Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 13

Predikuesit e Mbretërisë paraqesin çështjen në gjyq

Predikuesit e Mbretërisë paraqesin çështjen në gjyq

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Siç paratha Jezui, populli i tij has kundërshtim ligjor për veprën e predikimit

1, 2. (a) Çfarë arritën të bënin krerët fetarë ndaj veprës së predikimit, por si vepruan apostujt? (b) Pse nuk iu bindën apostujt urdhrit për të mos predikuar?

 JEMI pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Kongregacioni i krishterë në Jerusalem është formuar nga disa javë. Patjetër, Satanai e sheh këtë si kohën e duhur për t’u hedhur në sulm. Ai dëshiron ta shkatërrojë kongregacionin para se të forcohet. Prandaj, menjëherë Satanai i manovron ngjarjet dhe udhëheqësit fetarë e ndalojnë veprën e predikimit për Mbretërinë. Megjithatë, apostujt vazhdojnë të predikojnë me guxim dhe shumë burra e gra bëhen ‘besimtarë në Zotërinë’.​—Vep. 4:18, 33; 5:14.

Apostujt gëzuan, «sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e tij»

2 Të tërbuar, kundërshtarët sulmojnë prapë​—kësaj here i burgosin të gjithë apostujt. Mirëpo, gjatë natës, engjëlli i Jehovait hap dyert e burgut dhe në agim apostujt janë sërish në predikim! I arrestojnë përsëri dhe i çojnë te krerët e popullit, që i akuzojnë se nuk iu bindën dekretit për të mos predikuar. Apostujt përgjigjen me guxim: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» Krerët e popullit janë kaq të tërbuar saqë duan ‘t’i vrasin’. Në këtë moment kritik, Gamalieli, mësuesi i vlerësuar i Ligjit, i paralajmëron krerët e popullit: «Hapni sytë. . . . Mos u përzieni me këta njerëz, por lërini rehat.» Për çudi, ata ia vënë veshin dhe i lënë apostujt të lirë. Çfarë bëjnë këta burra besnikë? Pa frikë, vazhdojnë ‘të mësojnë e të shpallin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin’.​—Vep. 5:17-21, 27-42; Prov. 21:1, 30.

3, 4. (a) Ç’metodë të suksesshme ka përdorur Satanai prej kohësh për të sulmuar popullin e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull dhe në dy kapitujt në vijim?

3 Kjo çështje gjyqësore e vitit 33 të e.s. ishte rasti i parë i kundërshtimit zyrtar ndaj kongregacionit të krishterë dhe pa dyshim jo i fundit. (Vep. 4:5-8; 16:20; 17:6, 7) Në kohën tonë, Satanai ende i nxit kundërshtarët e adhurimit të vërtetë t’i shtyjnë autoritetet ta ndalojnë veprën e predikimit. Kundërshtarët kanë ngritur lloj-lloj akuzash ndaj popullit të Perëndisë. Një nga këto është se prishim rendin publik​—jemi shkaktarë trazirash. Një tjetër se jemi kryengritës dhe një tjetër akoma se jemi shitës ambulantë. Në kohën e duhur, vëllezërit tanë kanë shkuar në gjyq për të provuar se këto akuza janë të rreme. Me ç’rezultate? Si ndikojnë sot te ti vendime gjyqësore të marra dekada më parë? Të shohim disa çështje gjyqësore për të kuptuar si kanë ndihmuar «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë».​—Filip. 1:7.

4 Në këtë kapitull do të përqendrohemi te mënyra si e kemi mbrojtur të drejtën tonë për të predikuar lirisht. Dy kapitujt në vijim do të shqyrtojnë disa nga betejat tona ligjore për të mos qenë pjesë e botës dhe për të jetuar sipas normave të Mbretërisë.

Shkaktarë trazirash apo përkrahës besnikë të Mbretërisë së Perëndisë?

5. Pse u arrestuan qindra predikues të Mbretërisë në fund të viteve 30 të shekullit të 20-të dhe ç’menduan të bënin ata që merrnin drejtimin?

5 Në fund të viteve 30 të shekullit të 20-të, qytete dhe shtete anekënd SHBA-së u orvatën t’i detyronin Dëshmitarët e Jehovait të merrnin një tip leje ligjore ose autorizim që të predikonin. Por vëllezërit nuk aplikuan për autorizim. Një autorizim mund të shfuqizohet dhe vëllezërit besonin se asnjë qeveri nuk kishte autoritetin të ndërhynte te urdhërimi i Jezuit që të krishterët të predikojnë lajmin për Mbretërinë. (Mar. 13:10) Si pasojë, qindra predikues të Mbretërisë u arrestuan. Prandaj, ata që merrnin drejtimin në organizatë menduan të shkonin në gjyq me shpresë që të provonin se shteti kishte vendosur kufizime të paligjshme mbi të drejtën e Dëshmitarëve për të praktikuar lirisht besimin. Më 1938, një ngjarje çoi në një çështje gjyqësore historike. Çfarë ndodhi?

6, 7. Çfarë i ndodhi familjes Kantuell?

6 Mëngjesin e së martës, më 26 prill 1938, Njuton Kantuelli 60-vjeçar, e shoqja, Estera, dhe djemtë e tyre Henri, Rasëlli dhe Xhesi​—e gjithë familja pionierë specialë—​u nisën për një ditë shërbimi në qytetin e Nju-Hejvënit në Kënektikat. Në fakt e dinin se mund të mos ktheheshin për ca ditë. Pse? I kishin arrestuar tashmë disa herë, ndaj e merrnin me mend se mund t’i arrestonin prapë. Gjithsesi, kjo nuk e zbehu dëshirën e Kantuellëve që të predikonin lajmin për Mbretërinë. Shkuan në Nju-Hejvën me dy makina. Njutoni ngiste makinën e familjes plot me literaturë biblike dhe gramafona portativë, kurse Henri 22-vjeçar i jepte makinës me altoparlant. Siç e pritnin, brenda pak orësh i ndaloi policia.

7 Të parin arrestuan Rasëllin 18-vjeçar e pastaj Njutonin dhe Esterën. Xhesi, 16 vjeç, pa nga larg kur policia ia arrestoi prindërit dhe vëllanë. Henri po predikonte në një zonë tjetër të qytetit kështu që Xhesi mbeti vetëm. Prapëseprapë mori gramafonin dhe vazhdoi predikimin. Dy katolikë e lejuan të vinte incizimin e fjalimit të vëlla Radhërfordit me titull «Armiqtë». Por, ndërsa dëgjonin fjalimin, burrat u nxehën kaq shumë, saqë donin ta qëllonin. Me gjakftohtësi, Xhesi u largua, ama ca hapa më tutje e arrestoi një polic. Policia nuk e paditi motër Kantuellin, kurse vëlla Kantuellin dhe djemtë e tij po. Sidoqoftë i liruan brenda ditës kundrejt një garancie në para.

8. Pse gjykata e shpalli fajtor si shkaktar trazirash Xhesi Kantuellin?

8 Pak muaj më vonë, në shtator 1938, familja Kantuell u paraqit në gjykatën e shkallës së parë të Nju-Hejvënit. Njutonin, Rasëllin dhe Xhesin i shpallën fajtorë se mblidhnin para pa autorizim. Ndonëse apeluan në Gjykatën e Lartë të Kënektikatit, Xhesin e shpallën fajtor për prishje të rendit dhe të qetësisë publike​—pra ishte shkaktar trazirash. Pse? Sepse dy katolikët që kishin dëgjuar incizimin, dëshmuan në gjyq se fjalimi u kishte fyer besimin dhe i provokoi. Për të hedhur poshtë vendimin e gjykatës, vëllezërit përgjegjës në organizatë iu apeluan Gjykatës së Lartë të SHBA-së​—gjykata më e lartë në vend.

9, 10. (a) Çfarë vendosi Gjykata e Lartë e SHBA-së për rastin e familjes Kantuell? (b) Si nxjerrim ende dobi nga ky vendim?

9 Që nga 29 marsi 1940, kreygjykatësi Çarls E. Hjuz dhe tetë gjykatës të tjerë dëgjuan argumentet që paraqiti vëlla Hejdën Kavintëni, avokat i Dëshmitarëve të Jehovait. a Kur prokurori i Kënektikatit paraqiti argumentet që të provonte se Dëshmitarët ishin shkaktarë trazirash, një gjykatës e pyeti: «A nuk është e vërtetë se mesazhi që shpalli Jezu Krishti s’u prit mirë në ditët e tij?» Prokurori iu përgjigj: «Vërtet, dhe nëse e kujtoj mirë, Bibla thotë edhe se çfarë i ndodhi Jezuit ngaqë shpalli atë mesazh.» Ç’pohim kuptimplotë! Pa e kuptuar, prokurori i grupoi Dëshmitarët me Jezuin dhe shtetin me ata që e dënuan atë. Më 20 maj 1940, gjykata vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve.

Hejdën Kavintëni (para, në qendër), Glen Haui (majtas) dhe të tjerë duke u larguar nga gjykata pas një fitoreje ligjore

10 Sa i rëndësishëm ishte vendimi i gjykatës? Falë tij, mbrohej edhe më shumë e drejta për të ushtruar lirisht besimin dhe asnjë pushtet federal, shtetëror dhe lokal nuk e kufizonte dot me ligj lirinë fetare. Për më tepër, sipas gjykatës, sjellja e Xhesit nuk përbënte «asnjë . . . kërcënim ndaj rendit dhe qetësisë publike». Ndaj, ky vendim e bëri të qartë se Dëshmitarët e Jehovait nuk e prishin rendin publik. Ç’fitore ligjore vendimtare për shërbëtorët e Zotit! Si nxjerrim ende dobi prej saj? Një avokat Dëshmitar thotë: «E drejta për ta ushtruar lirisht besimin pa frikën e kufizimeve të padrejta, na lejon sot si Dëshmitarë t’ua japim lajmin e shpresës të tjerëve në komunitetet ku jetojmë.»

Kryengritës apo lajmëtarë të së vërtetës?

Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut për Perëndinë, për Krishtin dhe për lirinë është turpi i gjithë Kanadasë

11. Ç’fushatë bënë vëllezërit në Kanada dhe pse?

11 Gjatë viteve 40 të shekullit të 20-të, Dëshmitarët e Jehovait në Kanada hasën kundërshtim të egër. Ndaj, më 1946, për t’u treguar njerëzve se shteti po u hiqte të drejtën për të adhuruar lirisht, vëllezërit mbajtën një fushatë 16-ditore ku shpërndanë fletushkën Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut për Perëndinë, për Krishtin dhe për lirinë është turpi i gjithë Kanadasë (angl.). Kjo fletushkë katërfaqëshe tregonte me detaje trazirat e nxitura nga kleri, mizorinë e policisë dhe dhunën e turmave kundër vëllezërve tanë në provincën e Kuebekut. Fletushka thoshte: «Vazhdojnë arrestimet e paligjshme ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Ka rreth 800 akuza të arkivuara kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Monrealin e Madh.»

12. (a) Si iu kundërpërgjigjën kundërshtarët fushatës me fletushkën? (b) Për cilin krim u akuzuan vëllezërit? (Shih edhe shënimin.)

12 Kryeministri i Kuebekut, Moris Dyplesi, i cili punonte krah për krah me kardinalin katolik Vilnëvë, reagoi ndaj fletushkës duke shpallur «luftë pa mëshirë» kundër Dëshmitarëve. Numri i padive shpejt u dyfishua nga 800 në 1.600. Një pioniere tha: «Policia na arrestoi kaq shpesh, sa s’numëroheshin.» Dëshmitarët që i kapën duke shpërndarë fletushkën, i akuzuan për krimin e shpërndarjes së «botimeve që nxitin kryengritje». b

13. Kush ishin të parët që u akuzuan për kryengritje dhe çfarë vendosi gjykata?

13 Në vitin 1947, vëllai Emé Bushe me të bijat, Zhizelën 18-vjeçare dhe Lusilën 11-vjeçare, ishin të parët që i akuzuan në gjyq për kryengritje. Ata kishin shpërndarë pranë fermës së tyre, në kodrat në jug të qytetit të Kuebekut, fletushkën Urrejtja e zjarrtë e Kuebekut, por vështirë t’i imagjinoje si shkaktarë trazirash. Vëllai Bushe ishte njeri i përulur e i butë, që kujdesej për fermën e tij të vogël dhe me raste shkonte në qytet me kalë e kaloshinë. Gjithsesi, familja e tij kishte duruar pikërisht disa nga keqtrajtimet e përmendura në fletushkë. Gjykatësi i shkallës së parë, i cili i urrente Dëshmitarët, nuk i pranoi dëshmitë që provonin pafajësinë e familjes Bushe. Përkundrazi, pranoi akuzën e prokurorisë se fletushka kishte ngjallur armiqësi dhe si pasojë familja Bushe duhej të shpallej fajtore. Pra pikëpamja e gjykatësit në thelb ishte: është krim të thuash të vërtetën. Eméu dhe Zhizela u shpallën fajtorë se shpërndanin botime që nxitnin kryengritje, madje edhe Lusila e vogël kaloi dy ditë pas hekurave të burgut. Vëllezërit apeluan në Gjykatën e Lartë të Kanadasë, gjykata më e lartë e vendit, e cila pranoi ta shqyrtonte çështjen.

14. Si reaguan vëllezërit në Kuebek gjatë viteve të kundërshtimit?

14 Ndërkohë, vëllezërit e motrat tona të guximshme në Kuebek vazhduan ta predikonin lajmin për Mbretërinë përballë sulmeve të pareshtura e të dhunshme​—shpesh me rezultate të jashtëzakonshme. Katër vjet pasi kishte filluar fushata me fletushkën në vitin 1946, numri i Dëshmitarëve në Kuebek ishte rritur nga 300 në 1.000! c

15, 16. (a) Çfarë vendosi Gjykata e Lartë e Kanadasë për rastin e familjes Bushe? (b) Çfarë ndikimi pati kjo fitore te vëllezërit tanë dhe te të tjerët?

15 Në qershor të vitit 1950, Gjykata e Lartë e Kanadasë me nëntë gjyqtarët e saj shqyrtoi çështjen e Emé Bushesë. Gjashtë muaj më vonë, më 18 dhjetor 1950, vendosi në favorin tonë. Pse? Vëlla Glen Haui, avokat i Dëshmitarëve, shpjegoi se gjykata pranoi argumentet e paraqitura nga pala mbrojtëse se «kryengritja» nënkupton nxitje dhune ose revolte kundër qeverisë. Por fletushka «nuk përmbante nxitje të tilla e prandaj ishte një formë e ligjshme e lirisë së fjalës». Vëlla Haui shtoi: «E pashë me sytë e mi si na e dha Jehovai fitoren.» d

16 Vendimi i Gjykatës së Lartë ishte vërtet fitore ushtuese për Mbretërinë e Perëndisë. Ai hoqi bazën për shqyrtimin e 122 çështjeve pezull, ku Dëshmitarët në Kuebek ishin akuzuar se shpërndanin botime që nxitnin kryengritje. Për më tepër, vendimi i gjykatës nënkuptonte se qytetarët e Kanadasë dhe të Komonuelthit tani kishin lirinë t’i shprehnin shqetësimet për mënyrën e qeverisjes. Përveç kësaj, kjo fitore i dha dërrmën sulmit të kishës dhe të qeverisë së Kuebekut ndaj lirive të Dëshmitarëve të Jehovait. e

Shitës ambulantë apo lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë së Perëndisë?

17. Si përpiqen disa qeveri të kontrollojnë veprimtaritë tona të predikimit?

17 Ashtu si të krishterët e hershëm, shërbëtorët e Jehovait sot ‘nuk janë shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë’. (Lexo 2 Korintasve 2:17.) Megjithatë, disa qeveri përpiqen t’i kontrollojnë veprimtaritë tona të shërbimit me anë të ligjeve të tregtisë. Le të shohim dy nga rastet gjyqësore që vendosën për çështjen nëse Dëshmitarët e Jehovait janë shitës ambulantë apo shërbëtorë fetarë.

18, 19. Si u përpoqën autoritetet në Danimarkë ta kufizonin veprën e predikimit?

18 Danimarkë. Më 1 tetor 1932, hyri në fuqi një ligj që nuk lejonte shitjen e botimeve pa autorizimin si shitës ambulant. Por vëllezërit nuk aplikuan për autorizim. Ditën tjetër, pesë lajmëtarë predikuan gjithë ditën në Reskile, qytet mbi 30 km në perëndim të Kopenhagës, kryeqytetit. Në fund të ditës, mungonte njëri nga lajmëtarët, August Lejmani, që e kishin arrestuar se shiste mallra pa pasur autorizim.

19 Më 19 dhjetor 1932, August Lejmani doli para gjyqit. Ai dëshmoi se kishte shkuar në shtëpitë e njerëzve për të ofruar literaturë biblike, por mohoi se kishte shitur. Gjykata e shkallës së parë ra dakord me të dhe pohoi: «I pandehuri . . . e mbështet veten financiarisht dhe nuk ka nxjerrë asnjë përfitim ekonomik e s’kishte qëllime të tilla, madje veprimtaritë e tij i kanë shkaktuar humbje financiare.» Gjykata i përkrahu Dëshmitarët dhe vendosi se veprimtaria e Lejmanit nuk mund «të quhet tregti». Sidoqoftë, kundërshtarët e popullit të Perëndisë ishin të vendosur ta kufizonin veprën e predikimit në mbarë vendin. (Psal. 94:20) Prokurori e apeloi çështjen deri në Gjykatën e Lartë të vendit. Si reaguan vëllezërit?

20. Çfarë vendosi Gjykata e Lartë e Danimarkës dhe si reaguan vëllezërit?

20 Javën kur Gjykata e Lartë do të shqyrtonte çështjen, Dëshmitarë anekënd Danimarkës iu përveshën predikimit. Të martën më 3 tetor 1933, Gjykata e Lartë shpalli vendimin. Ashtu si gjykata e shkallës së parë, ajo pranoi se August Lejmani nuk e kishte thyer ligjin. Ky vendim do të thoshte se Dëshmitarët mund të vazhdonin lirisht predikimin. Mirënjohës ndaj Jehovait për fitoren ligjore, vëllezërit e motrat e shtuan edhe më tepër predikimin. Që nga vendimi i gjykatës, vëllezërit tanë në Danimarkë e kanë vazhduar shërbimin pa ndërhyrjen e qeverisë.

Dëshmitarë të guximshëm në Danimarkë, në vitet 30 të shekullit të 20-të

21, 22. Cili ishte vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së në rastin e vëllait Mardok?

21 Shtetet e Bashkuara. Të dielën, më 25 shkurt 1940, pionierin Robert Mardok i Riu dhe shtatë Dëshmitarë të tjerë i arrestuan ndërsa predikonin në Zhanetë, qytet afër Pitsburgut në shtetin e Pensilvanisë. Ata i shpallën fajtorë se nuk kishin autorizimin për të ofruar literaturë. Kur apeluan, Gjykata e Lartë e SHBA-së pranoi ta shqyrtonte çështjen.

22 Më 3 maj 1943, Gjykata e Lartë shpalli vendimin në favor të Dëshmitarëve. Gjykata kundërshtoi kërkesën për autorizim, sepse detyrimi që vendoste, «kufizonte një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta Federale». Gjykata e anuloi urdhrin e qytetit, ngaqë «cenonte lirinë e shtypit dhe kufizonte ushtrimin e lirisë së besimit». Kur shpalli opinionin e shumicës, gjykatësi Uilliam O. Dagllas tha se aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait «është më tepër se predikim a shpërndarje e literaturës fetare. Është gërshetim i të dyjave». Ai shtoi: «Kjo formë e aktivitetit fetar është po aq e nderuar . . . sa adhurimi në kisha dhe predikimi nga katedrat.»

23. Pse janë të rëndësishme për ne sot fitoret gjyqësore të vitit 1943?

23 Ky vendim i Gjykatës së Lartë ishte fitore e madhe ligjore e popullit të Perëndisë. Ai konfirmoi atë që jemi vërtet, shërbëtorë të krishterë, jo shitës ambulantë. Atë ditë të paharrueshme të vitit 1943, Dëshmitarët e Jehovait fituan 12 nga 13 çështjet që kishin në Gjykatën e Lartë, përfshirë çështjen Mardok. Këto vendime gjyqësore kanë shërbyer si precedent i fuqishëm në çështjet e fundit gjyqësore, ku kundërshtarët sërish kanë sfiduar të drejtën tonë për të predikuar lajmin e Mbretërisë publikisht dhe shtëpi më shtëpi.

«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»

24. Si veprojmë kur një qeveri ndalon veprën e predikimit?

24 Si shërbëtorë të Jehovait, e çmojmë tej mase kur qeveria na jep të drejtën ligjore të predikojmë lirisht lajmin për Mbretërinë. Por, nëse një qeveri ndalon veprën e predikimit, thjesht i përshtatim metodat dhe e vazhdojmë veprën në çdo mënyrë të mundshme. Si apostujt, «ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve». (Vep. 5:29; Mat. 28:19, 20) Njëkohësisht, u apelojmë gjykatave që të heqin ndalimin ndaj veprimtarive tona. Të shohim dy shembuj.

25, 26. Çfarë ngjarjesh në Nikaragua ngritën një çështje në Gjykatën e Lartë dhe me cilin rezultat?

25 Nikaragua. Më 19 nëntor 1952, misionari dhe shërbëtori i degës Donovan Mansterman shkoi në zyrën e emigracionit të Managuas, në kryeqytet. Ishte urdhëruar të paraqitej te kapiteni Arnoldo Garsia, kryetari i kësaj zyre. Kapiteni i tha Donovanit se të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në Nikaragua «nuk lejoheshin më t’i predikonin doktrinat dhe t’i zgjeronin aktivitetet e tyre fetare». Kur e pyeti pse, kapiteni Garsia shpjegoi se Dëshmitarët nuk kishin leje nga ministri i brendshëm të kryenin shërbimin e tyre dhe se i akuzonin që ishin komunistë. Kush i akuzonte? Kleri katolik.

Vëllezërit në Nikaragua, gjatë ndalimit

26 Vëlla Manstermani i apeloi menjëherë Ministrisë së Brendshme dhe të Fesë, si edhe presidentit Anastasio Somosa-Garsia, por më kot. Ndaj vëllezërit i përshtatën metodat. Mbyllën Sallën e Mbretërisë, mblidheshin në grupe të vogla dhe nuk jepnin më dëshmi në rrugë, por ende e predikonin lajmin për Mbretërinë. Në të njëjtën kohë, i dërguan Gjykatës së Lartë të Nikaraguas një peticion ku i kërkonin të nxirrte një urdhër që e hiqte ndalimin. Gazetat e publikuan gjerësisht ndalimin dhe përmbajtjen e peticionit, dhe Gjykata e Lartë pranoi ta shqyrtonte çështjen. Me ç’rezultat? Më 19 qershor 1953, Gjykata e Lartë shpalli unanimisht vendimin në favor të Dëshmitarëve. Gjykata tha se ndalimi dhunonte të drejtat kushtetuese të lirisë së fjalës, të ndërgjegjes dhe të shprehjes së besimit. Po ashtu urdhëroi që të rivendoseshin marrëdhëniet e mëparshme mes qeverisë së Nikaraguas dhe Dëshmitarëve.

27. Pse u habitën banorët e Nikaraguas nga vendimi i gjykatës dhe si e panë këtë fitore vëllezërit?

27 Banorët e Nikaraguas u habitën që Gjykata e Lartë përkrahu Dëshmitarët. Deri në atë kohë, kleri kishte pasur aq shumë ndikim, saqë gjykata i shmangte konfliktet me të. Gjithashtu, qeveritarët kishin pushtet kaq të madh, saqë gjykata rrallëherë u dilte kundër. Vëllezërit tanë ishin të sigurt se fituan ngaqë i kishte mbrojtur Mbreti i tyre dhe se kishin vazhduar të predikonin.—Vep. 1:8.

28, 29. Ç’ndryshim i papritur ndodhi në Zaire në mes të viteve 80?

28 Zaire. Në mes të viteve 80, kishte rreth 35.000 Dëshmitarë në Zaire, sot Republika Demokratike e Kongos. Që të përballonte rritjen e vazhdueshme të aktiviteteve të Mbretërisë, dega po ndërtonte godina të reja. Në dhjetor të 1985-s, në Kinshasë, kryeqyteti, u mbajt një kongres ndërkombëtar dhe 32.000 delegatë nga shumë vende të botës mbushën stadiumin. Por më pas, gjërat filluan të ndryshonin për shërbëtorët e Jehovait. Ç’ngjau?

29 Vëllai Marsel Filto, misionar nga Kuebeku i Kanadasë, i cili kishte përjetuar përndjekjen e regjimit të Dyplesisë, në atë kohë shërbente në Zaire. Ai tregoi: «Më 12 mars 1986, vëllezërit përgjegjës morën një letër që e shpallte të paligjshme shoqatën e Dëshmitarëve të Jehovait në Zaire.» Ky ndalim kishte firmën e presidentit të vendit Mobutu Sese Seko.

30. Cilin vendim të rëndësishëm duhej të merrte Komiteti i Degës dhe çfarë vendosi?

30 Ditën tjetër, radioja kombëtare njoftoi: «Tani s’do të dëgjojmë më kurrë për Dëshmitarët e Jehovait në [Zaire].» Menjëherë filloi përndjekja. Sallat e Mbretërisë i shkatërruan dhe vëllezërit i plaçkitën, i arrestuan, i burgosën dhe i rrahën. Edhe fëmijët Dëshmitarë i futën në burg. Më 12 tetor 1988, qeveria sekuestroi zotërimet e organizatës dhe garda civile, njësi ushtarake, mori nën kontroll pronën e degës. Vëllezërit përgjegjës iu apeluan presidentit Mobutu, por nuk morën përgjigje. Prandaj, Komiteti i Degës duhej të merrte një vendim të rëndësishëm: të apelonin në Gjykatën e Lartë apo të prisnin. Timëthi Holmsi, misionar dhe koordinatori i Komitetit të Degës në atë kohë, kujton: «Iu drejtuam Jehovait për mençuri dhe drejtim.» Pasi e shqyrtoi në lutje, komiteti mendoi se nuk ishte koha të ndërmerrte veprime ligjore. Në vend të kësaj u përqendrua te kujdesi për vëllazërinë dhe te mënyrat e reja për të vazhduar predikimin.

«Gjatë kohës së procesit gjyqësor, pamë si mund t’i ndryshojë Jehovai gjërat»

31, 32. Ç’vendim të jashtëzakonshëm mori Gjykata e Lartë e Zairesë dhe si ndikoi kjo te vëllezërit?

31 Kaluan disa vjet. Dëshmitarëve u bënin më pak presion dhe të drejtat e njeriut respektoheshin më shumë në vend. Komiteti i Degës arriti në përfundimin se kishte ardhur momenti të apelonin në Gjykatën e Lartë të Zairesë për të hequr ndalimin. Për çudi, Gjykata e Lartë pranoi ta shqyrtonte çështjen. Pastaj, më 8 janar 1993, gati shtatë vjet pas urdhrit të ndalimit, gjykata vendosi se veprimet e qeverisë kundër Dëshmitarëve kishin qenë të paligjshme dhe ndalimi u hoq. Mendo çdo të thoshte kjo! Gjykatësit rrezikuan kokën kur e anuluan vendimin e presidentit të vendit! Vëlla Holmsi thotë: «Gjatë kohës së procesit gjyqësor, pamë si mund t’i ndryshojë Jehovai gjërat.» (Dan. 2:21) Kjo fitore ua forcoi besimin vëllezërve. Ata e kuptuan se Mbreti, Jezui, e kishte drejtuar popullin e tij të dallonte kur dhe si të vepronte.

Dëshmitarët në Republikën Demokratike të Kongos gëzojnë se e adhurojnë Jehovain lirisht

32 Me heqjen e ndalimit, në vend mund të vinin misionarë, zyra e degës mund të ndërtonte godina të reja dhe të importonte literaturë biblike. f Ç’gëzim është për shërbëtorët e Perëndisë anembanë botës të shohin si e mbron Jehovai mirëqenien frymore të popullit të tij!​—Isa. 52:10.

«Jehovai është ai që më ndihmon»

33. Ç’mësojmë nga kjo përmbledhje e shkurtër e disa çështjeve gjyqësore?

33 Kjo përmbledhje e disa betejave ligjore tregon se Jezui e ka mbajtur premtimin: «Do t’ju jap gojë dhe mençuri, aq sa gjithë kundërshtarët tuaj së bashku nuk do të jenë në gjendje të kundërvihen ose të kundërpërgjigjen.» (Lexo Lukën 21:12-15.) Me raste, Jehovai ka nxitur Gamalielë të ditëve tona të mbrojnë popullin e tij ose ka shtyrë gjyqtarë dhe avokatë të guximshëm të marrin anën e drejtësisë. Jehovai i ka bërë të pafuqishme armët e kundërshtarëve tanë. (Lexo Isainë 54:17.) Kundërshtimi nuk e ndal dot veprën e Zotit!

34. Pse janë kaq të jashtëzakonshme fitoret tona ligjore dhe çfarë tregojnë? (Shih edhe kutinë « Fitore historike në gjykatat e larta që çuan para predikimin për Mbretërinë».)

34 Pse janë kaq të jashtëzakonshme fitoret tona ligjore? Mendo: Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të shquar a me influencë. Nuk votojnë, nuk mbështetin fushatat politike ose politikanët. Për më tepër, Dëshmitarët që paraqiten në gjykatat e larta në përgjithësi konsiderohen «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) Pra, nga pikëpamja njerëzore, gjykatat s’kanë interes të na mbështetin dhe të dalin kundër politikanëve e fetarëve që na kundërshtojnë fuqishëm. Gjithsesi, gjykatat kanë vendosur vazhdimisht në favorin tonë. Fitoret tona ligjore tregojnë se ecim «nën shikimin e Perëndisë, bashkë me Krishtin». (2 Kor. 2:17) Kështu, si apostulli Pavël, themi: «Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë.»​—Hebr. 13:6.

a Kjo çështje, Kantuell kundër Shtetit të Kënektikatit, ishte e para nga 43 çështjet që vëlla Hejdën Kavintëni trajtoi para Gjykatës së Lartë të SHBA-së për të mbrojtur vëllezërit. Ai vdiq më 1978. E veja e tij, Dorotia shërbeu me besnikëri deri në fund të jetës, në moshën 92-vjeçare, në vitin 2015.

b Akuza bazohej në një ligj të vitit 1606. Ligji lejonte që një juri ta shpallte fajtor dikë nëse mendonte se ajo që thoshte personi nxiste armiqësi​—edhe nëse çka thoshte ishte e vërtetë.

c Në vitin 1950, në Kuebek shërbenin 164 shërbëtorë në kohë të plotë, ku përfshiheshin 63 të diplomuar të Galaadit që e kishin pranuar me dëshirë caktimin, pavarësisht kundërshtimit të egër që i priste.

d Vëlla U. Glen Haui ishte avokat i guximshëm, i cili luftoi me mjeshtëri qindra beteja ligjore për Dëshmitarët e Jehovait në Kanada e në vende të tjera, nga viti 1943 deri më 2003.

e Për më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje, shih artikullin «Beteja nuk është juaja, por e Perëndisë», në revistën Zgjohuni!, maj 2000, faqet 18-24.

f Edhe pse garda civile e boshatisi pronën e degës, godina të reja dege u ndërtuan në një zonë tjetër.