MËSIMI 7
A ndihesh ndonjëherë vetëm dhe i frikësuar?
Shikoje pak djalin e vogël në figurë. Duket i vetmuar dhe i frikësuar, apo jo? A je ndier ndonjëherë kështu? . . . Ndonjëherë, të gjithëve na ndodh. Bibla tregon se edhe disa miq të Jehovait janë ndier vetëm e kanë pasur frikë. Njëri prej tyre ishte Elija. Le të mësojmë diçka për të.
Elija jetoi në Izrael shumë kohë më parë, para se të lindte Jezui. Akabi, mbreti i Izraelit, nuk adhuronte Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Akabi dhe gruaja e tij, Jezebela, adhuronin Baalin, një perëndi jo të vërtetë. Prandaj, edhe shumica e njerëzve nisën të adhuronin Baalin. Mbretëresha Jezebelë ishte shumë e keqe dhe donte të vriste gjithë adhuruesit e Jehovait; ndër ta ishte edhe Elija. A e di çfarë bëri Elija? . . .
Ai iku me vrap! Shkoi larg në shkretëtirë dhe u fsheh në një shpellë. Pse mendon
se veproi kështu? . . . Po, kishte frikë. Por Elija s’duhej të kishte frikë. Pse? E dinte se Jehovai mund ta ndihmonte. Më parë, Elija e kishte parë sa i fuqishëm ishte Jehovai. Një herë, Jehovai i ishte përgjigjur lutjes së tij duke dërguar zjarr nga qielli. Prandaj, edhe tani Jehovai ishte në gjendje ta ndihmonte.Kur Elija ishte në shpellë, Jehovai i foli dhe e pyeti: ‘Çfarë po bën këtu?’ Ai iu përgjigj: ‘Asnjë nuk të adhuron më. Vetëm unë të adhuroj. Kam ngelur vetëm dhe kam frikë se mos më vrasin.’ Elija mendonte se i kishin vrarë të gjithë adhuruesit e tjerë të Jehovait. Por, Jehovai i tha: ‘Jo, nuk është e vërtetë. Ka 7.000 njerëz të tjerë që më adhurojnë akoma. Bëhu trim! Duhet të bësh edhe shumë gjëra të tjera për mua.’ A mendon se Elija u gëzua kur e dëgjoi këtë? . . .
Çfarë mund të mësosh nga ajo që i ndodhi Elijas? . . . Kurrë nuk duhet të ndihesh i vetmuar ose të kesh frikë. Ke miq që e duan edhe Jehovain, edhe ty. Gjithashtu, Jehovai ka shumë fuqi dhe do të të ndihmojë gjithmonë. Jehovai do të jetë gjithnjë me ty; a je i kënaqur? . . .