INDONEZIA
Të vendosur të ecnin përpara
Kur vëllezërit në degë morën vesh për ndalimin, vepruan menjëherë. Ronald Xhaka thotë: «Arkivat konfidencialë, literaturën dhe fondet e degës i çuam në vende të sigurta në mbarë Xhakartën. Më pas e transferuam zyrën e degës në një vend sekret dhe pa shumë bujë shitëm godinat e degës së mëparshme.»
Shumica e vëllezërve vendës qëndruan aktivë dhe sypatrembur. Ata kishin përballuar sprova të egra para ndalimit dhe prapë vazhduan të mbështeteshin te Jehovai. Por, disa u zunë të papërgatitur. Disa pleq u frikësuan dhe firmosën deklarata ku binin dakord të mos predikonin më. Të tjerë nxorën emrat e vëllezërve të kongregacionit. Zyra e degës dërgoi vëllezër të pjekur që të forconin kongregacionet dhe të ndihmonin ata që kishin bërë kompromis. Në Indonezi vajti edhe Xhon Buthi, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili dha këshilla atërore mjaft të nevojshme.
Ishte e qartë se Jehovai, Bariu i Madh, po e forconte dhe po i jepte zemër popullit të tij. (Ezek. 34:15) Pleqtë filluan t’i përmbushnin më plotësisht përgjegjësitë në kongregacion dhe në shërbim. Ndërsa lajmëtarët gjetën mënyra të reja e të kujdesshme për të predikuar. (Mat. 10:16) Shumë vëllezër blinin Bibla bashkëkohore dhe me çmim të arsyeshëm nga Shoqëria Biblike e Indonezisë dhe i përdornin në shërbim duke u dhënë me takt mesazhin për Mbretërinë, kur ishte e mundur. Të tjerë u hiqnin botimeve tona faqen e botuesit dhe ua shpërndanin të interesuarve. Mjaft pionierë vazhduan predikimin duke u paraqitur shtëpi më shtëpi si shitës, siç kishin bërë pararendësit e tyre gjatë pushtimit japonez.
Në vitin 1977 Ministria e Çështjeve Fetare dha një goditje tjetër: nuk pranoi të rinovonte vizat misionare për Dëshmitarët e Jehovait. Shumica e misionarëve u ricaktuan në vende të tjera. * Misionari Norbert Hausleri, i cili shërbente me gruan, Margaretën, në Manado të Celebesit të Veriut, kujton: «Qindra vëllezër e motra erdhën në aeroport për të na përshëndetur. Tek shkonim drejt shkallëve të avionit, u ndalëm e kthyem kokën pas. Një mori duarsh po na përshëndetnin dhe në pistë jehuan njëzëri fjalët ‘Faleminderit! Faleminderit që erdhët këtu!’ Hymë në avion dhe lotët na shkuan çurg.»
Çmenduri në Sumbë
Teksa lajmi për ndalimin përhapej në mbarë arkipelagun, Këshilli i Kishave të Indonezisë i nxiti anëtarët e vet që t’u raportonin autoriteteve çdo aktivitet të Dëshmitarëve. Si rrjedhojë, në mjaft ishuj shumë u arrestuan e u morën në pyetje.
Në Vaingapu, në ishullin Sumbë, komandanti ushtarak i rrethit thërriti 23 vëllezër në kampin ushtarak dhe i urdhëroi të firmosnin një deklaratë që mohonte besimin e tyre. Ngaqë vëllezërit refuzuan, ai i urdhëroi që të nesërmen të vinin sërish në kamp, 14 km vajtje-ardhje në këmbë.
Kur vëllezërit u paraqitën te komandanti të nesërmen herët në mëngjes, i thirri një nga një e i urdhëroi të firmosnin deklaratën. Nëse një vëlla nuk firmoste, ushtarët e rrihnin me thupër me gjemba. Ushtarët arrinin gati në histeri, aq sa i linin pa ndjenja disa vëllezër. Ndërkohë, vëllezërit e tjerë pritnin radhën. Papritur njëri nga vëllezërit, Moni Keli, bëri një hap para dhe shkroi diçka në deklaratë. Vëllezërve iu mpak zemra, kurse komandantit i iku truri. Moni kishte shkruar: «Do të jem Dëshmitar i Jehovait përgjithmonë!» E rrahën dhe e mavijosën aq shumë sa përfundoi në spital, por besimin nuk ia thyen dot.
Për 11 ditë rresht komandanti u përpoq t’ua thyente integritetin vëllezërve. Ai i urdhëroi të rrinin në këmbë
gjithë ditën në diellin përvëlues tropikal. I detyroi të ecnin këmbadoras për kilometra të tërë e të vraponin për distanca të gjata me pesha të rënda. Madje, ndonjëherë komandanti u vinte bajonetën në grykë dhe i urdhëronte të nderonin flamurin, e prapë vëllezërit nuk pranonin. Atëherë ai jepte urdhër që t’i rrihnin edhe më shumë.Çdo mëngjes vëllezërit çapiteshin drejt kampit duke pyetur veten se ç’tortura të tjera i pritnin. Gjatë rrugës luteshin së bashku dhe i jepnin zemër njëri-tjetrit për të qëndruar besnikë. Çdo natë ecnin zvarrë-zvarrë deri në shtëpi, me trupin të mavijosur e të gjakosur, por të kënaqur që i kishin qëndruar besnikë Jehovait.
Kur vëllezërit në zyrën e degës morën vesh për këto keqtrajtime, protestuan menjëherë duke i dërguar telegrame komandantit në Vaingapu, komandantit rajonal në Timor, komandantit të divizionit ushtarak në Bali, komandantit suprem në Xhakartë dhe autoriteteve të tjera të rëndësishme. I turpëruar ngaqë njerëzit në mbarë Indonezinë po merrnin vesh veprimet e tij të ulëta, komandanti ushtarak në Vaingapu nuk i përndoqi më vëllezërit.
«Dëshmitarët e Jehovait janë si gozhda»
Vitet pasuese, mjaft Dëshmitarë anembanë Indonezisë i dënuan, i morën në pyetje dhe i keqtrajtuan fizikisht. Misionari Bill Peri sjell ndër mend: «Në një zonë, shumë vëllezërve ua kishin thyer fare dhëmbët e përparmë. Kur takonin një vëlla tjetër që i kishte ende dhëmbët,
e pyesnin me shaka: ‘Mos je i ri ti? Apo ke bërë kompromis?’ Pavarësisht nga sprovat, ata që u përndoqën, nuk e humbën kurrë gëzimin apo entuziazmin në shërbim të Jehovait.»«Burgu më mësoi të mbështetem më shumë te Jehovai dhe, në të vërtetë, ma forcoi më tepër lidhjen me të»
Gjatë një periudhe 13-vjeçare, 93 Dëshmitarë u dënuan me burg, nga 2 muaj deri në katër vjet. Ky keqtrajtim vetëm sa ua forcoi vendosmërinë për t’i qëndruar besnikë Jehovait. Pas një burgimi tetëmujor, Musa Radi vizitoi vëllezërit në zonën e tij që t’i inkurajonte të vazhdonin predikimin. Ai tha: «Burgu më mësoi të mbështetem më shumë te Jehovai dhe, në të vërtetë, ma forcoi më tepër lidhjen me të.» S’është çudi pse disa thoshin: «Dëshmitarët e Jehovait janë si gozhda. Sa më shumë ta godasësh, aq më thellë ngulet.»
^ par. 1 Piter Vanderhakenin dhe Len Dejvisin, misionarë nga shumë kohë, që i kishin kaluar të 60-at, dhe Mariana Tambunanin (më parë Stuvei), që ishte martuar me një indonezian, i lejuan të qëndronin në Indonezi. Që të tre nuk hoqën dorë nga aktivitetet e krishtere dhe bënë një shërbim të frytshëm gjatë gjithë ndalimit.