Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 39

Perëndia e kujton Birin e tij

Perëndia e kujton Birin e tij

JEZUI qau kur vdiq shoku i tij, Lazari. Si mendon, a u ndie keq Jehovai kur Jezui vuajti dhe vdiq? . . . Bibla thotë se Perëndia mund ‘të lëndohet’ e madje ‘të ketë dhembje’ për shkak të gjërave që ndodhin.Psalmi 78:40, 41; Gjoni 11:35.

A e merr dot me mend sa dhembje ndiente Jehovai tek shihte Birin e tij të dashur të vdiste? . . . Jezui ishte i sigurt se Perëndia nuk do ta harronte. Prandaj fjalët e fundit që tha Jezui para se të vdiste ishin këto: «Atë, në duart e tua e besoj [jetën] time.»Luka 23:46.

Jezui ishte i sigurt se do të ringjallej, se Perëndia nuk do ta linte «në Hades» ose «në ferr», fjalë që kanë kuptimin varr. Pasi Jezui u ringjall, apostulli Pjetër citoi atë që ishte shkruar në Bibël për Jezuin: «Ai as nuk u braktis në Hades e as mishi i tij nuk pa prishje.» (Veprat 2:31; Psalmi 16:10) Jo, trupi i Jezuit nuk mbeti në varr aq kohë sa të prishej, domethënë të kalbej e të mbante erë të keqe.

Kur ishte në tokë, Jezui u tha madje dishepujve të tij se nuk do të mbetej i vdekur për shumë kohë. Ai u shpjegoi se ‘do të vritej dhe do të ngrihej ditën e tretë’. (Luka 9:22) Prandaj, në të vërtetë dishepujt e tij s’kishin pse të çuditeshin kur Jezui u ringjall. Por, a u çuditën ata? . . . Le të shohim.

Kur Mësuesi i Madh vdes në shtyllën e torturës është ditë e premte, aty nga ora tre pasdite. Jozefi, një njeri i pasur dhe anëtar i Sinedrit, beson fshehurazi te Jezui. Kur ai merr vesh se Jezui ka vdekur shkon te Pilati, qeveritari romak, dhe i kërkon që ta heqë trupin e Jezuit nga shtylla e ta varrosë. Pas kësaj, Jozefi e çon trupin e Jezuit te një kopsht ku ka edhe një varr, domethënë një vend ku vendoset trupi i njeriut të vdekur.

Pasi e vendosin trupin në varr, te hyrja e tij vënë një gur të madh. Kështu, varri mbyllet. Tani është dita e tretë, që i bie e diel. Nuk ka dalë ende dielli, prandaj është errësirë. Disa burra po rrinë aty që të ruajnë varrin. Këta burra i kanë dërguar krerët e priftërinjve që të rrinë rojë. Përse e kanë bërë këtë, e di? . . .

Edhe priftërinjtë kishin dëgjuar që Jezui tha se do të ringjallej. Prandaj, për të mos i lënë dishepujt e Jezuit të vijnë të marrin trupin e tij e pastaj të thonë se Jezui u ringjall, priftërinjtë vënë roja. Papritur toka fillon të dridhet. Në errësirë shfaqet një vetëtimë drite. Është një engjëll i Jehovait! Ushtarët kanë kaq shumë frikë, sa nuk lëvizin dot. Engjëlli shkon te varri dhe e rrokullis tutje gurin që është te hyrja. Varri është bosh!

Pse është bosh varri? Çfarë ka ndodhur?

Po, është siç tha apostulli Pjetër më vonë: «Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli.» (Veprat 2:32) Perëndia e ringjalli Jezuin duke i dhënë një trup si ai që Jezui kishte para se të vinte në tokë. Ai u ringjall me një trup frymor, si trupi që kanë engjëjt. (1 Pjetrit 3:18) Prandaj, që njerëzit ta shohin, Jezui duhet të marrë një trup prej mishi. A vepron ai kështu? . . . Ta shohim.

Tani po lind dielli. Ushtarët kanë ikur që aty. Maria Magdalena dhe disa gra të tjera, që janë dishepulle të Jezuit, po shkojnë te varri. Ato i thonë njëra-tjetrës: ‘Kush do të na e rrokullisë atë gur të rëndë që është te hyrja e varrit?’ (Marku 16:3) Por, kur arrijnë te varri, gurin tashmë e kanë rrokullisur, duke e hequr nga hyrja. Ato e gjejnë varrin bosh. Trupi i pajetë prej mishi i Jezuit nuk gjendet më aty! Menjëherë, Maria Magdalena vrapon për të gjetur ndonjërin nga apostujt e Jezuit.

Gratë e tjera qëndrojnë te varri. Ato pyesin: ‘Ku mund të jetë trupi i Jezuit?’ Papritur shfaqen dy burra me rroba që vetëtijnë. Këta janë engjëj! Ata u thonë grave: ‘Pse e kërkoni këtu Jezuin? Ai u ringjall. Shkoni menjëherë dhe u tregoni dishepujve të tij.’ A e mendon dot sa shpejt vrapojnë gratë?! Rrugës ato takohen me një burrë. Kush është ky, e di? . . .

Është Jezui, i cili ka marrë një trup prej mishi. Edhe ai u thotë këtyre grave: ‘Shkoni dhe tregojuni dishepujve të mi.’ Gratë janë shumë të gëzuara. Ato shkojnë dhe gjejnë dishepujt, e u thonë: ‘Jezui është gjallë! Ne e pamë!’ Maria tashmë u ka thënë Pjetrit dhe Gjonit se varri është bosh. Tani këta të dy shkojnë te varri, siç e sheh te figura. Shohin copat prej liri me të cilat ishte mbështjellë Jezui, por nuk dinë çfarë të mendojnë. Duan të besojnë që Jezui është përsëri gjallë, por u duket tepër e mrekullueshme që kjo gjë të ketë ndodhur.

Çfarë po mendojnë vallë Pjetri dhe Gjoni?

Më vonë, atë të diel, Jezui u shfaqet dy dishepujve të tij që po ecin rrugës për në fshatin Emaus. Jezui ecën dhe flet me ta, por ata nuk e njohin që është ai, sepse nuk ka të njëjtin trup prej mishi që kishte më parë. Vetëm kur Jezui ha ushqim bashkë me ta dhe bën një lutje, ata e njohin. Dishepujt janë kaq të gëzuar, saqë ecin me nxitim për shumë kilometra që të kthehen në Jerusalem! Ndoshta pak pas kësaj Jezui i shfaqet Pjetrit për t’i treguar se është gjallë.

Pak më vonë, po atë të diel në mbrëmje, shumë dishepuj mblidhen në një dhomë. Ata i kanë kyçur dyert. Papritur, Jezui gjendet pikërisht aty në dhomë bashkë me ta! Tani e dinë se vërtet Mësuesi i Madh është përsëri gjallë. Mendo sa të lumtur janë!Mateu 28:1-15; Luka 24:1-49; Gjoni 19:38-20:21.

Për 40 ditë me radhë Jezui shfaqet me trupa të ndryshëm prej mishi, që t’u tregojë dishepujve të tij se është gjallë. Pastaj largohet nga toka dhe shkon prapë te Ati i tij në qiell. (Veprat 1:9-11) Shpejt dishepujt fillojnë t’u thonë të gjithëve se Perëndia e ringjalli Jezuin. Edhe kur priftërinjtë i rrahin dishepujt dhe bëjnë që të vriten disa prej tyre, ata vazhdojnë të predikojnë. E dinë se po të vdesin, Perëndia do t’i kujtojë ashtu siç kujtoi Birin e tij.

Për çfarë mendojnë shumë njerëz çdo vit, në kohën kur është ringjallur Jezui? Po ti për çfarë mendon?

Sa ndryshe ishin ata dishepuj të parë të Jezuit nga shumë njerëz sot! Çdo vit, në kohën kur është ringjallur Jezui, këta njerëz mendojnë vetëm për vezët e ngjyrosura të pashkës. Por Bibla s’thotë asnjë gjë për vezët e pashkës. Ajo na thotë t’i shërbejmë Perëndisë.

Ne mund të jemi si dishepujt e Jezuit, duke u thënë njerëzve se Perëndia bëri një gjë të mrekullueshme kur ringjalli Birin e tij. Nuk duhet të kemi asnjëherë frikë, edhe sikur njerëzit të thonë se do të na vrasin. Po të vdesim, Jehovai do të na kujtojë dhe do të na ringjallë, ashtu siç bëri me Jezuin.

A nuk jemi të gëzuar që dimë se Perëndia i kujton ata që i shërbejnë dhe do t’i ringjallë po të vdesin? . . . Njohuria për këto gjëra duhet të na nxitë dëshirën për të mësuar si mund ta bëjmë të lumtur Perëndinë. A e dije se ne vërtet mund ta bëjmë të lumtur Perëndinë? . . . Në kapitullin tjetër do të flasim për këtë.

Bindja se Jezui u ringjall duhet të na e forcojë shpresën dhe besimin. Të lutem, lexo Veprat 2:22-36; 4:18-20 dhe 1 Korintasve 15:3-8, 20-23.