Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PYETJA 4

A ka ardhur çdo formë jete nga një paraardhës i përbashkët?

A ka ardhur çdo formë jete nga një paraardhës i përbashkët?

Darvini mendonte se çdo formë jete mund të gjurmohej deri te një paraardhës i përbashkët. Ai e përfytyronte historinë e jetës në tokë si një pemë gjigante. Të tjerë pas tij besonin se kjo «pemë e jetës» filloi si një trung i vetëm me qelizat e para të thjeshta. Nga ky trung dolën si degë lloje të reja, që vazhduan të ndaheshin në degëzime ose familje bimësh e kafshësh dhe më pas në degëzime më të vogla, që janë të gjitha llojet brenda familjeve të bimëve dhe kafshëve që kemi sot. A ka ndodhur vërtet kështu?

Çfarë pohojnë shumë shkencëtarë? Ata lënë të kuptohet se fosilet mbështetin teorinë e një origjine të përbashkët të jetës. Gjithashtu, pohojnë se, meqë të gjitha gjallesat përdorin një «gjuhë kompjuterike» ose ADN të ngjashme, çdo formë jete duhet të ketë evoluar nga një paraardhës i përbashkët.

Çfarë thotë Bibla? Libri i Zanafillës thotë se bimët, krijesat e detit, kafshët e tokës dhe zogjtë u krijuan secili «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:​12, 20-25) Ky përshkrim lë vend për shumëllojshmëri brenda një «lloji», por nënkupton se ka barriera të përcaktuara që ndajnë llojet e ndryshme. Gjithashtu, tregimi biblik i krijimit na bën të mendojmë se llojet e reja të krijesave do të shfaqeshin në dëshmitë fosile papritur dhe plotësisht të formuara.

Çfarë zbulojnë provat? A e mbështetin provat përshkrimin që u bën Bibla ngjarjeve apo kishte të drejtë Darvini? Çfarë kanë treguar zbulimet e bëra gjatë 150 viteve të kaluara?

RRËZOHET PEMA E DARVINIT

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë mundur të krahasojnë kodet gjenetike të dhjetëra organizmave njëqelizorë, si dhe të bimëve e kafshëve. Mendonin se këto krahasime do të vërtetonin «pemën e jetës» me degëzime që propozoi Darvini. Mirëpo, nuk ndodhi kështu.

Çfarë kanë nxjerrë në dritë kërkimet? Në vitin 1999, biologu Malkolm S. Gordon shkroi: «Duket se jeta ka pasur shumë origjina. Në bazën e pemës universale të jetës duket se nuk ka pasur vetëm një rrënjë.» A ka prova se të gjitha degët kryesore të qenieve të gjalla janë të lidhura në një trung të vetëm, siç besonte Darvini? Gordoni vazhdon: «Versioni tradicional i teorisë së prejardhjes së përbashkët, me sa duket nuk zbatohet për mbretëritë siç njihen tani. Ka të ngjarë që nuk zbatohet për shumë nga tipat, në mos për të gjithë, e ndoshta edhe për shumë nga klasat brenda tipave.»29 *

Kërkimet e fundit vazhdojnë ta kundërshtojnë teorinë e Darvinit për prejardhjen e përbashkët. Për shembull, në vitin 2009, në një artikull të revistës New Scientist citoheshin fjalët e shkencëtarit evolucionist Erik Batest: «Nuk kemi asnjë provë se pema e jetës është reale.»30 Në të njëjtin artikull, citoheshin fjalët e biologut evolucionist Majkëll Rouz: «Të gjithë e dimë se pema e jetës po groposet me mirësjellje. Ajo që pranohet më pak është se e gjithë pikëpamja themelore që kemi ne për biologjinë, duhet ndryshuar.»31 *

Ç’TË THEMI PËR DËSHMITË FOSILE?

Shumë shkencëtarë përmendin fosilet si provë për të mbështetur idenë se jeta erdhi nga një origjinë e përbashkët. Për shembull, ata argumentojnë që fosilet vërtetojnë idenë se peshqit u kthyen në amfibë dhe zvarranikët në gjitarë. Por, çfarë tregojnë në të vërtetë fosilet?

Paleontologu evolucionist David M. Raup thotë: «Në vend të zhvillimit gradual të jetës, gjeologët e kohës së Darvinit dhe ata të ditëve tona kanë gjetur vetëm dëshmi shumë të parregullta; domethënë llojet shfaqen krejt papritur në rrjedhën e ngjarjeve dhe, sipas dëshmive, shfaqin pak ose aspak ndryshime gjatë ekzistencës së tyre, pastaj po aq papritur zhduken pa lënë gjurmë.»32

Në të vërtetë, shumica dërrmuese e fosileve flasin për një qëndrueshmëri te llojet e krijesave në periudha kohore të gjata. Provat nuk tregojnë se ato kanë evoluar nga një lloj në një tjetër. Krijesat me tipare kryesore unike shfaqen papritur. Edhe karakteristikat e reja shfaqen papritur. Për shembull, lakuriqët e natës, me sistemin e jehonës dhe atë të tingujve, shfaqen pa ndonjë lidhje të dukshme me një paraardhës më primitiv.

Në fakt, më shumë se gjysma e të gjitha ndarjeve kryesore të botës shtazore, duket se janë shfaqur në një periudhë kohe relativisht të shkurtër. Ngaqë shumë forma jete të reja e të dallueshme shfaqen kaq papritur në dëshmitë fosile, paleontologët e quajnë këtë periudhë «shpërthimi kembrian». Kur ka qenë periudha kembriane?

Le ta zëmë se përllogaritjet e kërkuesve janë të sakta. Në rast të tillë, historinë e tokës mund ta paraqitim me një kronologji që është e gjatë sa një fushë futbolli (1). Me këtë shkallë matjeje, do të duhej të ecje rreth shtatë të tetat e fushës para se të vije në atë që paleontologët e quajnë periudha kembriane (2). Gjatë një segmenti të shkurtër të kësaj periudhe, shfaqen dëshmitë fosile të ndarjeve të mëdha të botës shtazore. Me ç’ritëm shfaqen ato? Ndërsa ecën në fushën e futbollit, të gjitha ato krijesa të ndryshme shfaqen papritur në distancën më pak se një hap.

Shfaqja relativisht papritur e këtyre formave të jetës po i bën disa kërkues evolucionistë të vënë në dyshim versionin tradicional të teorisë së Darvinit. Për shembull, në një intervistë të bërë në vitin 2008, biologu evolucionist Stjuart Njuman trajtoi nevojën për një teori të re evolucioni që mund të shpjegojë shfaqjen e papritur të formave të reja të jetës. Ai tha: «Besoj se mekanizmi darvinian që përdoret për të shpjeguar të gjitha ndryshimet evolucioniste do të nisë të konsiderohet thjesht një nga mekanizmat e ndryshëm, e ndoshta as ai më i rëndësishmi, kur bëhet fjalë për të kuptuar makroevolucionin, domethënë evolucionin e ndryshimeve kryesore në llojin e gjallësave.»33

PROBLEME ME «PROVËN»

Pse disa tekste shkollore ua ndryshojnë shkallën e zvogëlimit fosileve që sipas tyre ndjekin një seri të propozuar?

Siç dalin në disa tekste shkollore

Siç janë realisht (Në shkallë zvogëlimi)

Ç’të themi për fosilet që përdoren për të treguar se peshqit u kthyen në amfibë dhe zvarranikët në gjitarë? A përbëjnë ato një provë të fortë të procesit të evolucionit? Kur shqyrtohen më nga afër, dalin në dritë disa probleme.

Së pari, nganjëherë në tekstet shkollore keqparaqiten përmasat e krijesave që janë vendosur në serinë nga zvarranikë në gjitarë. Në vend që të kenë përmasa të ngjashme, në të vërtetë disa krijesa në këtë renditje janë të stërmëdha, kurse të tjera janë të vogla.

Një sfidë e dytë, më e madhe, është mungesa e provave se këto krijesa kanë ndonjëfarë lidhjeje. Ekzemplarët e vendosur në këtë renditje, shpesh i ndajnë miliona vjet, sipas llogaritjeve të kërkuesve. Lidhur me hapësirën kohore që ndan shumë nga këto fosile, zoologu Henri Xhi thotë: «Intervalet kohore që ndajnë fosilet janë kaq të stërmëdha, saqë nuk themi dot asgjë përfundimtare për lidhjen e tyre të mundshme nëpërmjet prejardhjes.»34 *

Duke komentuar për fosilet e peshqve dhe amfibëve, biologu Malkolm S. Gordon thotë se fosilet e gjetura paraqitin vetëm një shembull të vogël, «ndoshta as tipik, të shumëllojshmërisë biologjike që ekzistonte te këto grupe në ato kohë». Më tej, ai thotë: «S’ka asnjë mënyrë për të ditur deri në ç’masë këta organizma specifikë kishin rëndësi për zhvillimet e mëvonshme, nëse kishin ndonjë rëndësi, ose ç’lidhje mund të kenë pasur me njëri-tjetrin.»35 *

Ç’TREGON NË TË VËRTETË «FILMI»?

Në një artikull të botuar në vitin 2004 në revistën National Geographic, dëshmitë fosile krahasoheshin me «një film për evolucionin, ku në çdo 1.000 kuadro, 999 kanë humbur në dhomën e montazhit».36 Mendo se ç’do të thotë ky ilustrim.

Nëse «95 kuadrot» e dëshmive fosile tregojnë se kafshët nuk evoluojnë nga njëri lloj në tjetrin, pse paleontologët i vendosin «5 kuadrot» e tjera që të duket sikur evoluojnë?

Ta zëmë se do të gjeje 100 kuadro të një filmi artistik që ka pasur 100.000 kuadro. Si do ta përcaktoje skenarin e filmit? Ndoshta ti e ke formuar që më parë një ide tënden, por, po sikur vetëm 5 nga 100 kuadrot që gjete, të vendoseshin në atë mënyrë që të mbështetnin skenarin që do ti, kurse 95 të tjerat të vërtetonin një histori krejt tjetër? A do të ishte e arsyeshme të thoshe se ishte e saktë ideja jote e filmit, për shkak të atyre pesë kuadrove? Mos ndoshta i vendose në atë mënyrë pesë kuadrot, sepse i shkonin për shtat teorisë sate? A nuk do të ishte më e arsyeshme të lije 95 kuadrot e tjera të ndikonin në opinionin tënd?

Si lidhet ky ilustrim me pikëpamjen që kanë evolucionistët për dëshmitë fosile? Për vite të tëra, kërkuesit nuk e pranonin se shumica e fosileve​—95 kuadrot e filmit—​tregonin se llojet ndryshojnë shumë pak me kalimin e kohës. Pse kjo heshtje lidhur me këto prova kaq të rëndësishme? Autori Riçard Morris thotë: «Me sa duket, paleontologët kishin adoptuar idenë tradicionale të ndryshimeve evoluese graduale dhe nuk e braktisën, edhe kur zbuluan prova që tregonin të kundërtën. Ishin përpjekur t’i interpretonin dëshmitë fosile sipas ideve evolucioniste të pranuara.»37

«Të marrësh një renditje fosilesh e të pohosh se paraqitin një gjenealogji nuk është një hipotezë shkencore që mund të provohet, por një pohim që ka po aq vlerë sa një përrallë që u tregohet fëmijëve para se të flenë​—argëtuese, ndoshta edhe të mëson ndonjë gjë, por jo shkencore.»​In Search of Deep Time—​Beyond the Fossil Record to a New History of Life, nga Henri Xhi, f. 116-​117

Po evolucionistët e sotëm? Mos ndoshta vazhdojnë t’i vendosin fosilet sipas një serie, jo ngaqë kjo seri mbështetet nga shumica e dëshmive fosile dhe gjenetike, por ngaqë përputhet me idetë evolucioniste të pranuara aktualisht? *

Çfarë mendon ti? Cili përfundim përputhet më shumë me provat? Mendo për faktet që kemi shqyrtuar deri tani.

  • Format e para të jetës në tokë nuk ishin «të thjeshta».

  • Probabiliteti që edhe përbërësit e një qelize të shfaqeshin rastësisht, është jashtëzakonisht i vogël.

  • ADN-ja, «programi kompjuterik» ose kodi që drejton qelizën, është tmerrësisht kompleks dhe jep prova të një gjenialiteti që ia tejkalon shumë herë çdo programi ose sistemi të ruajtjes së informacionit që kanë prodhuar njerëzit.

  • Kërkimet gjenetike tregojnë se jeta nuk ka ardhur nga një paraardhës i vetëm i përbashkët. Veç kësaj, grupet kryesore të kafshëve shfaqen papritur në dëshmitë fosile.

Pasi ke shqyrtuar këto fakte, a mendon se është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se provat përputhen me shpjegimin që i bën Bibla origjinës së jetës? Megjithatë, shumë njerëz pohojnë se shkenca kundërshton një pjesë të mirë të asaj që thotë Bibla për krijimin. A është e vërtetë kjo? Çfarë thotë vërtet Bibla?

^ par. 9 Termi i biologjisë tip (shumës, tipat) i referohet një grupi të madh kafshësh me tipare kryesore të ngjashme në ndërtimin e tyre. Një mënyrë se si shkencëtarët i klasifikojnë të gjitha qeniet e gjalla është përmes një sistemi me shtatë njësi, në të cilin çdo njësi është më specifike se pararendësja. Njësia e parë është mbretëria, kategoria më e gjerë. Kategoritë e tjera janë tipi, klasa, rendi, familja, gjinia dhe lloji. Për shembull, kali klasifikohet kështu: mbretëria: Animalia; tipi: Chordata; klasa: Mammalia; rendi: Perissodactyla; familja: Equidae; gjinia: Equus; lloji: Caballus.

^ par. 10 Duhet theksuar se as artikulli i New Scientist, as Batesti ose Rouzi nuk duan të thonë se teoria e evolucionit është e gabuar. Ajo që duan të thonë është se pema e jetës që propozoi Darvini, pjesë themelore e teorisë së tij, nuk mbështetet nga provat. Këta shkencëtarë ende kërkojnë shpjegime të tjera që e përfshijnë evolucionin.

^ par. 21 Henri Xhi nuk thotë se teoria e evolucionit është e gabuar. Komentet e tij bëhen për të treguar se ka një kufi për gjërat që mund të mësohen nga dëshmitë fosile.

^ par. 22 Malkolm S. Gordoni mbështet mësimin e evolucionit.

^ par. 50 Shënim: Asnjë nga kërkuesit e përmendur në këtë kuti nuk e beson mësimin biblik të krijimit. Të gjithë pranojnë mësimin e evolucionit.

^ par. 54 Termi «hominid» përdoret për të përshkruar atë që kërkuesit evolucionistë mendojnë se përbën familjen njerëzore dhe llojet prehistorike të ngjashme me njeriun.