Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 2

E humbin Parajsën

E humbin Parajsën

Një engjëll rebel i shtyn burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, të hedhin poshtë sundimin e Perëndisë. Si pasojë, në botë hyjnë mëkati dhe vdekja

KOHË para se të krijonte njerëzit, Perëndia krijoi shumë krijesa të padukshme që quhen engjëj. Në Eden, një engjëll rebel që më vonë u njoh si Satana Djalli (i njohur edhe si El Shejtan Iblis), me dinakëri u orvat të tundonte Evën që të hante frytin e së vetmes pemë që Perëndia ua kishte ndaluar.

Duke i vënë fjalët në gojën e një gjarpri, Satanai la të kuptohej se Perëndia po u mbante diçka të dëshirueshme Evës dhe të shoqit. Ai engjëll i lig i tha se ajo dhe burri i saj nuk do të vdisnin po të hanin frytin e ndaluar. Kështu Satanai e akuzoi Perëndinë se po i gënjente fëmijët e Tij njerëzorë. Mosbindjen ndaj Perëndisë, Mashtruesi ia paraqiti si diçka tërheqëse, që do t’u sillte ndriçim dhe liri. Por ishte e gjitha një gënjeshtër, madje gënjeshtra e parë në botë. Realisht, çështja lidhej me sovranitetin e Perëndisë ose sundimin e tij suprem, domethënë nëse ka të drejtën të sundojë dhe nëse e ushtron sundimin me drejtësi e në të mirën e nënshtetasve të tij.

Eva e besoi gënjeshtrën e Satanait. Filloi ta dëshironte frytin dhe hëngri prej tij. Më pas, i dha edhe të shoqit e hëngri edhe ai. Kështu u bënë mëkatarë. Ky veprim në dukje i thjeshtë, në të vërtetë ishte një akt rebelimi. Duke zgjedhur me vullnet të lirë të mos i bindeshin urdhrit të Perëndisë, Adami dhe Eva hodhën poshtë sundimin e Krijuesit që u kishte dhënë gjithçka, përfshirë edhe jetën e përsosur.

Fara «do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër».Zanafilla 3:15

Perëndia u kërkoi llogari rebelëve për veprimet e tyre. Ai paratha ardhjen e Farës ose Çlirimtarit të premtuar, që do ta shkatërronte Satanain, të përfaqësuar nga gjarpri. Perëndia e shtyu për pak kohë ekzekutimin e dënimit me vdekje për Adamin dhe Evën, duke treguar mëshirë për fëmijët që ende s’u kishin lindur. Ata fëmijë do të kishin një bazë për të shpresuar, pasi Ai që do të dërgonte Perëndia, do të zhbënte pasojat tragjike që erdhën nga rebelimi në Eden. Gradualisht, ndërsa shkruheshin librat e Biblës, u zbulua se si do të përmbushej qëllimi i Perëndisë për këtë Shpëtimtar të ardhshëm dhe kush do të ishte ai.

Perëndia i nxori nga Parajsa Adamin dhe Evën. Jashtë kopshtit të Edenit, do t’u duhej ta nxirrnin bukën e gojës me mund e djersë. Më pas Eva mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin (Kabilin), fëmijën e parë të saj dhe të Adamit. Ata patën edhe bij e bija të tjerë, ndër të cilët Abelin (Habilin) dhe Setin, stërgjyshin e Noesë (Nuhut).

—Bazuar te Zanafilla, kapitujt 3 deri në 5; Zbulesa 12:9.