Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 12

«Mos ka padrejtësi te Perëndia?»

«Mos ka padrejtësi te Perëndia?»

1. Si ndikohemi nga padrejtësitë?

NJË vejushe të moshuar i zhvatin me mashtrim kursimet e gjithë jetës së saj. Një foshnjë e pambrojtur braktiset nga nëna e saj zemërgur. Një burrë e futin në burg për një krim që nuk e ka bërë. Si reagon ndaj këtyre skenave të përfytyruara? Ndoshta çdonjëra prej tyre të trazon, dhe kjo është e kuptueshme. Ne njerëzit kemi një ndjenjë të fortë për sa i përket së drejtës dhe së gabuarës. Kur bëhet ndonjë padrejtësi, marrim zjarr. Duam që viktima të dëmshpërblehet dhe fajtori të dënohet. Në qoftë se nuk ndodh një gjë e tillë, ndoshta pyesim: ‘A nuk e sheh Perëndia se çfarë po ndodh? Pse nuk bën gjë?’

2. Si reagoi Habakuku ndaj padrejtësisë dhe pse Jehovai nuk e qortoi për këtë?

2 Gjatë gjithë historisë shërbëtorët besnikë të Jehovait kanë bërë pyetje të ngjashme. Profeti Habakuk, për shembull, iu lut Perëndisë: «Pse më bën të shoh këtë padrejtësi të tmerrshme? Pse lejon që dhuna, paligjshmëria, krimi dhe mizoria të përhapen kudo?» (Habakuku 1:3, Contemporary English Version) Jehovai nuk e qortoi Habakukun që bëri këto pyetje të sinqerta, sepse Ai vetë e ka futur te njerëzit konceptin e drejtësisë. Po, Jehovai na ka bekuar duke na dhënë një masë të vogël të ndjenjës së thellë të drejtësisë që ka ai.

Jehovai e urren padrejtësinë

3. Pse mund të thuhet që Jehovai është më i vetëdijshëm se ne për padrejtësitë?

3 Jehovai nuk i mbyll sytë para padrejtësive. Ai e sheh se çfarë po ndodh. Për kohën e Noesë, Bibla na thotë: «Jehovai pa që e keqja e njeriut ishte me bollëk në tokë dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte vetëm e keqe gjithë kohën.» (Zanafilla 6:5) Shqyrto se çfarë nënkupton ky pohim. Shpesh, ajo që konceptojmë ne si padrejtësi bazohet në pak ngjarje që ose i kemi dëgjuar, ose i kemi hasur personalisht. Ndryshe nga ne, Jehovai është i vetëdijshëm për padrejtësitë që ndodhin në shkallë mbarëbotërore. Ai i sheh të gjitha ato. Për më tepër, mund të dallojë edhe prirjet e zemrës, domethënë mendimet e ulëta që qëndrojnë pas veprimeve të padrejta.​—Jeremia 17:10.

4, 5. (a) Si e tregon Bibla se Jehovait i dhimbsen ata që janë trajtuar me padrejtësi? (b) Si e ka provuar vetë Jehovai padrejtësinë?

4 Por Jehovai nuk mjaftohet vetëm duke konstatuar që ka padrejtësi. Atij i dhimbsen ata që janë viktima të këtyre padrejtësive. Kur kombet armike i trajtonin mizorisht shërbëtorët e tij, Jehovait i vinte keq kur dëgjonte «rënkimin e tyre të shkaktuar nga shtypësit dhe nga ata që i shkelnin me këmbë». (Gjykatësit 2:18) Ndoshta të ka rënë në sy që njerëzit sa më shumë të shohin padrejtësi, aq më shumë u bëhet zemra me kallo. Por s’është kështu me Jehovain. Ai e ka parë padrejtësinë me të gjitha format e saj për pothuajse 6.000 vjet, e megjithatë nuk i është pakësuar urrejtja që provon për të. Përkundrazi, Bibla na siguron se gjëra të tilla si «gjuha e rreme», «duart që derdhin gjak të pafaj» dhe «dëshmitari i rremë që lëshon gënjeshtra» janë të pështira për të.​—Proverbat 6:16-19.

5 Të shqyrtojmë edhe sa fort i kritikoi Jehovai udhëheqësit e padrejtë në Izrael. «A nuk është puna juaj të njihni drejtësinë?»​—i pyeti ata profeti i frymëzuar prej tij. Pasi përshkroi me terma të gjallë se si e keqpërdornin ata fuqinë, Jehovai paratha cili do të ishte përfundimi i këtyre njerëzve të korruptuar: «Do t’i thërrasin Jehovait për ndihmë, por ai nuk do t’u përgjigjet. Ai do ta fshehë fytyrën e tij prej tyre në atë kohë, sipas së keqes që kryen ata me veprimet e tyre.» (Mikea 3:1-4) Sa neveri ka Jehovai për padrejtësinë, meqë e ka provuar edhe vetë drejtpërdrejt! Për mijëra vjet Satanai është tallur me të pa të drejtë. (Proverbat 27:11) Për më tepër, Jehovait iu bë padrejtësia më e tmerrshme kur Biri i tij, i cili «nuk kreu asnjë mëkat» u ekzekutua si një kriminel. (1 Pjetrit 2:22; Isaia 53:9) Pra është e qartë se Jehovai as nuk i mbyll sytë e as nuk është indiferent ndaj gjendjes së mjeruar të atyre që pësojnë padrejtësi.

6. Si mund të reagojmë përballë padrejtësive dhe përse?

6 Mirëpo për ne është më se e natyrshme të reagojmë me forcë kur vërejmë padrejtësi ose kur bëhemi vetë viktima të një trajtimi të pandershëm. Jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe padrejtësia është krejtësisht e kundërt me gjithçka që përfaqëson Jehovai. (Zanafilla 1:27) Atëherë, pse i lejon Perëndia padrejtësitë?

Çështja e sovranitetit të Perëndisë

7. Përshkruaj se si u sfidua sovraniteti i Jehovait.

7 Përgjigjja e kësaj pyetjeje lidhet me çështjen e sovranitetit. Siç e kemi parë, Krijuesi ka të drejtën të sundojë mbi tokën dhe mbi të gjithë ata që banojnë në të. (Psalmi 24:1; Zbulesa 4:11) Por në fillim të historisë njerëzore sovraniteti i Jehovait u sfidua. Si ndodhi kjo? Po ja, Jehovai e urdhëroi njeriun e parë, Adamin, që të mos hante nga njëfarë peme në kopshtin që ishte shtëpia e tij parajsore. E në qoftë se ai nuk bindej? «Ke për të vdekur me siguri»,​—i tha Perëndia. (Zanafilla 2:17) Urdhri që dha Perëndia nuk përbënte ndonjë vështirësi për Adamin ose për gruan e tij Evën. Megjithatë, Satanai e bindi Evën se Perëndia po i kufizonte tepër, pa qenë nevoja. Ç’do të ndodhte sikur ajo të hante nga pema? Satanai i tha hapur Evës: «S’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se po atë ditë që do të hani prej tij, sytë tuaj kanë për t’u hapur dhe ju keni për të qenë si Perëndi, duke njohur të mirën dhe të keqen.»​—Zanafilla 3:1-5.

8. (a) Çfarë la të nënkuptohej Satanai me pohimet që i bëri Evës? (b) Çfarë vuri në dyshim Satanai për sa i përket sovranitetit të Perëndisë?

8 Me këtë pohim Satanai i la të nënkuptonte Evës jo vetëm që Jehovai i kishte fshehur një informacion të domosdoshëm, por edhe që e kishte gënjyer. Satanai bëri kujdes që të mos vinte në dyshim faktin që Perëndia është sovrani, por legjitimitetin, meritën dhe drejtësinë e këtij sovraniteti. Me fjalë të tjera pohoi se Jehovai nuk po e ushtronte sovranitetin e Tij në mënyrë të drejtë dhe për të mirën e nënshtetasve të Tij.

9. (a) Cila ishte pasoja e mosbindjes për Adamin dhe Evën e çfarë çështjesh jetësore lindën? (b) Pse Jehovai nuk vendosi thjesht t’i shkatërronte rebelët?

9 Për pasojë, Adami dhe Eva e shkelën që të dy urdhrin e Jehovait duke ngrënë nga pema e ndaluar. Kjo mosbindje i bëri që të merrnin ndëshkimin e vdekjes, ashtu si e kishte dekretuar Perëndia. Por gënjeshtra e Satanait ngriti disa pyetje jetësore. A e ka vërtet Jehovai të drejtën për të sunduar mbi njerëzimin, apo njeriu duhet të vetëqeveriset? A e ushtron Jehovai sovranitetin e tij në mënyrën më të mirë që është e mundur? Jehovai mund ta kishte përdorur fuqinë e tij të pakufishme për t’i shkatërruar në vend rebelët. Por çështjet që lindën kishin të bënin me sundimin e Perëndisë, jo me fuqinë e tij. Prandaj asgjësimi i Adamit, Evës dhe Satanait nuk do të vërtetonte se sundimi i Perëndisë është i drejtë. Përkundrazi, mund ta kishte vënë edhe më tepër në diskutim pozitën e tij si sundues. E vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse njerëzit do të mund të vetëqeveriseshin me sukses, të pavarur nga Perëndia, ishte të lejonte që të kalonte njëfarë kohe.

10. Çfarë ka zbuluar historia për sa i përket sundimit njerëzor?

10 Çfarë është zbuluar me kalimin e kohës? Gjatë mijëvjeçarëve njerëzit kanë bërë eksperimente me shumë forma qeverisjeje, duke përfshirë autokracinë, demokracinë, socializmin dhe komunizmin. Rezultati i përgjithshëm është përmbledhur në komentin që bën haptazi Bibla: «Njeriu ka mbizotëruar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Me arsye të vlefshme profeti Jeremia tha: «Mirë e di, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e tij.»​—Jeremia 10:23.

11. Pse lejoi Jehovai që raca njerëzore t’u nënshtrohej vuajtjeve?

11 Jehovai e dinte që në fillim se pavarësia e njeriut ose vetëqeverisja do të sillte si pasojë shumë vuajtje. Por, atëherë, a ishte një padrejtësi nga ana e tij që e lejoi këtë situatë të pashmangshme të vazhdonte rrjedhën e vet? Aspak! Për ta ilustruar, ta zëmë se fëmija yt duhet të bëjë një ndërhyrje kirurgjike për t’u shëruar nga një sëmundje që i kërcënon jetën. Ti e kupton se operacioni do t’i shkaktojë vuajtje fëmijës, dhe kjo të pikëllon shumë. Por, në të njëjtën kohë, e di se ky operacion do t’i japë mundësi të ketë shëndet më të mirë në jetë. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia e dinte, e madje e paratha, se lejimi i sundimit njerëzor do të sillte me vete disa dhembje e vuajtje. (Zanafilla 3:16-19) Por e dinte edhe se lehtësimi i përhershëm e domethënës do të vinte vetëm në qoftë se do ta lejonte të gjithë njerëzimin të shihte frytet e këqija që prodhon rebelimi. Në këtë mënyrë, çështja do të zgjidhej një herë e mirë, për gjithë përjetësinë.

Çështja e besnikërisë së njerëzve

12. Siç u ilustrua në rastin e Jobit, çfarë akuze ngriti Satanai kundër njerëzve?

12 E gjithë kjo ngjarje ka edhe një aspekt tjetër. Duke sfiduar legjitimitetin dhe drejtësinë e sundimit të Perëndisë, Satanai nuk shpifi vetëm për sovranitetin e Jehovait. Shpifi edhe për besnikërinë e shërbëtorëve të Perëndisë. Vër re, për shembull, se çfarë i tha Satanai Jehovait për njeriun e drejtë Job: «A nuk ke vënë ti vetë një gardh rreth tij dhe rreth shtëpisë së tij, e rreth gjithçkaje që ai ka përqark? Ti e ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është përhapur gjithandej në tokë. Por, sa për të ndryshuar, zgjat dorën, të lutem, e prek çfarëdo gjëje që ka dhe shihe po nuk të mallkoi mu në fytyrë.»​—Jobi 1:10, 11.

13. Çfarë la të nënkuptohej Satanai me akuzat e tij drejtuar Jobit dhe si përfshihen të gjithë njerëzit në këtë?

13 Satanai pohoi se Jehovai po e përdorte fuqinë e Tij mbrojtëse për të blerë përkushtimin e Jobit. Kjo pastaj nënkuptonte se besnikëria e Jobit s’ishte veçse shtirje, se ai e adhuronte Perëndinë vetëm për gjërat që përfitonte prej tij. Satanai pohoi se po t’i hiqej Jobit bekimi i Perëndisë, edhe ai njeri do ta mallkonte Krijuesin e tij. Satanai e dinte se Jobi dallohej si një njeri ‘i paqortueshëm dhe i ndershëm, që e kishte frikë Perëndinë dhe i largohej së keqes’. * Prandaj, sikur të arrinte të thyente besnikërinë e Jobit, ç’mund të thuhej për pjesën tjetër të njerëzimit? Kështu, Satanai në të vërtetë po vinte në dyshim besnikërinë e të gjithë atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë. Pikërisht, duke e zgjeruar çështjen, Satanai i tha Jehovait: «Çdo gjë që ka një njeri [jo vetëm Jobi] do ta japë për shpirtin e tij.»​—Jobi 1:8; 2:4.

14. Çfarë ka treguar historia lidhur me akuzën që bëri Satanai kundër njerëzve?

14 Historia ka treguar se shumë njerëz, ashtu si Jobi, i kanë qëndruar besnikë Jehovait përballë sprovave, në kundërshtim me pohimin e Satanait. Ia kanë gëzuar zemrën Jehovait me drejtimin besnik që kanë ndjekur në jetë. Kjo i ka dhënë Jehovait përgjigjen për talljen që Satanai bëri me mburrje se njerëzit nuk do t’i shërbejnë më Perëndisë kur të jenë në vështirësi. (Hebrenjve 11:4-38) Po, njerëzit me zemër të drejtë nuk kanë pranuar t’i kthejnë shpinën Perëndisë. Edhe kur kanë qenë ndërdyshas nga situatat më pikëlluese, janë mbështetur akoma më tepër te Jehovai, që t’u japë forcën për të qëndruar.​—2 Korintasve 4:7-10.

15. Cila pyetje mund të lindë për sa u përket gjykimeve të Perëndisë në të kaluarën dhe në të ardhmen?

15 Por, për Jehovain të ushtrojë drejtësinë përfshin më tepër sesa çështjen e sovranitetit dhe atë të besnikërisë së njerëzve. Bibla na siguron një dokumentim të gjykimeve të Jehovait për individë, e madje për kombe të tëra. Gjithashtu, përmban profeci të gjykimeve që do të japë ai në të ardhmen. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai ka qenë dhe do të jetë i drejtë në gjykimet që jep?

Pse drejtësia e Perëndisë është më e lartë?

Jehovai kurrë nuk ‘do ta fshijë tej të drejtin bashkë me të ligun’

16, 17. Cilët shembuj tregojnë se njerëzit kanë pikëpamje të kufizuara kur bëhet fjalë për drejtësinë e vërtetë?

16 Për Jehovain mund të thuhet me të vërtetë: «Të gjitha udhët e tij janë drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Asnjëri prej nesh nuk mund ta bëjë për veten e tij këtë pohim, sepse shumë shpesh kemi pikëpamje të kufizuara që na pengojnë të dallojmë se çfarë është e drejtë. Të marrim për shembull Abrahamin. Ai iu lut Jehovait lidhur me shkatërrimin e Sodomës, pavarësisht nga ligësia e shfrenuar që mbizotëronte atje. E pyeti Jehovain: «Vërtet do ta fshish tej të drejtin bashkë me të ligun?» (Zanafilla 18:23-33) Sigurisht që përgjigjja ishte jo. Jehovai «bëri të binte squfur e zjarr» mbi Sodomën vetëm pasi Loti i drejtë dhe bijat e tij kishin mbërritur shëndoshë e mirë në qytetin e Zoarit. (Zanafilla 19:22-24) Në dallim nga kjo, Jonai «u ndez nga zemërimi» kur Perëndia u tregoi mëshirë banorëve të Ninevisë. Meqë tashmë e kishte shpallur shkatërrimin e tyre, Jonai do të kishte qenë i kënaqur t’i shihte të shfarosur, ndonëse ata ishin penduar nga zemra.​—Jonai 3:10–4:1.

17 Jehovai e siguroi Abrahamin se drejtësia që ushtron Ai nuk përfshin vetëm shkatërrimin e të ligjve, por edhe shpëtimin e të drejtëve. Nga ana tjetër, Jonait i duhej të mësonte se Jehovai është i mëshirshëm. Në rast se njerëzit e ligj e ndryshojnë sjelljen e tyre, ai është «gati për të falur». (Psalmi 86:5) Ndryshe nga disa njerëz të pasigurt, Jehovai nuk jep një gjykim të pafavorshëm vetëm për të bërë të qartë fuqinë që ka, as nuk e përmban dhembshurinë nga frika se mos të tjerët e quajnë një person të dobët. Norma e tij është të tregojë mëshirë sa herë që ka një bazë për të.​—Isaia 55:7; Ezekieli 18:23.

18. Trego nga Bibla se Jehovai nuk vepron i shtyrë vetëm nga sentimentalizmi.

18 Megjithatë, Jehovai nuk verbohet nga sentimentalizmi. Kur populli i tij u zhyt thellë në idhujtari, Jehovai shpalli me vendosmëri: «Do të të gjykoj sipas udhëve të tua dhe do të sjell mbi ty gjithë gjërat e tua të pështira. Syrit tim nuk do t’i vijë keq për ty, as nuk do të ndiej dhembshuri, sepse mbi ty do të sjell vetë udhët e tua.» (Ezekieli 7:3, 4) Prandaj, kur njerëzit kanë marrë një vendim të prerë që të ndjekin një rrugë, Jehovai i gjykon sipas qëndrimit të tyre. Por gjykimi i tij bazohet në dëshmi me baza të forta. Kështu, kur ‘një britmë e lartë ankimi’ për Sodomën dhe Gomorrën arriti në veshët e tij, Jehovai tha: «Jam më se i vendosur të zbres, që të shoh nëse ata veprojnë tamam sipas klithmës që ka ardhur deri tek unë.» (Zanafilla 18:20, 21) Sa mirënjohës mund të jemi që Jehovai nuk është si njerëzit, shumë prej të cilëve arrijnë menjëherë në përfundime, pa i dëgjuar të gjitha faktet! Me të vërtetë Jehovai është siç e përshkruan Bibla, «një Perëndi besnikërie, tek i cili nuk ka padrejtësi».​—Ligji i përtërirë 32:4.

Ki siguri te drejtësia e Jehovait

19. Çfarë mund të bëjmë nëse na lindin pyetje pështjelluese për mënyrën se si e ushtron drejtësinë Jehovai?

19 Bibla nuk trajton çdo pyetje lidhur me veprimet e Jehovait në të kaluarën, as nuk jep çdo hollësi se si do të japë gjykimin Jehovai për individët dhe për grupet në të ardhmen. Kur mbetemi disi të pështjelluar nga tregime ose profeci në Bibël ku mungojnë këto hollësi, mund të shfaqim të njëjtën besnikëri që shfaqi profeti Mikea, i cili shkroi: «Do të tregoj një qëndrim pritës për Perëndinë e shpëtimit tim.»​—Mikea 7:7.

20, 21. Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai do të bëjë gjithnjë atë që është e drejtë?

20 Mund të jemi të sigurt se në çdo situatë, Jehovai do të bëjë atë që është e drejtë. Edhe atëherë kur njerëzit duket se i shpërfillin padrejtësitë, Jehovai premton: «Hakmarrja është e imja; unë do të shpaguaj.» (Romakëve 12:19) Në qoftë se tregojmë një qëndrim pritës, do të kemi të njëjtën bindje të vendosur që shprehu edhe apostulli Pavël: «Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë!»​—Romakëve 9:14.

21 Ndërkohë jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Padrejtësitë dhe «shtypjet» kanë sjellë si pasojë shumë keqtrajtime mizore. (Eklisiastiu 4:1) Por Jehovai nuk ka ndryshuar. Ai e urren ende padrejtësinë dhe interesohet thellësisht për ata që janë viktima të saj. Po t’i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe sovranitetit të tij, ai do të na japë forcën e duhur për të qëndruar deri në kohën e caktuar, kur t’i ndreqë të gjitha padrejtësitë, nën sundimin e Mbretërisë së tij.​—1 Pjetrit 5:6, 7.

^ par. 13 Jehovai tha për Jobin: «Në tokë nuk ka asnjë si ai.» (Jobi 1:8) Prandaj, me sa duket Jobi ka jetuar pas vdekjes së Jozefit dhe para se Moisiu të bëhej udhëheqësi i caktuar i Izraelit. Kështu, në atë kohë mund të thuhej se askush nuk ishte besnik si Jobi.