Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 3

Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit?

Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit?

1. Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzit?

PERËNDIA ka një qëllim të mrekullueshëm për njerëzit. Ai krijoi burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, që të jetonin në një kopsht të bukur. Qëllimi i tij ishte që ata të kishin fëmijë, ta bënin gjithë tokën parajsë dhe të kujdeseshin për kafshët. Ky qëllim nuk ka ndryshuar.—Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15; shiko pikën 6 të Shtojcës.

2. (a) Nga e dimë që Perëndia do ta realizojë qëllimin e tij? (b) Cilët njerëz dëshiron Perëndia që të jetojnë në tokë dhe për sa kohë?

2 A mendon se do të jetojmë ndonjëherë në një tokë parajsore? Jehovai na thotë: «Ky është qëllimi im, e unë do ta realizoj.» (Isaia 46:9-11; 55:11) Po, ai do ta realizojë qëllimin e tij dhe asgjë nuk e ndalon dot. Jehovai thotë se ka një arsye pse e ka krijuar tokën, ‘nuk e ka krijuar pa një qëllim’. (Isaia 45:18) Ai do që toka të jetë e mbushur me njerëz. Cilët njerëz dëshiron Perëndia të jetojnë në tokë dhe për sa kohë? Bibla përgjigjet: «Të drejtët [ose njerëzit e bindur] do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

3. Cila pyetje mund të të lindë kur sheh që njerëzit sëmuren dhe vdesin?

3 Por sot njerëzit sëmuren dhe vdesin. Në shumë vende, ata luftojnë e vriten me njëri-tjetrin. Pa dyshim nuk ishte ky qëllimi i Perëndisë. Por, çfarë shkoi keq dhe pse? Vetëm Bibla mund të na e tregojë.

NJË ARMIK I PERËNDISË

4, 5. (a) Në kopshtin e Edenit, kush i foli Evës me anë të gjarprit? (b) Si mund të bëhet hajdut një njeri i ndershëm?

4 Bibla tregon se Perëndia ka një armik që «quhet Djall dhe Satana». Në kopshtin e Edenit, Satanai i foli Evës me anë të një gjarpri. (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:1) Ai bëri të dukej sikur ishte gjarpri që po fliste.—Shiko pikën 7 të Shtojcës.

5 Nga erdhi Satana Djalli? A ishte i tillë kur e krijoi Perëndia? Jo! Një nga engjëjt që kishte qenë në qiell kur Perëndia përgatiste tokën për Adamin dhe Evën, me kalimin e kohës ndryshoi. Kështu ai u bë Djalli. (Jobi 38:4, 7) Si është e mundur? Le të marrim shembullin e një njeriu të ndershëm që ndryshon dhe bëhet hajdut. Ai nuk ka lindur hajdut. Por fillon të dëshirojë diçka që nuk i takon. Vazhdon ta bluajë në mendje atë gjë, dhe dëshira e gabuar për ta pasur bëhet gjithnjë e më e fortë. Pastaj, me t’iu dhënë mundësia, e vjedh. Kështu, nga njeri i ndershëm, bëhet hajdut.—Lexo Jakovin 1:13-15; shiko pikën 8 të Shtojcës.

6. Si u bë armik i Perëndisë një engjëll?

6 Kjo ndodhi edhe me atë engjëll. Pasi Jehovai krijoi Adamin dhe Evën, u tha të kishin fëmijë dhe ‘të mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:27, 28) Ai engjëll mbase ka menduar: «Tërë këta njerëz mund të më adhurojnë mua, dhe jo Jehovain.» Sa më shumë e bluante në mendje këtë, aq më shumë dëshironte çka i takonte Jehovait. Donte që njerëzit ta adhuronin. Prandaj ai e gënjeu Evën, dhe ajo e besoi. (Lexo Zanafillën 3:1-5.) Kështu ai u bë Satana Djalli, armiku i Perëndisë.

7. (a) Pse vdiqën Adami dhe Eva? (b) Po ne, pse plakemi dhe vdesim?

7 Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë dhe hëngrën frytin. (Zanafilla 2:17; 3:6) Ata mëkatuan kundër Jehovait dhe me kalimin e kohës vdiqën, pikërisht siç kishte thënë Jehovai. (Zanafilla 3:17-19) Edhe fëmijët e Adamit dhe të Evës ishin mëkatarë, prandaj vdiqën. (Lexo Romakëve 5:12.) Që të kuptojmë pse ishin mëkatarë edhe fëmijët e Adamit, le të bëjmë një shembull. Ta zëmë që po pjek bukën në një tavë të deformuar. Buka do të dalë me po atë deformim. Duke mos iu bindur Perëndisë, Adami u bë mëkatar. Ngaqë jemi fëmijë ose pasardhës të Adamit, të gjithë ne jemi mëkatarë, pra kemi po atë «deformim» që kishte ai. Prandaj plakemi e vdesim.—Romakëve 3:23; shiko pikën 9 të Shtojcës.

8, 9. (a) Çfarë donte Satanai që Adami dhe Eva të besonin? (b) Pse Jehovai nuk i shfarosi menjëherë rebelët?

8 Kur e shtyu Adamin me Evën të mos i bindeshin Perëndisë, Satanai nisi një rebelim kundër Jehovait. Ai donte që Adami dhe Eva të besonin se Jehovai ishte gënjeshtar, një sovran i keq që nuk u donte të mirën. Pra, Satanai po thoshte se njerëzit nuk kishin nevojë t’i drejtonte Perëndia dhe se Adami e Eva duhej të vendosnin vetë çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar. Çfarë do të bënte Jehovai? Ai mund t’i shfaroste rebelët duke i dhënë fund rebelimit të tyre. Por, a do të provonte kjo se Satanai është gënjeshtar? Jo.

9 Ja pse Jehovai nuk i shfarosi menjëherë rebelët. Përkundrazi, u la kohë njerëzve që të vetëqeveriseshin. Kështu do të bëhej e qartë se Satanai është gënjeshtar dhe se vetëm Jehovai e di çfarë është më e mira për njerëzit. Do të mësojmë më shumë për këtë në kapitullin 11. Megjithatë, çfarë mendon për vendimin e Adamit dhe të Evës? A bënë mirë që i besuan Satanait dhe nuk iu bindën Perëndisë? Jehovai u kishte dhënë çdo gjë që kishin: jetë të përsosur, një vend të bukur për të jetuar dhe një punë që u falte kënaqësi. Ndërsa Satanai s’kishte bërë kurrë diçka të mirë për ta. Po të kishe qenë në vendin e tyre, çfarë vendimi do të kishe marrë?

10. Cilën zgjedhje të rëndësishme duhet të bëjë gjithsecili?

10 Gjithsecili prej nesh është para një vendimi të ngjashëm nga i cili varet jeta jonë. Mund të zgjedhim ose t’i bindemi Jehovait si Sovrani ynë duke e nxjerrë Satanain gënjeshtar, ose të kemi Satanain si sundimtar. (Psalmi 73:28; lexo Proverbat 27:11.) Në botën e sotme, pak veta i binden Perëndisë. Në të vërtetë, nuk është Perëndia sundimtar i botës. Por, kush është atëherë?

KUSH E SUNDON BOTËN?

Nëse gjithë mbretëritë e botës nuk do t’i përkitnin Satanait, a do t’ia ofronte Jezuit?

11, 12. (a) Çfarë tregon oferta që i bëri Satanai Jezuit? (b) Cilat shkrime tregojnë se botën e sundon Satanai?

11 Jezui e dinte kush është në të vërtetë sundimtari i botës. Në një rast, Satanai ‘i tregoi Jezuit të gjitha mbretëritë e botës me lavdinë e tyre’. Pastaj i premtoi: «Të gjitha këto do të t’i jap nëse përkulesh me fytyrë përtokë para meje dhe më adhuron një herë.» (Mateu 4:8, 9; Luka 4:5, 6) Mendo pak: «Nëse ato mbretëri nuk do t’i përkitnin Satanait, a do t’ia ofronte Jezuit?» Jo. Kjo tregon se të gjitha qeveritë i përkasin Satanait.

12 Mbase pyet: «Si është e mundur që Satanai të jetë sundimtari i botës? A nuk është Jehovai Perëndia i Plotfuqishëm që ka krijuar gjithë universin?» (Zbulesa 4:11) Ashtu është, por Jezui e tha qartë se «sundimtari i kësaj bote» është Satanai. (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Apostulli Pavël, një shkrimtar i Biblës, e quajti Satana Djallin «perëndia i kësaj bote». (2 Korintasve 4:3, 4) Kurse apostulli Gjon shkroi se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut».—1 Gjonit 5:19.

SI DO TË ZHDUKET LIGËSIA?

13. Pse kemi nevojë për ndërhyrjen e Perëndisë?

13 Bota ku jetojmë, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Kudo shohim luftëra, korrupsion, hipokrizi e dhunë. Sado të përpiqen, njerëzit nuk i zgjidhin dot këto probleme, kurse Perëndia po. Së shpejti, ai do të zhdukë ligësinë gjatë luftës së Armagedonit dhe do të bëjë që në tokë të ketë vetëm njerëz të drejtë.—Zbulesa 16:14-16; shiko pikën 10 të Shtojcës.

14. Cilin ka vendosur Jehovai si Mbret të Mbretërisë së tij? Çfarë kishte parathënë Bibla për Jezuin?

14 Si do ta zhdukë Perëndia ligësinë? Nëpërmjet qeverisë së tij qiellore, që njihet si Mbretëria e Perëndisë. Jehovai ka vendosur Jezu Krishtin si Mbret të saj. Bibla kishte parathënë mijëra vjet më parë se Jezui do të mbretëronte si «Princ i Paqes» dhe se mbretërimi i tij nuk do të kishte fund. (Isaia 9:6, 7) Jezui i mësoi dishepujt të luteshin për këtë mbretëri kur tha: «Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!» (Mateu 6:10) Në kapitullin 8 do të mësojmë si do t’u zërë vendin Mbretëria e Perëndisë qeverive njerëzore. (Lexo Danielin 2:44.) Kjo mbretëri do ta kthejë tokën në një parajsë të bukur.—Shiko pikën 11 të Shtojcës.

NJË BOTË E RE ËSHTË AFËR

15. Çfarë është ‘toka e re’?

15 Bibla premton: «Ne presim qiej të rinj e një tokë të re, ku do të mbretërojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13; Isaia 65:17) Në disa raste, kur Bibla flet për ‘tokën’, e ka fjalën për njerëzit që jetojnë në të. (Zanafilla 11:1) Pra, ‘toka e re’ i referohet njerëzve që i binden Perëndisë dhe kanë bekimin e tij.

16. Cilën dhuratë të mrekullueshme do t’u japë Perëndia atyre që do të jetojnë në botën e re, dhe ç’duhet të bëjmë për ta marrë?

16 Jezui premtoi se njerëzit që do të jetojnë në botën e re do të gëzojnë «jetën e përhershme». (Marku 10:30) Ç’duhet të bëjmë për ta marrë këtë dhuratë? Të lutemi, lexo Gjonin 3:16 dhe 17:3 për të marrë përgjigje. Le të shohim tani si e përshkruan Bibla jetën kur toka të kthehet në parajsë.

17, 18. Nga e dimë që kudo do të ketë paqe dhe që do të ndihemi të sigurt?

17 Ligësia, luftërat, krimet dhe dhuna do të marrin fund. Në tokë s’do të ketë më asnjë të lig. (Psalmi 37:10, 11) Perëndia ‘do t’i shuajë luftërat anembanë tokës’. (Psalmi 46:9; Isaia 2:4) Toka do të mbushet me njerëz që e duan Perëndinë dhe i binden. Gjithashtu do të ketë paqe pa fund.—Psalm 72:7.

18 Populli i Jehovait do të ndihet i sigurt. Në kohët e Biblës, kur izraelitët i bindeshin Perëndisë, banonin të sigurt sepse Jehovai i mbronte. (Levitiku 25:18, 19) Po kështu, në Parajsë nuk do të kemi frikë nga asgjë dhe nga askush. Do të ndihemi gjithmonë të sigurt.—Lexo Isainë 32:18; Mikenë 4:4.

19. Pse jemi të sigurt që në tokë do të ketë ushqim me bollëk?

19 Do të ketë ushqim me bollëk. «Në tokë do të ketë drithë me bollëk e në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Jehovai, «Perëndia ynë, do të na bekojë» dhe «toka do të japë prodhimin e saj».—Psalmi 67:6.

20. Nga e dimë që toka do të bëhet parajsë?

20 Toka do të bëhet parajsë. Njerëzit do të kenë shtëpi dhe kopshte të bukura. (Lexo Isainë 65:21-24; Zbulesën 11:18.) E gjithë toka do të jetë po aq e bukur sa kopshti i Edenit. Jehovai do të na plotësojë çdo nevojë. Bibla thotë për Jehovain: «Ti hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese.»—Psalmi 145:16.

21. Nga e dimë që njerëzit dhe kafshët do të jetojnë në paqe?

21 Njerëzit dhe kafshët do të jetojnë në paqe. Kafshët nuk do të përbëjnë më rrezik për njerëzit. Fëmijët e vegjël do të jenë të sigurt edhe në prani të kafshëve që sot për sot janë të rrezikshme.—Lexo Isainë 11:6-9; 65:25.

22. Çfarë do të bëjë Jezui për të sëmurët?

22 Nuk do të ketë më sëmundje. Kur ishte në tokë, Jezui shëroi shumë njerëz. (Mateu 9:35; Marku 1:40-42; Gjoni 5:5-9) Ama, si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, do t’i shërojë të gjithë. Askush nuk do të thotë më: «Jam sëmurë.»—Isaia 33:24; 35:5, 6.

23. Çfarë do të bëjë Perëndia për njerëzit që kanë vdekur?

23 Të vdekurit do të jetojnë sërish. Perëndia premton se do të ringjallë miliona njerëz që kanë vdekur. «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—Lexo Gjonin 5:28, 29; Veprat 24:15.

24. Çfarë mendon për jetën në Parajsë?

24 Gjithsecili nga ne e ka vetë në dorë të zgjedhë se ç’do të bëjë. Mund të zgjedhim të mësojmë për Jehovain e t’i shërbejmë, ose mund të bëjmë si duam vetë. Nëse zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait, na pret një e ardhme e mrekullueshme. Jezui i premtoi një burri që po vdiste përkrah tij: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Në kapitullin vijues do të mësojmë më shumë për Jezu Krishtin dhe se si do t’i realizojë ai premtimet e mrekullueshme të Perëndisë.