Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 42

Pse duhet të punojmë?

Pse duhet të punojmë?

ÇFARË të pëlqen më shumë, të punosh apo të luash? . . . Në të vërtetë, nuk është e gabuar të luash. Bibla thotë që Jerusalemi ‘ishte mbushur me djem e vajza që luanin në sheshet e qytetit’.Zakaria 8:5.

Mësuesi i Madh kënaqej kur shihte fëmijët që luanin. Para se të vinte në tokë, ai tha: «Isha pranë [Perëndisë] si një kryemjeshtër . . . duke u gëzuar para tij gjithë kohës.» Meqë Jezui quhet «kryemjeshtër», kjo do të thotë se punonte me Jehovain në qiell. Kur ishte atje, ai tha: «Gjërat që kisha për zemër ishin bashkë me bijtë e njerëzve.» Po, siç e kemi mësuar më parë, Mësuesi i Madh interesohej vërtet për të gjithë, edhe për fëmijët e vegjël.Proverbat 8:30, 31.

Ç’gjë e kënaqte Mësuesin e Madh para se të vinte në tokë?

Si mendon, a luante Jezui kur ishte fëmijë? . . . Me siguri që luante. Por, meqë në qiell kishte qenë «kryemjeshtër», a punoi ai edhe kur ishte në tokë? . . . Po ja, Jezuin e quanin «biri i zdrukthëtarit». Por e quanin edhe «zdrukthëtari». Çfarë tregon kjo? . . . Tregon që Jozefi, i cili e rriti Jezuin si birin e tij, duhet t’i ketë mësuar zanatin. Prandaj edhe Jezui u bë zdrukthëtar.Mateu 13:55; Marku 6:3.

Sa i aftë ishte Jezui si zdrukthëtar? . . . Meqë në qiell ishte kryemjeshtër, si mendon, a nuk u bë mjeshtër si zdrukthëtar edhe kur ishte në tokë? . . . Mendo sa e vështirë ishte puna e zdrukthëtarit në atë kohë. Ka shumë mundësi që Jezuit t’i duhej të shkonte e të priste një pemë, pastaj ta ndante pemën në copa, t’i çonte ato në shtëpi e më pas t’i jepte formë drurit për të bërë tavolina, stola dhe gjëra të tjera.

Çfarë mendon, a i sillte kënaqësi Jezuit kjo punë? . . . Ti a do të ishe i kënaqur po të arrije të bëje tavolina dhe karrige të bukura e të forta, si dhe gjëra të tjera për njerëzit? . . . Bibla thotë se është mirë që njeriu «të gëzojë në punët e tij». Puna të jep një lloj kënaqësie që loja nuk ta jep dot.Eklisiastiu 3:22.

Në të vërtetë, puna na bën mirë edhe për mendjen, edhe për trupin. Shumë fëmijëve u pëlqen vetëm të rrinë ulur e të shohin televizor ose të luajnë me lojëra elektronike. Ata shëndoshen shumë, s’kanë shumë fuqi dhe në të vërtetë nuk janë të lumtur. As nuk i bëjnë të tjerët të lumtur. Çfarë duhet të bëjmë ne për të qenë të lumtur? . . .

kapitullin e 17-të të këtij libri mësuam se ndihemi të lumtur kur bëjmë gjëra për të tjerët dhe kur u japim atyre. (Veprat 20:35) Bibla e quan Jehovain ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) E siç lexojmë te Proverbat, Jezui ‘gëzohej para tij gjithë kohës’. Pse ishte i lumtur Jezui? . . . Ai vetë shpjegoi një nga arsyet kur tha: «Ati im ka vazhduar të punojë deri më tani dhe unë vazhdoj të punoj.»Gjoni 5:17.

Kur ishte në tokë, Jezui nuk punoi gjithë jetën si zdrukthëtar. Perëndia Jehova i kishte caktuar atij një punë të veçantë në tokë. Çfarë ishte kjo, e di? . . . Jezui tha: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Në disa raste kur Jezui u predikonte njerëzve, ata e besonin dhe ua tregonin të tjerëve gjërat që kishte thënë ai. Kështu bëri gruaja samaritane që sheh në këtë figurë.Gjoni 4:7-15, 27-30.

Cilat ishin dy llojet e punëve që bëri Jezui kur ishte në tokë?

Çfarë ndiente Jezui për këtë vepër ose punë që po bënte? A mendon se dëshironte ta bënte atë? . . . Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Sa shumë dëshiron ti të hash ushqimin që të pëlqen më tepër? . . . Kjo të ndihmon të kuptosh sa shumë e pëlqente Jezui punën që i dha Perëndia të bënte.

Perëndia na ka bërë në mënyrë të tillë që të gjejmë lumturi duke mësuar të punojmë. Ai thotë se dhurata që i ka dhënë njeriut është që ‘të gjejë kënaqësi në punën e tij të rëndë’. Prandaj, në qoftë se mëson të punosh kur je i vogël, e gjithë jeta jote do të jetë më e kënaqshme.Eklisiastiu 5:19.

Kjo nuk do të thotë se një fëmijë i vogël mund të bëjë të njëjtën punë si një i rritur, por të gjithë mund të bëjmë ndonjë lloj pune. Prindërit e tu ndoshta shkojnë çdo ditë në punë që të fitojnë para, kështu që si familje të keni ushqim për të ngrënë dhe një shtëpi ku të jetoni. Pastaj, ti e di, brenda në shtëpi dhe përreth saj ka shumë punë për të bërë, që shtëpia të jetë e rregullt dhe e pastër.

Çfarë pune mund të bësh ti për t’i sjellë dobi të gjithë familjes? . . . Mund të ndihmosh për të shtruar tryezën, për të larë pjatat, për të derdhur plehrat, për të pastruar dhomën tënde dhe për të vënë nëpër vende lodrat. Ndoshta tashmë i bën disa nga këto gjëra. Kjo punë që po bën i sjell vërtet dobi familjes.

Pse është e rëndësishme t’i vësh nëpër vende lodrat pasi ke luajtur me to?

Le të shohim bashkë pse kjo punë sjell dobi. Për shembull, lodrat duhet t’i vësh nëpër vende pasi ke luajtur me to. Si thua ti, pse është e rëndësishme kjo gjë? . . . Duke vepruar kështu, shtëpia mbahet e rregullt dhe mund të shmangen aksidentet. Në qoftë se nuk i heq lodrat nga dyshemeja, ndonjë ditë kur mamaja të vijë në shtëpi me duart e ngarkuara, mund të pengohet te ndonjëra nga lodrat. Ajo mund të bjerë dhe të vritet. Ndoshta do t’i duhet të shkojë edhe në spital. Dhe kjo do të ishte e tmerrshme, apo jo? . . . Prandaj, kur i vë nëpër vende lodrat pasi ke luajtur me to, kjo u sjell dobi të gjithëve.

Fëmijët kanë edhe punë të tjera. Për shembull, punë janë edhe detyrat e shtëpisë. Në shkollë mëson të lexosh. Disa fëmijëve u pëlqen të lexojnë, kurse të tjerëve u duket e vështirë. Edhe sikur leximi të të duket i vështirë në fillim, do të jesh i kënaqur po të mësosh të lexosh mirë. Kur di të lexosh, mund të mësosh shumë gjëra interesante. Madje do të kesh mundësi ta lexosh vetë librin e Perëndisë, Biblën. Prandaj, kur i bën mirë detyrat e shtëpisë, kjo gjë të sjell vërtet dobi, apo jo? . . .

Ka disa njerëz që nuk duan të punojnë. Ndoshta ti njeh ndonjërin që vepron kështu. Por, Perëndia na bëri që të punojmë, prandaj duhet të mësojmë se si të kënaqemi me punën që bëjmë. Sa kënaqej Mësuesi i Madh me punën e tij? . . . Për të ishte sikur të hante ushqimin që i pëlqente më shumë. Për çfarë pune po fliste ai? . . . T’u tregonte të tjerëve për Perëndinë Jehova dhe se si të merrnin jetën e përhershme.

Ka diçka që mund të na ndihmojë të kënaqemi me punën që bëjmë. Pyete veten: ‘Pse kjo punë duhet bërë patjetër?’ Kur e di pse është e rëndësishme diçka, e ke më të lehtë ta bësh. Sido që të jetë puna, e madhe ose e vogël, bëje mirë atë. Nëse vepron kështu, mund të kënaqesh nga puna e duarve të tua, ashtu siç bënte Mësuesi i Madh.

Bibla mund ta ndihmojë një njeri që të bëhet punëtor i mirë. Lexo se çfarë thotë ajo te Proverbat 10:4; 22:29; Eklisiastiu 3:12, 13 dhe Kolosianëve 3:23.