Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 17

Privilegji i lutjes

Privilegji i lutjes

«Bërësi i qiellit dhe i tokës» dëshiron t’i dëgjojë lutjet tona.—Psalmi 115:15

1, 2. Pse mendon që lutja është një dhuratë e veçantë, dhe pse duhet të dimë çfarë mëson Bibla rreth saj?

TOKA është fare e vogël në krahasim me universin. Kur Jehovai e sheh tokën, njerëzit e të gjitha kombeve duken si një pikëz uji në një kovë. (Psalmi 115:15; Isaia 40:15) Edhe pse jemi kaq të vegjël në krahasim me universin, Psalmi 145:18, 19 thotë: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin, po, tërë atyre që e thërrasin me sinqeritet. Ai ua plotëson dëshirat atyre që e nderojnë thellësisht; i dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë dhe ai vetë i çliron.» Ç’privilegj i jashtëzakonshëm! Jehovai, Krijuesi i plotfuqishëm, dëshiron të na rrijë pranë dhe të na i dëgjojë lutjet. Lutja është vërtet një privilegj, një dhuratë e veçantë që Jehovai i ka bërë gjithsecilit.

2 Ama, Jehovai na dëgjon vetëm nëse i lutemi në mënyrën që ai miraton. Por, si duhet t’i lutemi? Le të shohim çfarë thotë Bibla rreth lutjes.

PSE T’I LUTEMI JEHOVAIT?

3. Pse duhet t’i lutesh Jehovait?

3 Jehovai dëshiron që t’i lutesh, pra të flasësh me të. Nga e dimë këtë? Të lutemi, lexo Filipianëve 4:6, 7. Mendo pak për këtë ftesë të dashur. Sovrani i universit interesohet thellësisht për ty dhe dëshiron t’i tregosh si ndihesh e çfarë problemesh kalon.

4. Si e forcojnë lutjet e rregullta miqësinë me Jehovain?

4 Lutja të ndihmon të kesh miqësi të ngushtë me Jehovain. Kur miqtë flasin rregullisht me njëri-tjetrin për mendimet, shqetësimet dhe ndjenjat e tyre, miqësia forcohet. Kështu ndodh edhe kur i lutesh Jehovait. Nëpërmjet Biblës, ai të tregon mendimet e ndjenjat e tij, si dhe çfarë do të bëjë në të ardhmen. Edhe ti mund t’i tregosh ndjenjat e tua më të thella duke folur rregullisht me të. Ndërsa vepron kështu, miqësia jote me Jehovain do të forcohet akoma më shumë.—Jakovi 4:8.

Ç’DUHET TË BËJMË QË PERËNDIA TË NA DËGJOJË?

5. Nga e dimë që Jehovai nuk i dëgjon të gjitha lutjet?

5 A i dëgjon Jehovai të gjitha lutjet? Jo. Në kohën e profetit Isaia, Jehovai u tha izraelitëve: «Edhe pse më bëni shumë lutje, unë nuk ju dëgjoj. Ju i keni duart tërë gjak.» (Isaia 1:15) Pra, po të mos jemi të kujdesshëm, mund të bëjmë gjëra që na largojnë nga Jehovai, e si pasojë ai nuk do t’i dëgjojë lutjet tona.

6. Pse është e rëndësishme të kemi besim? Si mund të tregosh se ke besim?

6 Nëse duam që Jehovai t’i dëgjojë lutjet tona, duhet të kemi besim tek ai. (Marku 11:24) Apostulli Pavël shpjegoi: «Pa besim është e pamundur të kesh vërtet pëlqimin e Perëndisë, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai ekziston dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Por nuk mjafton vetëm të themi se kemi besim. Duhet të japim prova, duke iu bindur Jehovait çdo ditë.—Lexo Jakovin 2:26.

7. (a) Pse duhet të tregojmë përulësi dhe respekt kur i lutemi Jehovait? (b) Si mund të tregojmë se lutjet tona janë të sinqerta?

7 Kur i lutemi Jehovait, duhet të tregojmë përulësi dhe respekt. Pse? Po ja, një mbreti ose presidenti, me siguri do t’i flisnim me respekt. A s’duhet të tregojmë shumë më tepër respekt dhe përulësi kur flasim me Jehovain, Perëndinë e Plotfuqishëm? (Zanafilla 17:1; Psalmi 138:6) Veç kësaj, duhet të jemi të sinqertë dhe t’i lutemi Jehovait nga zemra, jo duke përsëritur të njëjtat fjalë herë pas here.—Mateu 6:7, 8.

8. Përveçse të lutemi për diçka, çfarë duhet të bëjmë tjetër?

8 Së fundmi, kur lutemi për diçka, duhet të bëjmë gjithë sa kemi në dorë që të veprojmë në përputhje me lutjen. Për shembull, pasi i lutemi Jehovait për nevojat e përditshme, s’duhet të jemi dembelë dhe të presim që çdo gjë të na vijë nga Jehovai, ndonëse jemi të aftë të punojmë. Përkundrazi, duhet të punojmë pa u lodhur dhe të pranojmë çfarëdo pune që jemi në gjendje të bëjmë. (Mateu 6:11; 2 Selanikasve 3:10) Ose, në rast se i lutemi Jehovait për ndihmë që të heqim dorë nga diçka e gabuar, duhet të shmangim çdo situatë që mund të na tundojë. (Kolosianëve 3:5) Tani do të shqyrtojmë disa pyetje që bëhen shpesh për lutjet.

PYETJE QË BËHEN SHPESH PËR LUTJET

9. Kujt duhet t’i lutemi? Çfarë mësojmë nga Gjoni 14:6 për lutjen?

9 Kujt duhet t’i lutemi? Jezui i mësoi dishepujt që t’i luteshin ‘Atit tonë që është në qiej’. (Mateu 6:9) Gjithashtu tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Pra duhet t’i lutemi vetëm Jehovait nëpërmjet Jezuit. Çfarë do të thotë të lutesh nëpërmjet Jezuit? Që Jehovai t’i pranojë lutjet tona, duhet të tregojmë respekt për rolin unik që i ka dhënë Jezuit. Siç kemi mësuar, Jezui erdhi në tokë që të na çlirojë nga mëkati dhe vdekja. (Gjoni 3:16; Romakëve 5:12) Gjithashtu, Jehovai e ka caktuar Jezuin Kryeprift e Gjykatës.—Gjoni 5:22; Hebrenjve 6:20.

Mund të lutemi në çdo kohë

10. A duhet të rrimë në ndonjë pozicion të veçantë kur lutemi? Shpjego.

10 A duhet të rrimë në ndonjë pozicion të veçantë kur lutemi? Jo. Jehovai nuk na kërkon që të lutemi në gjunjë, ulur apo në këmbë. Bibla mëson se mund të flasim me Jehovain në çfarëdo pozicioni që tregon respekt. (1 Kronikave 17:16; Nehemia 8:6; Danieli 6:10; Marku 11:25) Për Jehovain ka më shumë rëndësi t’i flasim me qëndrimin e duhur të zemrës, sesa pozicioni në të cilin lutemi. Veç kësaj, mund të lutemi me zë ose në heshtje, kudo që ndodhemi dhe në çdo moment të ditës a të natës. Kur i lutemi Jehovait, mund të kemi besim se ai do të na dëgjojë edhe kur askush tjetër s’na dëgjon.—Nehemia 2:1-6.

11. Për çfarë mund t’i lutemi Jehovait?

11 Për çfarë mund të lutemi? Mund të lutemi për çdo gjë që është e pranueshme për Jehovain. Bibla thotë: «Ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.» (1 Gjonit 5:14) A mund të lutemi për gjëra personale? Patjetër! Duhet të flasim me Jehovain siç flasim me një mik të ngushtë. Mund t’i tregojmë Jehovait gjithçka që kemi në mendje dhe në zemër. (Psalmi 62:8) Mund t’i lutemi që të na japë frymën e tij të shenjtë e të fuqishme, e cila do të na ndihmojë të bëjmë atë që është e drejtë. (Luka 11:13) Gjithashtu mund t’i lutemi Jehovait të na japë mençuri për të marrë vendimet e duhura dhe forcë për të përballuar vështirësitë. (Jakovi 1:5) Për më tepër duhet t’i kërkojmë Jehovait që të na falë mëkatet. (Efesianëve 1:3, 7) Duhet të lutemi edhe për të tjerët, përfshirë familjarët tanë dhe vëllezërit e motrat e kongregacionit.—Veprat 12:5; Kolosianëve 4:12.

12. Ku duhet të përqendrohen lutjet tona?

12 Ku duhet të përqendrohen lutjet tona? Te Jehovai dhe te vullneti i tij. Duhet ta falënderojmë nga zemra për gjithçka që ka bërë për ne. (1 Kronikave 29:10-13) Këtë e kuptojmë nga fjalët që tha Jezui kur i mësoi dishepujt si të luteshin. (Lexo Mateun 6:9-13.) Ai tha se, në radhë të parë, duhet të lutemi që emri i Perëndisë të shenjtërohet, pra të trajtohet si i shenjtë. Pastaj Jezui tregoi se duhet të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe që të bëhet vullneti i Jehovait në mbarë tokën. Dhe vetëm pasi të jemi lutur për këto gjëra tejet të rëndësishme, Jezui tha se mund të lutemi për nevojat tona. Duke i dhënë përparësi Jehovait dhe vullnetit të tij në lutjet tona, tregojmë çfarë ka më shumë rëndësi për ne.

13. Sa të gjata duhet të jenë lutjet?

13 Sa të gjata duhet të jenë lutjet? Bibla nuk e thotë. Gjatësia e lutjes varet nga situata. Për shembull, para se të hamë mund të bëjmë një lutje të shkurtër. Ama, kur falënderojmë Jehovain apo i tregojmë shqetësimet tona, mund të bëjmë një lutje më të gjatë. (1 Samuelit 1:12, 15) Por, nuk duam të bëjmë lutje të gjata për t’u bërë përshtypje të tjerëve, si disa në ditët e Jezuit. (Luka 20:46, 47) Jehovait nuk i bëjnë përshtypje lutje të tilla. Për Jehovain rëndësi ka të lutemi nga zemra.

14. Sa shpesh duhet të lutemi dhe çfarë na mëson kjo për Jehovain?

14 Sa shpesh duhet të lutemi? Jehovai na fton të flasim rregullisht me të. Bibla thotë se duhet ‘të lutemi vazhdimisht’, ‘të ngulmojmë në lutje’ dhe ‘të lutemi pa pushim’. (Mateu 26:41; Romakëve 12:12; 1 Selanikasve 5:17) Jehovai është gjithnjë gati që të na dëgjojë. Mund ta falënderojmë çdo ditë për dashurinë dhe bujarinë që tregon. Po ashtu, mund t’i lutemi për drejtim, forcë dhe ngushëllim. Nëse e çmojmë vërtet privilegjin për t’iu lutur Jehovait, do të shfrytëzojmë çdo rast që të flasim me të.

15. Pse duhet të themi «amin» në fund të lutjes?

15 Pse duhet të themi «amin» në fund të lutjes? Fjala «amin» ka kuptimin «sigurisht» ose «ashtu qoftë». Kështu tregojmë se i mendojmë vërtet fjalët që thamë, pra se jemi të sinqertë. (Psalmi 41:13) Nga Bibla mësojmë se është mirë të themi «amin», me vete ose me zë, edhe në fund të një lutjeje publike. Kjo tregon se jemi dakord me fjalët që u thanë.—1 Kronikave 16:36; 1 Korintasve 14:16.

SI U PËRGJIGJET PERËNDIA LUTJEVE?

16. A u përgjigjet vërtet Jehovai lutjeve tona? Shpjego.

16 A u përgjigjet vërtet Jehovai lutjeve tona? Po. Bibla e quan ‘Dëgjues të lutjes’. (Psalmi 65:2) Jehovai i dëgjon lutjet e sinqerta të miliona njerëzve dhe u përgjigjet në mënyra të ndryshme.

17. Si i përdor Jehovai engjëjt dhe shërbëtorët e tij në tokë për t’iu përgjigjur lutjeve?

17 Jehovai u përgjigjet lutjeve tona duke përdorur engjëjt dhe shërbëtorët e tij në tokë. (Hebrenjve 1:13, 14) Ka plot raste të njerëzve që i janë lutur Perëndisë për ndihmë që të kuptonin Biblën dhe, shpejt pas kësaj, i ka vizituar një Dëshmitar i Jehovait. Kjo tregon se engjëjt përfshihen në shpalljen e ‘lajmit të mirë’ anembanë tokës dhe i drejtojnë Dëshmitarët te njerëzit e sinqertë. (Lexo Zbulesën 14:6.) Gjithashtu, shumë prej nesh i janë lutur Jehovait për një nevojë a problem specifik, dhe një bashkëbesimtar u ka dhënë ndihmën e duhur.—Proverbat 12:25; Jakovi 2:16.

Ndihma që na japin bashkëbesimtarët, mund të jetë përgjigjja e Jehovait për lutjet tona

18. Si i përdor Jehovai frymën e tij të shenjtë dhe Biblën për t’iu përgjigjur lutjeve?

18 Jehovai përdor edhe frymën e shenjtë për t’iu përgjigjur lutjeve tona. Kur i kërkojmë ndihmë për të përballuar një problem, ai mund të na drejtojë e të na forcojë nëpërmjet frymës së tij të shenjtë. (2 Korintasve 4:7) Gjithashtu, Jehovai përdor Biblën që t’u përgjigjet lutjeve tona e të na ndihmojë të marrim vendime të mençura. Kur lexojmë Biblën, mund të gjejmë shkrime që na ndihmojnë. Po ashtu, Jehovai mund të nxitë dikë që komenton në mbledhje të thotë tamam fjalët që na duhen, ose mund të shtyjë një plak kongregacioni që të na tregojë një mendim nga Bibla.—Galatasve 6:1.

19. Pse mund të duket sikur Jehovai nuk u është përgjigjur lutjeve tona?

19 Por ndonjëherë mund të pyesim veten: «Pse Jehovai nuk u është përgjigjur ende lutjeve të mia?» Mos harro, ai di kohën dhe mënyrën e duhur për t’iu përgjigjur lutjeve. Jehovai e di për çfarë kemi nevojë. Mbase duhet të vazhdojmë të lutemi për njëfarë kohe, që të tregojmë se i mendojmë vërtet gjërat që thamë dhe se kemi besim të plotë tek ai. (Luka 11:5-10) Ndonjëherë Jehovai na përgjigjet në një mënyrë që nuk e presim. Për shembull, mbase lutemi për një situatë të vështirë, por në vend që ta zgjidhë problemin, ai na jep forcë të durojmë.—Lexo Filipianëve 4:13.

20. Pse duhet t’i lutemi shpesh Jehovait?

20 Ç’privilegj i jashtëzakonshëm është t’i lutesh Jehovait! Mund të jemi të sigurt se ai do të na dëgjojë. (Psalmi 145:18) Dhe, sa më shpesh t’i lutemi Jehovait nga zemra, aq më shumë do të forcohet miqësia me të.