Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INDONEZIA

Si vajza e vërtetë e Sarës

Titi Kutini

Si vajza e vërtetë e Sarës
  • LINDUR: 1928

  • PAGËZUAR: 1957

  • TË DHËNA: Një motër që me takt e ndihmoi të shoqin kundërshtar të mësonte të vërtetën.—Treguar nga i biri, Mario Kutini.

NËNA ime ishte një grua e dashur dhe e afrueshme që e donte Biblën. Kur takoi Gertrudë Otin, misionare në Manado, në Celebesin e Veriut, filloi menjëherë një studim biblik dhe pranoi të vërtetën. Kurse babai, Ervini, një bankier i njohur dhe më vonë drejtor i Bursës së Xhakartës, e kundërshtoi me forcë besimin e ri të nënës.

Një ditë, babai i dha nënës ultimatum, duke iu hakërruar:

«Zgjidh: o fenë, o burrin!»

Nëna u mendua gjatë dhe mirë, e pastaj i tha me butësi: «I dua të dy, edhe burrin, edhe Jehovain.»

Babai mbeti pa fjalë dhe i ranë nervat.

Me kohë u bë më tolerant, sepse e donte shumë nënën dhe vlerësonte jashtë mase mençurinë dhe mendjemprehtësinë e saj.

Por, nëna donte që babai të bashkohej me të në adhurimin e vërtetë. Pasi u lut me zjarr për këtë, iu kujtua që babai i kishte pasion gjuhët e huaja. Prandaj mendoi të linte nëpër shtëpi shkrime biblike në anglisht. «Po përpiqem të përmirësoj anglishten»,—i tha atij. Gjithashtu kishte kuptuar se ai e vlerësonte oratorinë publike, prandaj i kërkonte ndihmë kur bënte prova për fjalimet në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ai nuk thoshte jo. Mamaja e dinte se ishte mikpritës, kështu që e pyeti nëse mund të mbanim në shtëpi mbikëqyrësin qarkor. Babai pranoi. Dinte edhe se e donte fort familjen, prandaj me lezet e pyeti në kishte qejf të rrinte me familjen në kongreset tona. Dhe ai vinte.

Durimi dhe përpjekjet e matura të nënës dalëngadalë ia zbutën zemrën babait. Më vonë, kur jetonim Angli, ai vinte në mbledhje dhe u miqësua me Xhon Barrin, që u bë anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Po atë vit babai u pagëzua dhe kjo e gëzoi pa masë nënën. Në vitet më pas ai e mbuloi me dashuri.

Ngaqë ishte grua e dëlirë, e respektueshme dhe me besim të fortë, nëna bënte për vete këdo që takonte

Disa nga miqtë tanë e krahasonin nënën me Lidian, një të krishterë të shekullit të parë që shquhej për mikpritjen. (Vep. 16:14, 15) Por mua më kujton shpesh Sarën, që iu nënshtrua me kënaqësi të shoqit, Abrahamit. (1 Pjet. 3:4-6) Nëna ishte grua e dëlirë, e respektueshme dhe me besim të fortë, e cila bënte për vete këdo që takonte. Pikërisht nga shembulli i saj e mori të vërtetën babai. Për mua ishte si vajza e vërtetë e Sarës.