Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur vëllezër dhe motra!
Profeti Isaia e pranoi me përulësi se çdo sukses dhe begati që gëzonte mbretëria e Judës ishin vetëm falë bekimit të Jehovait. Ai tha tek Isaia 26:12: «O Jehova, . . . çdo gjë që bëjmë ne vjen falë asaj që bën ti.» Kur mendojmë për gjithë sa u arrit vitin e kaluar të shërbimit, s’na mbetet veçse të themi se edhe sot Jehovai po bën vërtet «gjëra të mrekullueshme, që s’janë bërë kurrë» më parë. (Dal. 34:10) Mendo pak për disa nga bekimet që kemi marrë nga dora e tij.
Siti ynë zyrtar jw.org është përdorur në mënyrë të mrekullueshme. Ai disponohet në mbi 600 gjuhë dhe botimet mund të lexohen dhe të shkarkohen në mbi 750 gjuhë. Sa sukses ka pasur ky sit si mjet për t’u përcjellë të vërtetën njerëzve me zemër të sinqertë? Le të marrim një shembull: një çift u zhgënjye nga feja për shkak të hipokrizisë që kishte vënë re. Në kërkim të udhëheqjes hyjnore, ata zbuluan sitin tonë. Filluan të hynin rregullisht në sit që të lexonin artikuj nga botimet tona dhe të shihnin video. Madje shkarkuan edhe broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë dhe filluan ta lexonin çdo ditë me dy fëmijët adoleshentë. Në fakt, pikërisht këtë po bënin mëngjesin që Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën
e tyre. Dëshmitarët morën vesh se falë sitit kjo familje kishte bërë mjaft ndryshime. Kishin hequr tatuazhet dhe pirsing që kishin bërë, kishin hequr shëmbëlltyrat fetare, nuk festonin më festat pagane dhe nuk shihnin më filma të papërshtatshëm, të gjitha këto para se të takonin Dëshmitarët. Tani që po shkruajmë këtë letër, të dy prindërit dhe njëri nga fëmijët janë lajmëtarë dhe prindërit duan të pagëzohen së shpejti.Kemi marrë shumë shprehje vlerësimi për një mjet tjetër të mrekullueshëm: JW Broadcasting. Programi mujor tani disponohet në mbi 70 gjuhë, numër që do të rritet akoma. Shumë familje e shohin programin gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar. Një vëlla u shpreh: «Organizata e Jehovait nuk ka qenë kurrë kaq e madhe, e megjithatë kurrë nuk jemi ndier kaq afër selisë!»
Kongreset janë gjithmonë ngjarje të spikatshme për popullin e Jehovait dhe ato që u mbajtën gjatë vitit të shërbimit 2015 sigurisht nuk bënin përjashtim. Gjatë programit të kongreseve u paraqitën 42 video dhe pamje artistike, si edhe 6 pjesë të këndshme muzikore, një në fillim të çdo sesioni. Një vëlla me përvojë tha për programin: «Dukej sikur askush nuk donte të çohej nga karrigia gjatë programit, sepse nuk donin të humbnin asgjë.» Një misionar u shpreh për këtë kongres: «Videot m’i bënë më reale të vërtetën dhe Mbretërinë.»
Vitin e kaluar Jehovai na bekoi edhe me disa këngë Mbretërie të reja. Një çift shkroi: «Këngët e reja
janë si përqafim nga Jehovai. Për ne kanë qenë si rreze dielli në ditë të errëta.» Kongreset na kujtuan punën e palodhur e të dashur që bëjnë për ne kori e orkestra Watchtower, vetëm për të lëvduar edhe më shumë Jehovain.A ka bërë më të mirën kongregacioni yt në dëshminë publike me stenda? Ç’bekim ka qenë kjo formë dëshmie! Disa që jetojnë në ndërtesa ose pallate shumëkatëshe me porta e sisteme sigurie po e dëgjojnë lajmin e mirë për herë të parë, dhe shumë të tjerë, përfshirë Dëshmitarët joaktivë, po marrin ndihmën e duhur në këtë formë. Në janar 2015, një burrë në Korenë e Jugut iu afrua një prej stendave tona. Ai shpjegoi se kohët e fundit kishte filluar të mendonte seriozisht për Zotin. Kështu filloi studim biblik. Në shkurt shkoi për herë të parë në një mbledhje kongregacioni; në mars la duhanin. Në prill vizitoi degën në Korenë e Jugut dhe vazhdon të përparojë me hapa gjigantë. Kjo është vetëm një nga përvojat e panumërta që kemi marrë këtu në selinë botërore.
Lutemi që broshura Kthehu te Jehovai! që morëm në kongres, të nxitë shumë nga ata që dikur ishin aktivë në shërbim të Jehovait, të kthehen në krahët e tij të dashur para se të jetë tepër vonë! Ju inkurajojmë të gjithëve të imitoni Jehovain, duke i mirëpritur me ngrohtësi ata që kthehen.
Jehovai e ka bekuar vërtet popullin e tij vitin e kaluar të shërbimit. Po çfarë mund të presim tjetër?
Të presim e të shohim. Ndërkohë, të jeni të sigurt se si Trup Udhëheqës ju duam shumë të gjithëve dhe lutemi shpesh për ju.Paçi gjithë të mirat!
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait