MËSIMI 17
Për të mbajtur një mik, duhet të jesh një mik
Miqësia bazohet në dashurinë. Sa më shumë të mësosh rreth Jehovait, aq më e madhe bëhet dashuria jote për të. Ndërsa rritet dashuria për Perëndinë, rritet edhe dëshira për t’i shërbyer atij. Kjo gjë do të të nxitë që të bëhesh një dishepull i Jezu Krishtit. (Mateu 28:19) Duke u bërë pjesë e familjes së lumtur të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të përjetosh përgjithmonë miqësinë e Perëndisë. Çfarë duhet të bësh?
Duhet ta tregosh dashurinë për Perëndinë duke iu bindur ligjeve të tij. «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 Gjonit 5:3.
Zbato atë që mëson. Jezui tregoi një histori që ilustron këtë gjë. Një njeri i mençur e ndërtoi shtëpinë mbi një shkëmb. Një njeri i pamend e ndërtoi shtëpinë mbi rërë. Kur erdhi një stuhi e madhe, shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb nuk u shemb, ndërsa shtëpia e ndërtuar mbi rërë u rrëzua me një zhurmë të madhe. Jezui tha se ata që i dëgjojnë mësimet e tij dhe i zbatojnë ato, janë si njeriu i mençur që ndërtoi mbi shkëmb. Por ata që i dëgjojnë mësimet e tij dhe nuk i zbatojnë, janë si njeriu i pamend që ndërtoi mbi rërë. Cilit prej të dyve do të doje t’i ngjaje?—Mateu 7:24-27.
Pagëzohu. «Pagëzohu dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e tij.»—Veprat 22:16.
Përfshihu plotësisht në shërbimin ndaj Perëndisë. «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.»—Kolosianëve 3:23.