REPUBLIKA DOMENIKANE
Kisha Katolike dhe Truhijo
Ç’MARRËDHËNIE kishte Truhijo me Kishën Katolike? Një analist politik tha: «Në epokën e gjatë të Truhijos, 1930-1961, Kisha dhe shteti në Republikën Domenikane ishin institucione që përkrahnin njëri-tjetrin: diktatori mbështeste Kishën, kurse ajo mbështeste regjimin e tij.»
Më 1954 Truhijo udhëtoi drejt Romës dhe nënshkroi një marrëveshje me papën. German Ornesi, dikur i besuar i Truhijos, shkroi: «Meqë Kisha në Republikën Domenikane ka marrëdhënie tejet miqësore me Truhijon, ka qenë mbështetje e madhe për ‘Kreun’ [Truhijon]. Kleri, i kryesuar nga kryepeshkopët Rikardo Pitini dhe Oktavio Berasi, është ndër propaganduesit më të mëdhenj të regjimit.»
Ornesi shpjegoi më tej: «Sa herë që i jepet rasti, papa i dërgon përshëndetje miqësore Truhijos. . . . Në Kongresin e Kulturës Katolike që u mbajt në Sjutat-Truhijo më
1956 me sponsorizimin e [Truhijos], Francis Kardinal Spellmani, përfaqësuesi special i papës, solli një mesazh të përzemërt. Kardinal Spellmani udhëtoi nga Nju-Jorku për në Republikën Domenikane ku e priti gjithë triumf vetë Komandanti i Përgjithshëm [Truhijo]. Të nesërmen përqafimet e tyre të përzemërta ishin në të gjitha faqet kryesore të mediave të shkruara domenikane.»Në vitin 1960 revista Time raportonte: «Deri tani Truhijo dhe kisha kanë shkuar mirë. Kryepeshkopi i kontinenteve amerikane, Rikardo Pitini, tani është 83 vjeç dhe i verbër, por para katër vjetësh nënshkroi një letër për gazetën New York Times ku e lavdëronte Truhijon si ‘diktator që populli i vet e do dhe e nderon’.»
Prapëseprapë, pasi e mbështeti me besnikëri diktaturën brutale të Truhijos për tri dekada, Kisha Katolike filloi të ndryshonte qëndrim me ndryshimin e klimës politike. Analisti shpjegon: «Teksa kundërshtimi ndaj diktaturës rritej dhe, më vonë, ndërsa bëhej një përpjekje për të vënë demokracinë në vend, kisha u detyrua të ndryshonte qëndrim, edhe pse për një kohë të gjatë kishte pasur marrëdhënie kryesisht miqësore me Truhijon.»
Si përfundim, në vitin 2011 kisha u detyrua t’i kërkonte falje popullit domenikan. Një letër baritore botuar në gazetën Dominican Today thoshte: «Rrëfejmë se kemi bërë gabime dhe nuk kemi qenë gjithnjë në lartësinë e besimit, të betimit dhe të përgjegjësive tona priftërore. Prandaj pendohemi dhe përgjërohemi që të gjithë domenikanët të na kuptojnë e të na falin.»