Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 10

Si ta gjesh fenë e vërtetë

Si ta gjesh fenë e vërtetë

Nëse dëshiron të jesh mik me Perëndinë, duhet të praktikosh atë fe që Perëndia aprovon. Jezui tha se «adhuruesit e vërtetë» do ta adhuronin Perëndinë në harmoni me «të vërtetë». (Gjoni 4:23, 24) Ekziston vetëm një mënyrë korrekte për të adhuruar Perëndinë. (Efesianëve 4:4-6) Feja e vërtetë çon në jetë të përhershme, ndërsa feja e rreme në shkatërrim.​—Mateu 7:13, 14.

Fenë e vërtetë mund ta dallosh duke vërejtur njerëzit që e praktikojnë atë. Pasi Jehovai është i mirë, ata që janë adhuruesit e tij të vërtetë, duhet të jenë njerëz të mirë. Ashtu si një pemë e mirë portokalli jep portokalle të mira, feja e vërtetë nxjerr njerëz të mirë.​—Mateu 7:15-20.

Miqtë e Jehovait kanë respekt të thellë për Biblën. E dinë që Bibla është një libër nga Perëndia. Lejojnë që ajo që thuhet në të t’i udhëheqë në jetë, të zgjidhë problemet e tyre dhe t’i ndihmojë që të mësojnë rreth Perëndisë. (2 Timoteut 3:16) Ata përpiqen ta praktikojnë atë që predikojnë.

Miqtë e Jehovait tregojnë dashuri për njëri-tjetrin. Jezui tregoi dashuri për njerëzit, duke i mësuar ata rreth Perëndisë dhe duke shëruar ata që ishin të sëmurë. Edhe ata që praktikojnë fenë e vërtetë tregojnë dashuri për të tjerët. Ashtu si Jezui, ata nuk i përbuzin personat që janë të varfër ose që janë të një grupi të ndryshëm etnik. Jezui tha se njerëzit do t’i njihnin dishepujt e tij nga dashuria që tregojnë për njëri-tjetrin.​—Gjoni 13:35.

Miqtë e Perëndisë e nderojnë emrin e Perëndisë, Jehova. Nëse dikush refuzon që ta përdorë emrin tënd, a do të ishte për ty një mik i ngushtë? Jo! Kur kemi një mik, e përdorim emrin e tij dhe u themi gjëra të mira të tjerëve për të. Prandaj, ata që dëshirojnë të jenë miq me Perëndinë duhet ta përdorin emrin e tij dhe të flasin rreth tij me të tjerët. Jehovai dëshiron që ne ta bëjmë këtë.​—Mateu 6:9; Romakëve 10:13, 14.

Ashtu si Jezui, miqtë e Perëndisë i mësojnë njerëzit rreth Mbretërisë së Perëndisë. Mbretëria e Perëndisë është qeveria qiellore që do ta bëjë tokën një parajsë. Miqtë e Perëndisë e ndajnë me të tjerët këtë lajm të mirë rreth Mbretërisë së Perëndisë.​—Mateu 24:14.

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë miqtë e Perëndisë. Ata e respektojnë Biblën dhe kanë dashuri në mes tyre. Veç kësaj, e përdorin dhe e nderojnë emrin e Perëndisë dhe mësojnë edhe të tjerët rreth Mbretërisë së Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait praktikojnë fenë e vërtetë sot mbi tokë.