtjes, kuzhinën dhe dhomën e re të ngrënies.

Njerëzit në Republikën e Gjeorgjisë janë të dashur e të prirur ndaj gjërave frymore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, nisi një periudhë rritjeje e jashtëzakonshme teokratike e pasuar nga një periudhë përndjekjeje të egër. Tani kundërshtimi ka rënë ndjeshëm dhe të shtunën më 6 prill 2013, ndodhi një ngjarje historike për Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji. Dejvid Splejni nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit të kompleksit të rinovuar e të zgjeruar të degës, të një Salle Asamblesh dhe të një godine të re për shkollat biblike, Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe Shkollën për Mbikëqyrësit Udhëtues dhe Gratë e tyre. Këtë program kushtimi e ndoqën gjithsej 338 mysafirë nga 24 vende, bashkë me më se 800 Dëshmitarë gjeorgjianë.

Gjeorgji

Ditën vijuese, 15.200 veta nëpër vendet ku mblidhen kongregacionet në mbarë Gjeorgjinë, ndoqën me anë të lidhjes audio/video fjalimin special të vëlla Splejnit. Ky rast ndërkombëtar ishte prekës për shumë të pranishëm. Një vëlla i ri në moshë tha: «Tani e di si do të jetë bota e re.»

Më 29 qershor 2013 u kushtua një ndërtesë e re trekatëshe zyrash në Bethelin e Jangunit, Mjanmar. Gaj Piërsi nga Trupi Udhëheqës bëri fjalimin e kushtimit para një auditori prej 1.013 vetash; ndër ta kishte mysafirë nga 11 vende. Një burrë nga një shtet ku vepra jonë është e ndaluar, iu afrua grupit me vëllezër e motra nga Mjanmari që ishin caktuar për të mirëpritur këta mysafirë në aeroportin ndërkombëtar të Jangunit. Drejtoi gishtin nga tabela «Mirë se erdhët Dëshmitarë të Jehovait» që po mbanin vëllezërit, dhe pyeti: «Po mirëpritni dëshmitarë për ndonjë çështje gjyqësore?» Ata iu përgjigjën: «Jo, po mirëpresim miqtë tanë.» Pastaj burri pyeti: «Atëherë, kush është Jehovai?» Kuptohet që vëllezërit dhe motrat i dhanë dëshmi të shkëlqyer. Ditën pas programit të kushtimit, u mbajt një mbledhje speciale në Qendrën e Kongreseve në Mjanmar, dhe vëlla Piërsi trajtoi temën «Shërbejini Jehovait me një zemër me kuptueshmëri». Programi u dëgjua falë lidhjeve telefonike në gjashtë vende të tjera anekënd Mjanmarit, duke u dhënë mundësi gjithsej 2.963 vetave të dëgjonin këtë informacion praktik. Një nga shoferët e autobusëve që çoi motrat dhe vëllezërit tanë në mbledhjen speciale në Jangun, tha: «Kam vënë re se ju jeni krejt ndryshe nga fetë e tjera. Jeni shumë të sjellshëm, të veshur mirë dhe mjaft të njerëzishëm. Kam vite që shoqëroj me autobus grupe të ndryshme, por nuk kam parë kurrë më parë njerëz kaq dinjitozë.»

Mjanmar: Lajmëtarët vendës mirëpresin vizitorët në programin e kushtimit të degës

Shërbëtorët besnikë të Jehovait në Moldavi kishin plot arsye për t’u gëzuar të mërkurën më 3 korrik 2013, kur Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit për godinat e degës që sapo janë zgjeruar. Këto godina tani përfshijnë një ndërtesë trekatëshe me një depo literature dhe dhjetë dhoma, si edhe një Sallë të Mbretërisë dykatëshe e cila përdoret nga shtatë kongregacione. Të 33 anëtarët e familjes Bethel në Moldavi, me kënaqësi mirëpritën vizitorë nga Gjermania, Irlanda, Holanda, Rumania, Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara. Ndër të pranishmit ishin disa vëllezër e motra që i shërbyen Jehovait me besnikëri kur vepra ishte në ndalim, disa prej të cilëve ndihmonin në kopjimin dhe shpërndarjen e literaturës gjatë asaj kohe. Kishte edhe shumë nga ata, të cilët i kishin internuar bashkë me prindërit në Siberi gjatë fushatave të ndryshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait në ish-Bashkimin Sovjetik. Të dielën, vëlla Leti bëri një fjalim entuziazmues që u përkthye në rumanisht e rusisht për një auditor me 14.705 veta—grumbullimi më i madh i Dëshmitarëve të Jehovai në Moldavi.

Vazhdoni të luteni e mos u dorëzoni

Jezui theksoi se duhet ‘të lutemi e të mos dorëzohemi’. (Luka 18:1) Kur lutemi, forcojmë shpresën tonë. Prandaj, «lutuni pa pushim», po, «ngulmoni në lutje». (1 Sel. 5:17; Rom. 12:12) Ndërsa bëni këtë, «Perëndia i paqes . . . ju pajistë me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij, duke kryer te [ju], nëpërmjet Jezu Krishtit, atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij.»Hebr. 13:20, 21.