Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

REPUBLIKA DOMENIKANE

Liri për të predikuar

Liri për të predikuar

Vritet Truhijo

Në vitin 1960 diktatura e Truhijos po përballej si me kundërshtim të brendshëm, edhe me shumë kritika ndërkombëtare. Në mes të gjithë këtij tensioni politik, vendin e vizitoi Milton Hensheli nga selia botërore, dhe mori pjesë në një asamble treditore në janar 1961. Në mbledhjen publike kishte 957 të pranishëm, 27 prej të cilëve të pagëzuar. Gjatë vizitës vëlla Hensheli ndihmoi vëllezërit të riorganizonin veprën dhe territorin.

Dy mbikëqyrës qarkorë, Enrik Gasi dhe Julian Lopezi, u caktuan të vizitonin kongregacionet. Juliani shpjegonte: «Qarku im kishte dy kongregacione në lindje të vendit dhe të gjitha kongregacionet në veri. Qarku i Enrikut mbulonte pjesën tjetër të lindjes dhe të gjithë jugun.» Këto vizita rivendosën lidhjet mes kongregacioneve dhe me organizatën, si edhe i ndihmuan vëllezërit të ndërtoheshin frymësisht.

Salvino dhe Helena Ferrari rrugës për në Republikën Domenikane, 1961

Në vitin 1961 mbërritën Salvino dhe Helena Ferrari, të diplomuar të klasës së dytë të Galaadit. Përvoja e tyre si misionarë në Kubë solli shumë fryt teksa merrnin pjesë në të korrat e mëdha frymore në Republikën Domenikane. Më vonë Salvino shërbeu në Komitetin e Degës derisa vdiq në vitin 1997, kurse Helena ka qenë në shërbimin e plotkohor për 79 vjet, pjesën më të madhe të kohës si misionare.

Pak pas mbërritjes së çiftit Ferrari, diktatura terrorizuese e Truhijos pësoi një fund të dhunshëm natën e 30 majit 1961, kur disa vrasës lëshuan një breshëri plumbash mbi makinën e tij. Gjithsesi, vrasja e tij nuk solli stabilitet politik, ndaj vendi pati trazira civile e politike edhe për disa vjet.

Predikimi shkon përpara

Ndërkohë erdhën misionarë të tjerë. Vetëm dy ditë pas vrasjes së Truhijos, Uilliam Dingmeni bashkë me gruan, Estelën, nga klasa e parë e Galaadit, si edhe Telma Kritsi e Flosi Koroneosi u transferuan nga dega e Porto-Rikos në Republikën Domenikane. Uilliami tregoi: «Vendi ishte mes trazirash kur erdhëm ne dhe ziente nga veprimtaritë ushtarake. I frikësoheshin ndonjë revolucioni dhe ushtarët kontrollonin këdo në rrugën kryesore. Na ndaluan në disa postblloqe dhe na kontrolluan gjërat që kishim. Nxorën gjithçka nga valixhet, edhe gjërat më të vockla.» Ishte sfidë të predikoje në një klimë të tillë të paqëndrueshme.

Telma Kritsi dhe Estela e Uilliam Dingmeni janë ende në Republikën Domenikane, pas 67 vitesh shërbimi të zellshëm si misionarë

Uilliami tha: «Gjatë diktaturës së Truhijos, popullit i kishin thënë se Dëshmitarët e Jehovait janë komunistë dhe njerëzit më të poshtër që ekzistojnë. . . . Por, pak nga pak arritëm ta shembnim këtë paragjykim.» Si rrjedhim i veprimtarive të rigjallëruara, një numër i madh njerëzish të sinqertë po reagonin mirë ndaj mesazhit për Mbretërinë. Nga fundi i vitit të shërbimit 1961, kishte 33 pionierë specialë.