Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1915-1947 Fillimet (Pjesa 1)

1915-1947 Fillimet (Pjesa 1)

Drita e së vërtetës nis të ndriçojë

Lajmi i mirë u dëgjua për herë të parë në Sierra-Leone më 1915 kur disa vendës u kthyen nga Anglia me literaturë biblike. Rreth korrikut të atij viti, në Fritaun mbërriti shërbëtori i parë i pagëzuar i Jehovait, Alfred Xhozefi. Ky 31-vjeçar vinte nga Guajana, Amerika e Jugut. Ishte pagëzuar në fillim të atij viti në Barbados, Inditë Perëndimore, dhe kishte lidhur një kontratë pune në Fritaun si makinist treni. Alfredi u vendos në kompleksin e hekurudhës në Klajna-Taun, rreth tre kilometra larg Pemës së Kapokut në Fritaun. Ai nisi menjëherë të fliste për mesazhin e Biblës me shokët e punës.

Vitin pasues, me Alfredin u bashkua një ish-koleg nga Barbadosi, Leonard Blekmani. Mamaja e tij, Elvira Hjuiti, i kishte dhënë të vërtetën Alfredit. Leonardi e Alfredi i kishin dyert ngjitur dhe mblidheshin rregullisht së bashku për të diskutuar Biblën. Gjithashtu u shpërndanin literaturë biblike miqve e të interesuarve.

Alfredi dhe Leonardi kuptuan se fushat e Fritaunit ishin «të bardha për korrje». (Gjoni 4:35) Më 1923, Alfredi i shkroi selisë botërore në Nju-Jork këto fjalë: «Shumë njerëz këtu duan ta dëgjojnë mesazhin e Biblës. A mund të dërgoni dikë që të kujdeset për ta dhe të ndihmojë veprën e predikimit në Sierra-Leone?» Mori këtë përgjigje: «Do të dërgojmë dikë.»

Uilliam Brauni «i Biblës» dhe gruaja e tij, Antonia

Alfredi tha: «Disa muaj më vonë, një të shtunë në mbrëmje, mora një telefonatë që nuk e prisja.

—Ti je ai që i shkroi Shoqatës Watch Tower për predikues?—më pyeti dikush.

—Po,—iu përgjigja.

—Ja, më kanë dërguar mua,—tha me zë të fortë.

Ishte zëri i Uilliam R. Braunit. Kishte ardhur atë ditë bashkë me gruan, Antonian, dhe vajzën e tyre të vogël e po qëndronin në hotelin Gainford.

Të nesërmen në mëngjes, unë dhe Leonardi po bënim studimin e përjavshëm të Biblës, kur një figurë hijerëndë u shfaq te dera. Ishte Uilliam R. Brauni. Ishte kaq i zellshëm për të vërtetën sa donte të bënte një fjalim publik që të nesërmen. Menjëherë morëm me qira sallën më të madhe në Fritaun, Sallën Përkujtimore të Uilbërforsit, dhe programuam të parin nga katër fjalimet për të enjten e ardhshme në mbrëmje.

Grupi ynë i vogël iu fut punës për të lajmëruar fjalimet gojarisht dhe nëpërmjet gazetave e ftesave. Vritnim mendjen si do të reagonin njerëzit, por s’kishim arsye për t’u shqetësuar. Rreth 500 veta e mbushën sallën plot, ndër ta edhe shumë klerikë të Fritaunit. S’mbaheshim nga gëzimi!»

Gjatë gjithë fjalimit, që zgjati një orë, vëlla Brauni citonte shumë shpesh Shkrimet dhe përdorte një projektor për t’i shfaqur vargjet biblike. Ndërkohë thoshte vazhdimisht: «Jo Brauni, por Bibla thotë.» Auditori mrekullohej dhe shpërthente në duartrokitje herë pas here. Njerëzit nuk mahniteshin thjesht nga oratoria e tij e shkëlqyer, por nga provat e fuqishme biblike që paraqiste. Një student i kishës kishte të drejtë kur thirri nga auditori: «Zoti Braun e njeh Biblën e tij.»

1930

Fjalimet e vëlla Braunit e shkundën qytetin dhe njerëzit dyndeshin për t’i dëgjuar. Të dielën pasuese, njerëzit mbushën sallën plot për të dëgjuar fjalimin me temë «Në ferr dhe rikthim—Çfarë ka atje?» Të vërtetat e fuqishme që paraqiti vëlla Brauni atë natë nxitën edhe besimtarë të shquar të jepnin dorëheqjen nga kisha.

Fjalimi i katërt dhe i fundit me temë «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë» mblodhi një turmë aq të madhe, sa një banor i Fritaunit më vonë tha: «Kishat u detyruan të anulonin shërbesat e mbrëmjes, sepse të gjithë anëtarët po ndiqnin fjalimin e vëlla Braunit.»

Ngaqë vëlla Brauni e përdorte gjithmonë Biblën, duke iu referuar asaj si autoriteti absolut, shumë veta nisën ta thërritnin Brauni «i Biblës». Kjo nofkë i mbeti dhe kështu u bë i njohur në mbarë Afrikën Perëndimore. Uilliam R. Brauni e mbajti me krenari këtë emër derisa përfundoi jetën e tij në tokë.