Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN

Evropë

Evropë
  • VENDE 47

  • POPULLSIA 741.311.996

  • LAJMËTARË 1.611.036

  • STUDIME BIBLIKE 847.343

Klasa viziton Sallën e Mbretërisë

Finlandë: Katër klasa vizituan Sallën e Mbretërisë

Inesa, nxënëse në klasën e katërt që jeton në Finlandë, dëgjoi se në orën e mësimit fetar do të flitnin për Dëshmitarët e Jehovait, ndaj vendosi t’i ftonte të gjithë të vizitonin Sallën e Mbretërisë. Si mësueses, si nxënësve iu duk ide e shkëlqyer.

Javën pasuese 38 nxënës u hipën biçikletave dhe bënë gati pesë kilometra për në Sallën e Mbretërisë. Me ta ishin dy mësuese dhe drejtori i shkollës. Në Sallën e Mbretërisë i mirëpritën dy vëllezër dhe tri motra. Ndërsa hanin diçka të lehtë, nxënësit pyetën për sallën dhe Dëshmitarët: «Çfarë bëhet në mbledhje? Pse është ajo dhoma atje?» E kishin fjalën për bibliotekën. «Pse atje te muri ‘gjashta pjesëtohet me dhjetë’?» Ishte shkrimi i vitit, Mateu 6:10.

Ngaqë shkolla merr pjesë në një projekt për të parandaluar bullizmin, vëllezërit u treguan videon me skicime në jw.org: Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. U treguan edhe pjesë të tjera nga siti ynë dhe vunë një këngë Mbretërie. Vizita zgjati rreth një orë.

Drejtori, mësueset dhe nxënësit u kënaqën gjatë vizitës. Drejtori shfaqi interes për sitin tonë, sepse mendoi ta përdorte gjatë orëve fetare. Iu bë shumë qejfi kur dëgjoi se edhe klasat e tjera ishin të mirëpritura të vizitonin Sallën e Mbretërisë. Si rrjedhojë, mësuesja e një klase tjetër foli me Dëshmitarët që të nesërmen për të vizituar sallën.

Gjeti një thesar në plehra

Kristina, që jeton në Rumani, nuk kishte shkuar kurrë në shkollë, kështu nuk dinte as të shkruante, as të lexonte. Ishte e skamur dhe jetonte duke kërkuar kanaçe e shishe plastike në plehrat e qytetit. Një ditë kur po bënte këtë punë, i tërhoqi vëmendjen diçka, një botim biblik me pamje të mrekullueshme me njerëz të lumtur. Thoshte me vete: «Duhet të ketë diku në botë njerëz të tillë.» Kristina ishte kurioze për ato botime, ndaj i kërkoi dikujt t’ia lexonte. Kur e mori vesh se përmbanin tema fetare, u mërzit që njerëzit i kishin flakur në kosh informacionet për Fjalën e Zotit. Herë pas here shkonte te pirgu i mbeturinave që të mblidhte broshura, fletushka dhe revista. Disa ishin të plota, disa të grisura. Mësoi të lexonte që t’i kuptonte më mirë këto botime.

Më pas Kristinën e takuan Dëshmitarët dhe filloi një studim biblik. Ishte tejet e lumtur kur mori vesh se Jehovai e kishte tërhequr me anë të botimeve që të tjerët nuk i kishin vlerësuar. Sot ndjek mbledhjet dhe mahnitet me atë që mëson. Një nga kënaqësitë e saj më të mëdha është se tani revistat, librat dhe broshurat i ka të reja. S’ka pse t’i kërkojë më në plehra. Vërtet, Kristina gjeti një thesar në plehra!

Studim biblik në pyll

Gjermani: Margarita drejton një studim biblik në pyll

Çdo mëngjes Margarita që jeton në Gjermani shëtit në pyll me qenin. Ajo thotë: «Përpiqem t’u flas kalimtarëve. Nëse janë të çlodhur, e drejtoj bisedën te Bibla.»

Një ditë takoi një grua në të shtatëdhjetat që po njësoj shëtiste qenin. Margarita nisi një bisedë me të. Gruaja u kënaq dhe i tha Margaritës se i lutej Zotit e lexonte Biblën çdo ditë. Që atëherë, takoheshin përditë dhe flitnin për gjëra frymore. Një ditë gruaja e pyeti Margaritën: «Nga i di gjithë këto gjëra për Biblën?» Margarita i shpjegoi se është Dëshmitare e Jehovait.

Ajo i ofronte herë pas here studim biblik në shtëpi, por gruaja nuk pranonte. Megjithatë, biseda vazhdoi. Ca muaj më vonë Margarita i ofroi sërish një studim biblik në shtëpi. Këtë herë gruaja iu hap dhe i tha se kishte frikë të studionte, pasi burri me të cilin bashkëjetonte s’i kishte qejf Dëshmitarët e Jehovait.

Radhën tjetër që motra doli shëtitje në pyll, mori me vete Biblën dhe librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Kur pa gruan, i tha plot guxim: «Këtë herë nuk do të të ofroj një studim biblik në shtëpi, por një studim biblik në pyll.» Gruaja pranoi me lot në sy. Shkon gjashtë ditë në javë për studimin biblik në pyll. Në varësi të stinës e të motit, Margaritës ndonjëherë i duhet ta drejtojë studimin e Biblës me çadër dhe me elektrik dore.

Tundje koke pështjelluese

Një motër në Bullgari me emrin Delfina studionte Biblën me Irinën, e cila e çmonte atë që mësonte dhe i ndiqte mbledhjet rregullisht. Megjithatë, burri i Irinës donte që ajo të mos i takonte fare Dëshmitarët. E transferoi familjen në një fshat të vogël në Suedi dhe ajo i humbi lidhjet me Delfinën. Irinën, që nuk flet asnjë fjalë suedisht, e takuan dy pioniere, Aleksandra dhe Rebeka. Motrat përdorën broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve që Irina ta lexonte mesazhin në bullgarisht. Më pas me ndihmën e broshurës, e pyetën nëse donte literaturë në gjuhën e saj. Irina tundi kokën majtas-djathtas. Motrat u larguan duke menduar se nuk i interesonte.

Më vonë Aleksandra u kujtua se Linda, një motër suedeze që shërbente në Bullgari, do të vinte për vizitë për pak javë. Mendoi se do të ishte më mirë për Irinën nëse do ta dëgjonte të vërtetën në gjuhën e saj. Kur erdhi Linda, shkuan të dyja tek Irina. Ajo i tha Lindës se i ishte lutur Jehovait çdo natë që ta ndihmonte të vazhdonte studimin biblik. Shpesh mbante me vete librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në bullgarisht që t’ua tregonte Dëshmitarëve po t’i shihte në rrugë, por nuk pa asnjë. Sa e lumtur ishte që mori më shumë literaturë në bullgarisht!

Linda pyeti Aleksandrën pse kishte menduar se Irina nuk ishte e interesuar. Aleksandra i shpjegoi se ajo kishte tundur kokën në shenjë mosinteresimi. Linda buzëqeshi dhe i shpjegoi se kur bullgarët nuk janë dakord, e tundin kokën lart-poshtë, ndërsa kur janë në një mendje, majtas-djathtas. Kështu, derisa të mësojë suedisht, Irina vazhdon studimin në bullgarisht. Si? U lidh prapë me Delfinën dhe studion nëpërmjet videokonferencës.

Shembulli i shkëlqyer i një babai

Jemima, e cila jeton në Spanjë, e mësoi të vërtetën që fëmijë, mirëpo në moshën shtatëvjeçare jeta e saj ndryshoi krejt. E ëma vendosi të mos ishte më Dëshmitare e Jehovait dhe u divorcua prej të atit. Kur ishte 13 vjeçe, Jemima nuk pranoi të shoqërohej më me Dëshmitarët dhe hodhi poshtë ndihmën frymore nga i ati.

Teksa rritej, u përfshi në lëvizje sociale dhe politike, duke kërkuar «drejtësi» për popullin e thjeshtë. Më vonë kur mbeti pa punë, i ati, Domingo, e ftoi të punonin bashkë si bojaxhinj.

Një ditë kur po punonin bashkë, Domingo i ofroi Jemimës një studim biblik. Ajo nuk pranoi, duke u shprehur se po të kishte interes, do t’i thoshte vetë. Ndërsa punonte, Domingo dëgjonte incizimet e Biblës dhe të revistave, kurse e bija parapëlqente të dëgjonte me kufje muzikë pop.

Në nëntor 2012 Domingo, që ishte rimartuar, pranoi ftesën për Shkollën Biblike për Çiftet e Krishtere. Jemimës i bëri përshtypje që babai do të ndiqte për dy muaj një shkollë biblike, do të linte gjithçka e do të shkonte kudo që ta dërgonin. Për herë të parë kuptoi sa thellë ishte rrënjosur e vërteta në zemrën e të atit dhe donte të dinte pse.

Jemima hoqi dorë nga muzika e preferuar dhe nisi të dëgjonte incizimet e të atit. Gjithashtu filloi të bënte pyetje. Një ditë kur Domingo kishte hipur në shkallë e po lyente, e bija e pyeti: «Të kujtohet kur të thashë se do të të tregoja nëse doja të studioja Biblën?» Epo, tani jam gati.

Domingo u kënaq që e dëgjoi këtë. Në janar 2013 nisën të studionin së bashku dy herë në javë. Shkolla filloi në prill dhe ai e vazhdoi studimin me videokonferencë. Jemima shkoi në diplomimin e tij dhe programi i pëlqeu jashtëzakonisht. Jemima u pagëzua më 14 dhjetor 2013.

Ajo thotë: «Jehovai është treguar shumë i duruar dhe e di se nuk hoqi dorë asnjëherë prej meje. Ai më dha atë që bota nuk ma dha kurrë, miq të vërtetë. Vëllazëria mbarëbotërore më bën ta çmoj edhe më tepër dashurinë e madhe të Jehovait.»

Fuqia e respektit

Vasili është një bethelit prej vitesh në Rusi. Më 30 mars 2014 ai po dëshmonte me një stendë të lëvizshme pranë zyrës së degës kur iu afrua një makinë policie. Një polic i kërkoi me mirësjellje të ndërpriste aktivitetin, ngaqë disa komshinj ishin ankuar. Një polic tjetër filmoi bisedën. Vasili mendoi se ishte më mirë t’i bindej policisë sesa të debatonte për të drejtat e tij. Ndërkohë mjaft kalimtarë ndaluan të shihnin ç’po ndodhte. Për momentin Vasili u largua, ama pas dy ditësh kërkoi një takim me shefin e policisë. Kërkesa iu plotësua. Gjatë takimit falënderoi shefin për shërbimin e rëndësishëm të policisë ndaj komunitetit dhe për mirësjelljen me të cilën i folën dy ditë më parë. Shefi u kthye nga asistenti i tij dhe tha: «Në tërë këto 32 vite me forcat e policisë, s’ka bërë vaki të kem dëgjuar ndonjë që të na falënderojë për punën.» Gjatë bisedës vëllai e ndihmoi shefin të kuptonte se dëshmia jonë publike është krejtësisht e ligjshme. Shefi e pyeti Vasilin pse nuk e kundërshtoi urdhrin e policisë që ta ndërpriste aktivitetin, edhe pse e dinte se kishte plotësisht të drejtë. Vasili ia ktheu: «E respektoj policinë. Përfytyro imazhin që do të krijohej për policinë para gjithë atyre kalimtarëve nëse unë do të akuzoja policin se nuk e njihte ligjin.» Shefi dhe asistenti mbetën pa fjalë dhe e siguruan Vasilin se nuk do të kishte më probleme kur të përdorte stendën e literaturës.