Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 9

Izraelitët kërkojnë një mbret

Izraelitët kërkojnë një mbret

Mbreti i parë i Izraelit, Sauli, nuk tregohet i bindur. Vendin e tij e zë Davidi, me të cilin Perëndia bën një besëlidhje për një mbretëri të përhershme

PAS kohës së Samsonit, si profet e gjykatës në Izrael shërbeu Samueli. Izraelitët i thoshin pareshtur se donin të ishin si kombet e tjera e të kishin një mbret njerëzor. Ndonëse kjo kërkesë e fyente Jehovain, ai e udhëzoi Samuelin t’ua plotësonte. Perëndia zgjodhi si mbret një njeri të përulur, Saulin (i njohur edhe si Talut). Por, me kalimin e kohës mbreti Saul u bë fodull e i pabindur. Jehovai e hodhi poshtë si mbret dhe i tha Samuelit të caktonte një tjetër në vend të tij, një djalosh me emrin David (Davud). Gjithsesi, do të kalonin vite para se ai të bëhej mbret.

Davidi ndoshta ishte ende adoleshent kur shkoi të takonte vëllezërit që shërbenin në ushtrinë e Saulit. E gjithë ushtria ishte e tmerruar për shkak të një ushtari të vetëm armik, një gjiganti me emrin Goliad (Xhalut), i cili vazhdimisht tallej me ta e me Perëndinë e tyre. I indinjuar, Davidi pranoi sfidën e gjigantit që të dilte në duel me të. I armatosur vetëm me një hobe dhe disa gurë, i riu doli përballë kundërshtarit të tij, që ishte pothuajse 3 metra i gjatë. Kur gjiganti Goliad e talli, Davidi iu përgjigj se ishte më i armatosur, pasi luftonte në emër të Perëndisë Jehova. E rrëzoi Goliadin me një gur të vetëm, pastaj i preu kokën me shpatën e vetë gjigantit. Ushtria filistine ia mbathi e tmerruar.

Fillimisht Saulit i bëri përshtypje guximi i Davidit dhe e vuri në krye të ushtrisë së tij. Por, sukseset që korrte Davidi ndezën xhelozinë e hidhur të Saulit. Davidit iu desh t’ia mbathte për të shpëtuar dhe të jetonte si i arratisur për vite të tëra. Gjithsesi, i qëndroi besnik mbretit që po orvatej ta vriste, duke arsyetuar se e kishte emëruar Perëndia Jehova. Në fund, Sauli vdiq në betejë. S’kaloi shumë dhe Davidi u bë mbret, siç i kishte premtuar Jehovai.

«Unë do ta bëj të patundur fronin e mbretërisë së tij përgjithnjë.»—2 Samuelit 7:13

Si mbret, ai donte me gjithë zemër t’i ndërtonte një tempull Jehovait. Por Jehovai i tha se këtë do ta bënte një nga pasardhësit e tij. Ky ishte Solomoni (Sulejmani), i biri i Davidit. Megjithatë, Perëndia e shpërbleu Davidin duke bërë me të një besëlidhje drithëruese: nga linja e tij gjenealogjike do të vinte një dinasti mbretërish ndryshe nga çdo dinasti tjetër. Në fund, prej saj do të vinte Fara ose Çlirimtari i premtuar në Eden. Ky do të ishte Mesia, që do të thotë «i Mirosuri», i emëruar nga Perëndia. Jehovai i premtoi se Mesia do të ishte Mbreti i një qeverie ose Mbretërie që do të zgjaste përgjithmonë.

Me mirënjohje të thellë, Davidi mblodhi sasi të mëdha materialesh ndërtimi dhe metalesh të çmuara për projektin e tempullit. Gjithashtu, kompozoi shumë psalme të frymëzuara. Aty nga fundi i jetës, Davidi pranoi: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.»—2 Samuelit 23:2.

Bazuar te 1 Samuelit; 2 Samuelit; 1 Kronikave; Isaia 9:7; Mateu 21:9; Luka 1:32; Gjoni 7:42.