Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN

Kontinentet amerikane

Kontinentet amerikane
  • VENDE 57

  • POPULLSIA 970,234,987

  • LAJMËTARË 3,943,337

  • STUDIME BIBLIKE 4,341,698

Ftuan një çift të qëndronte në shtëpinë e tyre

Në Las Vegas, Nevadë, një çift që nuk janë Dëshmitarë dëshironin të jetonin në një vend të qetë, prandaj shitën shtëpinë që të transferoheshin në Republikën Domenikane. Por, duhej ta linin shtëpinë dhjetë ditë para datës kur ishte programuar fluturimi. Që t’i ndihmonin, fqinjët, që ishin Dëshmitarë të Jehovait, i ftuan të qëndronin në shtëpinë e tyre. Gjatë kësaj kohe ndoqën një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Kur dëgjuan për vitin 1914, u habitën dhe dëgjuan tërë interes. E dinin se ky ishte vit kyç në historinë botërore. Sapo çifti arriti në Republikën Domenikane, i kërkoi studim biblik Dëshmitares së parë që i trokiti në derë. Katërmbëdhjetë muaj më vonë, të dy ia kushtuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan.

Tamam ajo që i duhej

Vëllezërit sistemuan një tavolinë me literaturë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Panama-Siti, Panama. Dy nxënëse u afruan. Një nga vajzat i tha motrës që qëndronte pranë tavolinës se ishte e mërzitur. Vajza i shpjegoi se babai i saj ishte i droguar dhe se nuk dinte si ta përballonte këtë situatë. Motra i tregoi kapitullin 23 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, me titull: «Ç’të bëj nëse prindi ka ves drogën ose alkoolin?» Plot entuziazëm, vajza tha: «Tamam ajo që më duhet!» Vajzat e përqafuan motrën dhe u kthyen një orë më vonë për ta falënderuar sërish. Gjatë pesë ditëve të panairit, vëllezërit shpërndanë 1.046 libra, 1.116 revista dhe 449 broshura. Pesëdhjetë e gjashtë veta lanë adresat që t’i vizitonin Dëshmitarët.

Predikonte i vetëm prej katër vjetësh

Fredi, gjuha amtare e të cilit është kabeka, jeton në një zonë të thellë malore në Kosta-Rikë. Rreth katër vjet më parë, kur punonte në kryeqytet, në San-Hoze, Fredi mori librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Lajmëtari që i dha literaturën, i tha të kthehej e t’i predikonte të afërmve të tij. Kështu u kthye, studioi vetë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe bëri disa ndryshime në jetë, për shembull celebroi martesën. Pastaj ua mësoi të vërtetën njerëzve kabeka sa më mirë që mundej.

Për studentët e tij të Biblës, Fredi jepte kurse me gjashtë nivele. I caktonte studentët në nivele të ndryshme në bazë të rezultateve të arritura në provimet që u bënte për t’u testuar njohurinë biblike. Organizoi mbledhje e madje mbajti Përkujtimin. Në ftesën që e shkroi vetë, thuhej: «Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë të merrni pjesë bashkë me ne në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.» Këtë e bëri për katër vjet rresht pa kontaktuar me Dëshmitarët. Ndërkohë, i lutej Jehovait të dërgonte Dëshmitarë që ta ndihmonin.

Kohët e fundit, lutja e Fredit mori përgjigje. Disa Dëshmitarë bënë udhëtimin e vështirë deri në zonën e tij dhe u mrekulluan kur panë ç’kishte bërë. Ata raportuan: «Edhe pse Fredi nuk është Dëshmitar i pagëzuar, jeton si një i tillë.» Vetëm pas tre muajsh, u miratua si lajmëtar i papagëzuar. Që të pagëzohej, Fredi zbriti nga zona e thellë malore për të ndjekur kongresin e tij të parë dhe me vete kishte marrë 19 veta me të cilët studionte Biblën. Tani ka organizuar tri grupe të tjera të gjuhës kabeka në zona edhe më të thella se e tij.

Kosta-Rikë: Fredi, që tani shërben si pionier i rregullt, përshkon distanca të mëdha që të drejtojë studimet biblike

Ajo e mbrojti besimin e saj në shkollë

Një ditë, Anës, që ndjek shkollën e mesme në Shtetet e Bashkuara, iu desh të mbronte besimin e saj para disa bashkëmoshatarëve që u zemëruan shumë ngaqë ajo nuk beson te Triniteti. Ana tregon: «U vunë të gjithë kundër meje, por ruajta qetësinë sepse nuk doja të lija përshtypje të keqe për Dëshmitarët e Jehovait.» Atë natë iu lut Jehovait për guxim dhe bëri kërkime për doktrinën e Trinitetit. Të nesërmen, Ana mori me vete në shkollë Biblën. Shokët e klasës e rrethuan, shumë prej tyre duke qeshur gjithë sarkazëm. Prapëseprapë, me guxim ajo u tregoi disa shkrime dhe arsyetoi me ta. Në fund, ata që debatonin me të ngelën pa fjalë. Kundërshtarja kryesore, që ishte edhe presidentja e klasës, pranoi që kishte ndryshuar mendim për Dëshmitarët dhe tani i respektonte. Gjatë gjithë vitit shkollor, vazhdoi t’i bënte pyetje të ndryshme Anës për bindjet e saj.

Këpuca prishet në kohën e duhur

Një të diel në mëngjes, një grua e re në Barbados po shkonte më këmbë në kishë, kur papritur iu këput rripi i këpucës. Shkoi në një shtëpi aty pranë që të kërkonte ndihmë. Qëlloi që ajo ishte shtëpia e një motre dhe e vajzës së saj. Ndërsa gruaja rregullonte këpucën, motra i shpjegonte si po përmbushen sot profecitë biblike. Pastaj, vajza e motrës e ftoi për të ndjekur mbledhjen që do të mbahej pak më vonë në Sallën e Mbretërisë. Meqë ishte vonë për në shërbesën fetare, gruaja vendosi ta pranonte ftesën. Gjatë mbledhjes, i pa të gjitha shkrimet te Bibla e saj King James. Programi i la shumë mbresa. Tha se e kishin lodhur zhurmat e daulleve dhe të bërtiturat në kishën e saj dhe se gjithmonë kishte dashur ta studionte Biblën në një ambient të qetë. Pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe një studim biblik. Tani ndjek rregullisht të gjitha mbledhjet dhe komenton me zell në to.

Vetëm një person mund ta ndalojë

Një vëlla në moshë të re nga Guajana tregon: «Më pëlqen t’u jap dëshmi shokëve të shkollës, por është një çun që s’ia ka qejfi që unë të predikoj. Një ditë, më përplasi pas murit e më tha: ‘Boll predikove.’ Ia ktheva se i vetmi person që mund të më ndalojë është Jehovai. Meqë vazhdoja të predikoja, ai më grisi çantën e shkollës. Pastaj më gjuajti me grusht në fytyrë e më çau buzën. Na thirrën të dyve në zyrën e drejtoreshës, e cila më pyeti ç’i kisha bërë që më goditi në fytyrë. I thashë se më goditi ngaqë predikoja lajmin e mirë. Drejtoresha më pyeti pse nuk i gjuajta edhe unë, madje më sugjeroi se duhej ta bëja. Iu përgjigja se kam mësuar nga Romakëve 12:17 që të krishterët ‘nuk duhet t’ia kthejnë askujt të keqen me të keqe’. Kur dëgjoi këtë, drejtoresha më la të ikja dhe më tha se do të merrej ajo me çunin që më goditi.»

Katamarkë, Argjentinë