Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 27

Kush është Perëndia yt?

Kush është Perëndia yt?

PSE është e rëndësishme pyetja: ‘Kush është Perëndia yt?’ . . . Sepse njerëzit adhurojnë shumë perëndi. (1 Korintasve 8:5) Kur apostulli Pavël mori fuqi nga Jehovai për të shëruar një njeri që s’kishte ecur kurrë më parë, njerëzit thirrën: «Perënditë janë bërë ngjashëm njerëzve dhe kanë zbritur te ne!» Ata donin ta adhuronin Pavlin dhe shokun e tij, Barnabën. E quajtën Pavlin Hermes dhe Barnabën Zeus. Këta ishin emra të perëndive të rreme.

Por Pavli dhe Barnaba nuk i lanë njerëzit që t’i adhuronin. Ata u sulën në turmë dhe thanë: ‘Kthehuni nga këto kotësira te Perëndia i gjallë.’ (Veprat 14:8-15) Kush është «Perëndia i gjallë» që krijoi të gjitha gjërat? . . . Po, është Jehovai, «Më i Larti në tërë dheun». Jezui e quajti ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’. Atëherë, cili është i vetmi që meriton të adhurohet? . . . Vetëm Jehovai!Psalmi 83:18; Gjoni 17:3; Zbulesa 4:11.

Pse Pavli dhe Barnaba nuk lejuan që njerëzit të përkuleshin para tyre?

Shumica e njerëzve adhuron perëndi të tjera, jo «të vetmin Perëndi të vërtetë». Shpesh ata adhurojnë gjëra që i bëjnë prej druri, prej guri ose prej metali. (Dalja 32:4-7; Levitiku 26:1; Isaia 44:14-17) Madje edhe disa burra e gra që bëhen të famshëm, nganjëherë i quajnë perëndi, yje ose idhuj. A është e drejtë t’u japim lavdi atyre? . . .

Pasi Sauli u bë apostulli Pavël, shkroi: «Perëndia i këtij sistemi ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve.» (2 Korintasve 4:4) Kush është ky perëndi? . . . Po, Satana Djalli. Satanai ka arritur që t’i bëjë njerëzit të adhurojnë shumë njerëz e gjëra të tjera.

Çfarë i tha Jezui Satanait, kur ky u përpoq ta bënte Jezuin që të përkulej e të adhuronte Satanain? . . . «Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Pra, Jezui e tha qartë se adhurimi i takon vetëm Jehovait. Të lexojmë tani për disa të rinj që e dinin këtë. Ata quheshin Shadrak, Meshak dhe Abednego.

Këta të rinj hebrenj bënin pjesë në kombin e Izraelit, që ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë. Ata ishin marrë robër në Babiloni. Atje, një mbret me emrin Nabukodonosor ndërtoi një shëmbëlltyrë gjigante prej ari. Një ditë ai dha urdhër që kur të fillonte muzika, të gjithë të përkuleshin para shëmbëlltyrës. ‘Kushdo që nuk do të përkulet e nuk do të adhurojë, do të hidhet në furrën e zjarrtë përvëluese’,—paralajmëroi ai. Çfarë do të kishe bërë ti? . . .

Pse këta burra nuk përkulen para shëmbëlltyrës?

Zakonisht Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja bënin gjithçka që u urdhëronte mbreti. Por këtë gjë nuk pranuan ta bënin. Përse jo? . . . Sepse në ligjin e Perëndisë thuhej: ‘Nuk duhet të kesh asnjë perëndi tjetër përveç meje. Nuk duhet të bësh për vete një shëmbëlltyrë të gdhendur e të përkulesh para saj.’ (Dalja 20:3-5) Prandaj, ata të tre iu bindën ligjit të Jehovait, jo urdhrit të mbretit.

Mbreti u zemërua shumë, prandaj menjëherë urdhëroi që tre të rinjtë hebrenj t’i sillnin para tij. Ai i pyeti: ‘A është e vërtetë që nuk po u shërbeni perëndive të mia? Do t’ju jap një mundësi tjetër. Tani, kur të dëgjoni muzikën, bini përmbys dhe adhuroni shëmbëlltyrën që kam bërë. Në qoftë se nuk e bëni këtë, do të hidheni në furrën e zjarrtë përvëluese. E kush është ai perëndi që mund t’ju shpëtojë nga duart e mia?’

Çfarë do të bënin tani të rinjtë? Çfarë do të kishe bërë ti? . . . Ata i thanë mbretit: ‘Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë. Por edhe sikur të mos na çlirojë, ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua. Nuk do të përkulemi para shëmbëlltyrës sate prej ari.’

Mbreti u tërbua. Ai urdhëroi: ‘Nxeheni furrën shtatë herë më shumë!’ Pastaj i urdhëroi njerëzit e tij të fortë që t’i lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon e t’i hidhnin në furrë! Furra ishte kaq e nxehtë, saqë njerëzit e mbretit që po i hidhnin ata të rinj vdiqën nga flakët. Por, çfarë ndodhi me tre hebrenjtë?

Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja ranë mu në mes të zjarrit. Por pastaj u ngritën. Ata nuk u dëmtuan fare. E nuk ishin më të lidhur. Si ishte e mundur?! . . . Mbreti pa brenda furrës dhe ajo që pa e frikësoi shumë. ‘A nuk hodhëm tre burra në zjarr?’—pyeti ai. Shërbëtorët e tij u përgjigjën: «Po, o mbret.»

Si i shpëtoi Jehovai shërbëtorët e tij nga furra e zjarrtë?

Atëherë mbreti tha: ‘Ja, unë po shoh katër persona që ecin aty brenda dhe zjarri nuk po djeg asnjërin prej tyre.’ Cili ishte personi i katërt, e di? . . . Ishte engjëlli i Jehovait. Ai i mbrojti tre hebrenjtë dhe nuk la që të dëmtoheshin.

Kur pa këtë, mbreti shkoi te dera e furrës dhe thirri: «Shadrak, Meshak, Abednego, o ju shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu!» Kur ata dolën, të gjithë e panë që nuk ishin djegur fare. Madje nuk kishin as erën e tymit në trup. Atëherë mbreti tha: ‘Bekuar qoftë Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, i cili dërgoi një engjëll për të shpëtuar shërbëtorët e tij, sepse ata nuk donin të adhuronin asnjë perëndi tjetër përveç Perëndisë së tyre.’Danieli, kapitulli 3.

Cilëve idhuj u japin lavdi njerëzit sot?

Nga ajo që ndodhi në atë kohë mund të nxjerrim një mësim. Edhe sot njerëzit ndërtojnë shëmbëlltyra ose idhuj për t’i adhuruar. Një libër thotë: «Flamuri, ashtu si kryqi, është i shenjtë.» (The Encyclopedia Americana) Njerëzit mund t’i bëjnë shëmbëlltyrat prej druri, guri, metali ose prej rrobe. Dishepujt e hershëm të Jezuit nuk e adhuronin perandorin romak. Historiani Daniel P. Maniks thotë se kjo mund të krahasohet me «mospranimin për të nderuar flamurin ose për të përsëritur betimin e besnikërisë».

Prandaj, si mendon, a ka rëndësi për Perëndinë nëse një shëmbëlltyrë fetare është e bërë prej rrobe, druri, guri ose metali? . . . A do të ishte e drejtë që një shërbëtor i Jehovait të bënte një akt adhurimi para një shëmbëlltyre të tillë? . . . Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk e bënë këtë, dhe Jehovai ishte i kënaqur me ta. Si mund ta imitosh shembullin e tyre? . . .

Ata që i shërbejnë Jehovait nuk mund të adhurojnë asnjë person ose gjë tjetër. Lexo se çfarë thuhet për këtë te Josiu 24:14, 15, 19-22; Isaia 42:8; 1 Gjonit 5:21 dhe Zbulesa 19:10.