Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 2

Rebeka donte ta kënaqte Jehovain

Rebeka donte ta kënaqte Jehovain

Rebeka ishte një grua që e donte Jehovain. Burri i saj quhej Isak. Edhe ai e donte Jehovain. Si u njoh Rebeka me Isakun? Si tregoi ajo se donte ta kënaqte Jehovain? Si fillim, të mësojmë diçka për burrin e saj, Isakun.

Prindërit e Isakut ishin Abrahami dhe Sara. Ata jetonin në vendin e Kanaanit. Atje njerëzit nuk e adhuronin Jehovain. Por Abrahami donte ta martonte djalin e tij me një vajzë që besonte te Jehovai. Prandaj dërgoi shërbëtorin e tij, ndoshta Eliezerin, që të gjente një grua për Isakun. E çoi në një vend me emrin Haran, ku jetonin disa kushërinj të vet.

Rebeka nuk përtoi dhe shkoi të merrte ujë për devetë

Eliezeri udhëtoi me shërbëtorë të tjerë të Abrahamit. Ishte udhëtim shumë i gjatë. Ata morën me vete dhjetë deve me ushqime e dhurata. Si do ta kuptonte Eliezeri se cilën grua duhej të zgjidhte për Isakun? Kur Eliezeri dhe shërbëtorët e tij mbërritën në Haran, ndaluan te një pus. Ai e dinte se pas pak aty do të vinin vajza për të mbushur ujë. Ai iu lut Jehovait dhe tha: ‘Nëse i kërkoj një vajze të më japë ujë dhe ajo më jep ujë mua dhe deveve, atëherë do ta kuptoj se kjo është gruaja që ke zgjedhur.’

Pastaj Rebeka erdhi te pusi. Bibla thotë se ajo ishte shumë e bukur. Eliezeri i kërkoi pak ujë dhe ajo iu përgjigj: ‘Patjetër. Urdhëro ujin që kam dhe do të shkoj të mbush edhe për devetë e tua.’ Mendo pak! Devetë e etura pinë shumë ujë, prandaj Rebekës iu desh të vraponte shumë herë për te pusi. A e sheh në figurë sa shumë po punon? . . . Eliezeri u habit si iu përgjigj Jehovai lutjes së tij.

Eliezeri i dha Rebekës shumë dhurata të bukura. Ajo e ftoi në shtëpi Eliezerin dhe shërbëtorët e tjerë. Ai i shpjegoi familjes së saj pse e kishte dërguar Abrahami dhe si i ishte përgjigjur Jehovai lutjes së tij. Familja e lejoi me kënaqësi Rebekën të martohej me Isakun.

Rebeka shkoi në Kanaan me Eliezerin dhe u martua me Isakun

Por, a mendon se Rebeka donte të martohej me Isakun? . . . Rebeka e dinte se Eliezerin e kishte dërguar Jehovai. Prandaj, kur familja e pyeti Rebekën nëse donte të shkonte në Kanaan e të martohej me Isakun, ajo u përgjigj: ‘Po, dua.’ Ajo shkoi menjëherë me Eliezerin. Kur mbërritën në Kanaan, ajo u martua me Isakun.

Jehovai i dha gjëra të mira Rebekës ngaqë bëri atë që donte ai. Shumë vjet më vonë, Jezui e pati prejardhjen nga familja e saj. Nëse je si Rebeka dhe e kënaq Jehovain, ai do të të japë edhe ty gjëra të mira.

LEXO NË BIBLËN TËNDE