Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 12

Mençuri hyjnore për jetën

Mençuri hyjnore për jetën

Libri i Proverbave është një përmbledhje këshillash të frymëzuara, shkruar kryesisht nga Solomoni, që siguron udhëheqje për jetën e përditshme

A ËSHTË Sundimtar i mençur Jehovai? Një mënyrë kryesore për të marrë përgjigjen, është të shqyrtojmë këshillat që jep ai. A janë praktike? A ta përmirëson jetën zbatimi i tyre dhe a e bën më domethënëse? Mbreti i mençur Solomon shkroi me qindra proverba ose fjalë të urta, të cilat prekin pothuajse çdo fushë të jetës. Shqyrto disa shembuj.

Të kemi besim te Perëndia. Besimi është thelbësor për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Solomoni shkroi: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Kur i besojmë Perëndisë duke i kërkuar drejtim e duke iu bindur, jeta jonë merr shumë kuptim. Duke vepruar kështu, njerëzit ia gëzojnë zemrën Perëndisë dhe i japin një përgjigje për çështjet që ka ngritur kundërshtari i tij, Satanai.—Proverbat 27:11.

Të veprojmë me mençuri me të tjerët. Këshillat e Perëndisë për burrat, gratë dhe fëmijët sot janë më aktuale se kurrë. «Gëzo me gruan e rinisë sate»,—i këshillon Perëndia burrat, duke i udhëzuar që t’u qëndrojnë besnikë grave të tyre. (Proverbat 5:18-20) Gratë e martuara gjejnë në librin e Proverbave një përshkrim të ngrohtë për një grua të aftë, që fiton admirimin e të shoqit dhe të fëmijëve. (Proverbat, kapitulli 31) Edhe fëmijët gjejnë udhëzime që t’u binden prindërve. (Proverbat 6:20) Gjithashtu, ky libër tregon se miqësitë janë jetësore, pasi veçimi e bën egoist njeriun. (Proverbat 18:1) Miqtë mund të ndikojnë për mirë ose për keq te ne, prandaj duhet t’i zgjedhim me mençuri.—Proverbat 13:20; 17:17.

Të kujdesemi për veten me mençuri. Libri i Proverbave ka këshilla të vlefshme që na ndihmojnë të shmangim abuzimin me alkoolin, të zhvillojmë ndjenja të shëndetshme e të shmangim ato që janë shkatërruese, dhe të jemi punëtorë të palodhur. (Proverbat 6:6; 14:30; 20:1) Na paralajmëron se besimi te gjykimi njerëzor pa pasur parasysh këshillat e Perëndisë, të çon në rrënim. (Proverbat 14:12) Na nxit të mbrojmë zemrën nga ndikimet korruptuese, duke na kujtuar se «prej saj [zemrës] dalin burimet e jetës».—Proverbat 4:23.

Miliona njerëz në mbarë botën kanë provuar se jeta e tyre është përmirësuar ngaqë kanë zbatuar këto këshilla. Rrjedhimisht, kanë arsye të fortë për ta pranuar Jehovain si Sundimtarin e tyre.

—Bazuar në librin e Proverbave.