Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

REPUBLIKA DOMENIKANE

Të lirë, e prapë nën ndalim

Të lirë, e prapë nën ndalim

Liri e papritur

Manuel Hierezuelo u vra teksa autoritetet e merrnin në pyetje

Gjatë viteve të vështira të ndalimit, Lenart e Virxhinia Xhonsoni dhe Roi e Uanita Branti ndenjën në caktimet e tyre misionare. Lenarti kujtonte: «Roi Brantin dhe mua na thirrën të na merrnin në pyetje zyrtarisht. Zyrtarë të qeverisë së Truhijos e kishin ftuar më parë vëlla Manuel Hierezuelon që t’i takonte.» Mjerisht e vranë teksa e merrnin në pyetje. Ai mbeti besnik deri në fund. Po me Lenartin dhe Roin ç’do të bëhej? Lenarti vazhdonte: «Me të mbërritur, na morën në pyetje veç e veç e, me sa duket, përgjigjet tona i regjistronin. Pas një periudhe të qetë prej dy muajsh, gazetat shpallën se qeveria e Truhijos po e hiqte ndalimin ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe se mund të rifillonim aktivitetet.»

Para ndalimit në vitin 1950, në Republikën Domenikane predikonin 261 lajmëtarë. Kur u hoq ndalimi në gusht të 1956-s, lajmin e mirë po e shpallnin 522 veta. Sa emocionuese ishte për vëllezërit të dëgjonin se mund të predikonin të lirë pas gjashtë muajsh burgimi, kufizimi dhe kontrolli të vazhdueshëm!

Si do të reagonte populli i Jehovait tani që ngjarjet ndryshuan papritur? Pa humbur kohë filluan të riorganizonin veprën. Kërkuan vende për të mbajtur mbledhjet, skicuan territore të reja e përpiluan arkivat e kongregacioneve. Vëllezërit ishin të lumtur që mund të porositnin e të merrnin literaturë. Lirinë për të predikuar e përdorën më së miri e plot zell. Si pasojë, vetëm brenda tre muajve, në nëntor 1956, predikonin 612 lajmëtarë.

Fushata plot mllef e klerit

Memorandumi i Toledanos theksoi planet që ndalonin futjen e literaturës në vend

Sidoqoftë, kleri katolik nisi menjëherë të kurdiste plane që t’i diskreditonte Dëshmitarët. I përkrahur nga marrëveshja e Truhijos me Vatikanin, kleri i shtoi përpjekjet që ta bindte qeverinë t’i zhdukte Dëshmitarët. Prifti katolik, Oskar Robles Toledano i dërgoi një memorandum sekretarit të brendshëm të shtetit, Virkilio Albarat Pinës, ku i kërkonte qeverisë ta përkrahte teksa përpiqej «të zgjonte ndërgjegjen e popullit domenikan ndaj rrezikut ekstrem që paraqiste sekti i ‘Dëshmitarëve të Jehovait’».

Toledano shpjegoi se synimi i tij kryesor ishte «ta bënte të pavlefshme fushatën e prozelitizmit të Dëshmitarëve të Jehovait». Memorandumi i Toledanos sugjeronte edhe që botimet tona të mos i lejonin të hynin në vend, «sidomos librin E vërteta do t’ju bëjë të lirë dhe revistën Kulla e Rojës».

Ndalohen sërish

Udhëheqësit fetarë dhe bashkëpunëtorët e tyre në qeverinë e Truhijos u bashkuan me komplotin kundër Dëshmitarëve. Frantisko Prats-Ramirezi, president i Partisë Domenikane, i shkroi një memorandum Truhijos në qershor 1957, ku shpjegonte: «Po planifikoj një seri mbledhjesh për të luftuar prirjet e dëmshme antipatriotike të Dëshmitarëve të Jehovait.»

Kjo fushatë shpifëse pati një ndikim të menjëhershëm, siç shpjegohej në librin Trujillo—Little Caesar of the Caribbean: «Gjatë muajve të verës së vitit 1957 shtypi domenikan botoi një sërë akuzash të zyrtarëve të lartë të qeverisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait për veprimtari ‘kryengritëse dhe të rrezikshme’. Reagimi zinxhir nisi ditën kur një prift jezuit, Mariano Vaskez Sansi, i denoncoi pjesëtarët e sektit nëpërmjet rrjetit radiofonik të Truhijos, La Voz Dominicana [Zëri domenikan], si shërbëtorë të komunizmit dhe i etiketoi përkrahësit e tij si ‘armiq perversë, dredharakë, kriminelë e tradhtarë’. Menjëherë pas kësaj, një letër baritore e nënshkruar nga kryepeshkopët Rikardo Pitini dhe Oktavio Antonio Berasi i ftonte priftërinjtë të mbronin besimtarët e tyre nga kjo ‘herezi e tmerrshme’.»

Përpjekjet e përbashkëta të kishës e të shtetit e arritën synimin. Në korrik Kongresi i Republikës Domenikane nxori një ligj që i ndalonte Dëshmitarët e Jehovait. Shpejt vëllezërit u bënë shënjestër e rrahjeve. Edhe policia u soll brutalisht me ta. U arrestuan 150 vëllezër gjithsej.