Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 1)

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 1)

Mbërrijnë misionarët e Galaadit

Në qershor të 1947-s, mbërritën në Fritaun tri të diplomuar të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit: Çarls Fitspatriku, Xhorxh Riçardsoni dhe Hjubert Greshami. Këta ishin të parët nga misionarët e shumtë që shkuan në Sierra-Leone.

Misionarët kuptuan se lajmëtarët vendës ishin shumë të zellshëm në predikim, por kishin nevojë të bëheshin mësues të efektshëm. (Mat. 28:20) Ndaj nisën t’i mësonin si të ndiqnin interesin e si të drejtonin studime biblike. Gjithashtu i njohën me udhëzimet e përditësuara për mbledhjet e kongregacionit dhe çështjet organizative. U mbajt një mbledhje publike në Sallën Përkujtimore të Uilbërforsit. Sa u kënaqën misionarët kur 450 veta ndoqën mbledhjen! Më vonë, misionarët organizuan Ditën javore të Revistave. Kjo stërvitje e inkurajoi kongregacionin dhe hodhi themelin për rritjen që do të kishte në të ardhmen.

Ndërkohë, misionarët u munduan të përshtateshin me klimën. Një raport i degës në vitin 1948 thoshte: «Kushtet klimaterike në Sierra-Leone janë shumë të vështira. Stina e shirave zgjat gjashtë muaj në vit dhe shiu është i rrëmbyeshëm, i furishëm dhe i vazhdueshëm. Ndonjëherë bie shi për dy javë pa pushim. Gjatë stinës së thatë, vapa është përvëluese dhe ka shumë lagështi.» Evropianët e parë që vizituan Sierra-Leonen e quajtën varri i të bardhëve. Malaria, ethet e verdha dhe sëmundje të tjera tropikale ishin mjaft të përhapura. Misionarët u sëmurën njëri pas tjetrit dhe iu desh të linin vendin.

Normalisht, lajmëtarët vendës u demoralizuan nga këto që ndodhën, por nuk u dorëzuan. Nga viti 1947 deri në vitin 1952, maksimumi i lajmëtarëve u rrit nga 38 në 73 veta. Në Vaterlo, një qytet pranë Fritaunit, pionierët e palodhur ndihmuan që të formohej një kongregacion i ri. U hapën grupe të reja për studimin e Biblës në Kisi dhe në Uellington, të dyja në periferi të Fritaunit. Sierra-Leone dukej gati për zgjerim. Si do të ndodhte kjo?

Një vizitë forcuese

Në nëntor të 1952-shit, në një mol në brigjet e Fritaunit zbriti një amerikan i hollë e i gjatë në të 30-at. Tek ecte u bashkua me poteren e qytetit. Vizitori ishte Milton G. Hensheli nga selia botërore. Ai tha: «U mahnita kur pashë një qytet modern goxha më të pastër se shumë nga qytetet e tjera të botës. . . . Kishte rrugë të shtruara, dyqane plot klientë, makina të reja dhe një varg i pafund njerëzish kalonin aty pranë.»

Vëlla Hensheli shkoi në shtëpinë misionare të Fritaunit, dy pallate larg Pemës së famshme të Kapokut. Atje i njoftoi vëllezërit e mbledhur se Sierra-Leone do të merrte më shumë ndihmë. Të dielën tjetër, 253 veta mbushën Sallën Përkujtimore të Uilbërforsit për të dëgjuar disa njoftime emocionuese radhazi nga vëlla Hensheli: Sierra-Leone do të kishte zyrën e saj të degës, mbikëqyrës qarkor, asamble qarkore, do të formohej një kongregacion i ri në Kisi dhe vepra e predikimit nëpër provinca do të zgjerohej ndjeshëm. Auditori ishte tej mase i entuziazmuar.

Vëlla Hensheli tregoi: «Thoshin vazhdimisht kushè, një fjalë shumë shprehëse që do të thotë ‘bravo të qoftë’. Ishin tepër të gëzuar. Grupet u larguan nga salla në muzgun e natës, . . . disa nga të pranishmit duke kënduar.»

Një misionar i sapoardhur, Uilliam Nushi, u caktua të mbikëqyrte zyrën e degës që sapo ishte formuar. Uilliami më parë kishte punuar si krupier nëpër kazinotë e Shteteve të Bashkuara. Pasi u bë shërbëtor i Jehovait, la punën dhe përkrahu me vendosmëri parimet e drejta, tipar për të cilin lajmëtarët në Sierra-Leone e donin dhe e respektonin.