Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 10

Solomoni mbretëron me mençuri

Solomoni mbretëron me mençuri

Jehovai i jep mbretit Solomon një zemër të mençur; gjatë mbretërimit të Solomonit, izraelitët gëzojnë një paqe e begati të paparë

SI DO të ishte jeta sikur një komb i tërë dhe mbreti i tij t’i bindeshin Jehovait si Sovran e t’u bindeshin ligjeve të Tij? Përgjigjen e ilustroi mbretërimi 40-vjeçar i Solomonit.

Para se të vdiste, Davidi caktoi si pasardhës në fron djalin e tij, Solomonin. Në një ëndërr, Perëndia e ftoi Solomonin t’i bënte një kërkesë. Solomoni i kërkoi mençuri e njohuri që ta gjykonte drejt e me urtësi popullin. Jehovai u kënaq nga kjo dhe i dha Solomonit një zemër të mençur e me kuptueshmëri. Gjithashtu, i premtoi pasuri, lavdi dhe një jetë të gjatë, po të vazhdonte të bindej.

Solomoni u bë i famshëm për gjykimet e mençura që jepte. Në një rast, dy gra po ziheshin për një foshnjë dhe secila pretendonte se ishte e ëma. Solomoni urdhëroi që foshnjën ta ndanin më dysh e t’i jepnin nga një gjysmë secilës. Njëra nga gratë pranoi, kurse nëna e vërtetë menjëherë u lut që t’ia jepnin foshnjën gruas tjetër. Tani Solomoni e kuptoi qartë se gruaja e dhembshur ishte nëna e vërtetë dhe ia dha asaj foshnjën. Pas pak i gjithë Izraeli e mori vesh këtë vendim dhe populli e kuptoi se mençuria e tij vinte nga Perëndia.

Një nga arritjet më të mëdha të Solomonit ishte ndërtimi i tempullit të Jehovait, një strukturë madhështore në Jerusalem që do të shërbente si qendër adhurimi në Izrael. Kur u përurua tempulli, Solomoni tha në lutje: «Ja! Qiejt, po, qiejt e qiejve, nuk të mbajnë dot, e aq më pak kjo shtëpi që kam ndërtuar unë!»—1 Mbretërve 8:27.

Fama e Solomonit u përhap në vende të tjera, madje deri në Shebë, në Arabi. Mbretëresha e Shebës shkoi të shihte lavdinë dhe pasuritë e Solomonit e të vinte në provë sa e thellë ishte mençuria e tij. Kaq shumë përshtypje i bëri mençuria e tij dhe begatia e Izraelit, saqë lëvdoi Jehovain që kishte vënë në fron një mbret aq të mençur. Pikërisht, me bekimin e Jehovait, mbretërimi i Solomonit ishte më i begati e më paqësori në historinë e Izraelit të lashtë.

Mjerisht, Solomoni nuk veproi gjithnjë në përputhje me mençurinë e Jehovait. Duke shpërfillur urdhrin e Perëndisë, u martua me qindra gra, ndër të cilat shumë që adhuronin perëndi të huaja. Pak nga pak, gratë që mori ia larguan zemrën nga Jehovai dhe ia kthyen nga adhurimi i idhujve. Jehovai i tha Solomonit se do t’i hiqej një pjesë e mbretërisë. Vetëm një pjesë do t’i mbetej familjes së tij, për hir të të atit të Solomonit, Davidit. Pavarësisht nga devijimi i Solomonit, Jehovai i mbeti besnik besëlidhjes që kishte bërë me Davidin për Mbretërinë.

Bazuar te 1 Mbretërve, kapitujt 1 deri në 11; 2 Kronikave, kapitujt 1 deri në 9; Ligji i përtërirë 17:17.