Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 8

Fuqi ripërtëritëse: Jehovai ‘po bën çdo gjë të re’

Fuqi ripërtëritëse: Jehovai ‘po bën çdo gjë të re’

1, 2. Çfarë humbjesh pëson familja njerëzore sot dhe si ndikojnë te ne këto humbje?

FËMIJA fillon të qajë i trishtuar se ka humbur ose ka prishur një lodër që e kishte shumë qejf. Të copëtohet zemra kur e dëgjon. Por, a e ke parë si i ndrit fytyra kur prindi i jep përsëri atë që i kishte humbur? Për prindin mund të jetë një gjë e thjeshtë ta gjejë lodrën ose edhe ta rregullojë po të jetë prishur. Porse fëmija është shend e verë dhe i mahnitur. U gjet prapë ajo që i dukej se e kishte humbur përgjithmonë!

2 Jehovai, Prindi më i shkëlqyer, ka fuqinë t’u rikthejë fëmijëve të tij tokësorë gjërat që atyre mund t’u duket se s’kanë shpresë për t’i gjetur më. Sigurisht që këtu s’e kemi fjalën për lodra. Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» na duhet të hasim humbje shumë më të rënda. (2 Timoteut 3:1-5) Shumë gjëra që njerëzit i kanë për zemër duken vërtet në rrezik: shtëpia, zotërimet materiale, puna, e madje edhe shëndeti. Ndoshta ndihemi të dërrmuar edhe kur vërejmë shkatërrimin e mjedisit dhe pasojat e kësaj, domethënë humbjen ose zhdukjen e shumë llojeve të gjallesave. Por, prapëseprapë, asgjë tjetër nuk na godet më rëndë sesa vdekja e një njeriut të dashur. Humbja dhe pafuqia që ndiejmë mund të jenë mbytëse.​—2 Samuelit 18:33.

3. Cila perspektivë ngushëlluese gjendet te Veprat 3:21 dhe me ç’mjet do ta plotësojë Jehovai atë?

3 Për këtë arsye, sa ngushëlluese është të mësojmë për fuqinë ripërtëritëse të Jehovait! Siç do ta shohim, është për t’u mahnitur se sa shumë mund dhe do t’u rikthejë Perëndia fëmijëve të tij tokësorë. E pra, Bibla tregon se Jehovai ka si qëllim ‘rivendosjen e të gjitha gjërave’. (Veprat 3:21) Për të plotësuar këtë qëllim Jehovai do të përdorë Mbretërinë mesianike me Birin i tij, Jezu Krishtin, si sundimtar. Dëshmitë tregojnë se kjo Mbretëri filloi të sundojë në qiell në vitin 1914. * (Mateu 24:3-14) Çfarë do të rivendoset? Le të shqyrtojmë disa nga veprat madhështore ripërtëritëse të Jehovait. Njërën prej tyre mund ta shohim e ta përjetojmë që tani. Të tjerat do të ndodhin në një shkallë më të gjerë në të ardhmen.

Rivendosja e adhurimit të pastër

4, 5. Çfarë i ndodhi popullit të Perëndisë në vitin 607 p.e.s., por çfarë shprese i dha Jehovai?

4 Një gjë që Jehovai tashmë e ka rivendosur është adhurimi i pastër. Për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo, le të shqyrtojmë shkurtimisht historinë e mbretërisë së Judës. Kështu do të kemi një kuptueshmëri të thellë që të ngre peshë, kur të shohim se si vepron fuqia ripërtëritëse e Jehovait.​—Romakëve 15:4.

5 Përpiqu të përfytyrosh se si u ndien judenjtë besnikë kur u shkatërrua Jerusalemi në vitin 607 p.e.s. Qyteti i tyre i dashur u shpartallua e muret iu shembën. Më keq akoma, tempulli i lavdishëm që kishte ndërtuar Solomoni, e vetmja qendër e adhurimit të pastër të Jehovait në gjithë tokën, u katandis në gërmadha. (Psalmi 79:1) Ata që mbetën gjallë u çuan robër në Babiloni, duke e lënë atdheun e tyre një vend të shkretë për kafshët e egra. (Jeremia 9:11) Nga pikëpamja njerëzore dukej sikur ata kishin humbur gjithçka. (Psalmi 137:1) Por Jehovai, i cili e kishte parathënë këtë shkatërrim shumë kohë më parë, u dha shpresë se në të ardhmen do të vinte një kohë rivendosjeje ose ripërtëritjeje.

6-8. (a) Cila temë është përsëritur në shkrimet e profetëve hebrenj dhe si patën një përmbushje fillestare këto profeci? (b) Si ka përjetuar populli i Perëndisë në kohët tona një përmbushje të shumë profecive të rivendosjes?

6 Në të vërtetë, rivendosja ishte një temë që përsëritej në shkrimet e profetëve hebrenj. * Nëpërmjet këtyre profetëve, Jehovai premtoi një tokë të ripërtërirë e të ripopulluar, pjellore, të mbrojtur nga kafshët e egra dhe nga sulmet e armiqve. Këtë tokë të ripërtërirë ai e përshkroi si një parajsë të vërtetë. (Isaia 65:25; Ezekieli 34:25; 36:35) Ç’është më e rëndësishmja, do të rivendosej adhurimi i pastër dhe do të rindërtohej tempulli. (Mikea 4:1-5) Këto profeci u dhanë shpresë judenjve të mërguar, duke i ndihmuar që të duronin robërinë 70-vjeçare në Babiloni.

7 Më në fund koha e rivendosjes erdhi. Pasi u çliruan nga Babilonia, judenjtë u rikthyen në Jerusalem dhe e rindërtuan tempullin e Jehovait atje. (Ezdra 1:1, 2) Për sa kohë që i qëndruan besnikë adhurimit të pastër, Jehovai i bekoi dhe e bëri tokën e tyre pjellore e të begatë. I mbrojti nga armiqtë e nga kafshët e egra që e kishin pushtuar atë vend për dhjetëra vjet. Sa duhet të jenë gëzuar judenjtë që Jehovai kishte këtë fuqi ripërtëritëse! Por ato ngjarje paraqitnin vetëm një përmbushje fillestare e të kufizuar të profecive të rivendosjes. Një përmbushje më e madhe duhej të ndodhte «në pjesën përfundimtare të ditëve», pra në kohën tonë, kur do të hipte në fron Trashëgimtari i mbretit David, i premtuar prej kaq kohësh.​—Isaia 2:2-4; 9:6, 7.

8 Pak kohë pasi hipi në fron në Mbretërinë qiellore në vitin 1914, Jezui e përqendroi vëmendjen te nevojat frymore të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë në tokë. Pushtuesi pers Kiri në vitin 537 p.e.s. e çliroi mbetjen e judenjve nga Babilonia. Po ashtu, Jezui çliroi një mbetje izraelitësh frymorë, domethënë ithtarët e tij, nga ndikimi i Babilonisë moderne, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Romakëve 2:29; Zbulesa 18:1-5) Që nga viti 1919, adhurimi i pastër është rivendosur në vendin që i takon me të drejtë në jetën e të krishterëve të vërtetë. (Malakia 3:1-5) Prej asaj kohe, populli i Jehovait e ka adhuruar atë në tempullin e tij të pastruar frymor, që është rregulli i Perëndisë për adhurimin e pastër. Pse është e rëndësishme kjo për ne sot?

Ripërtëritja frymore: Pse ka rëndësi?

9. Çfarë bënë pas periudhës apostolike kishat e të ashtuquajturit krishterim me adhurimin e Perëndisë, por çfarë ka bërë Jehovai në ditët tona?

9 Ta shqyrtojmë çështjen nga këndvështrimi historik. Në shekullin e parë të krishterët patën shumë bekime frymore. Por Jezui dhe apostujt parathanë se adhurimi i vërtetë do të korruptohej e do të humbiste. (Mateu 13:24-30; Veprat 20:29, 30) Pas periudhës apostolike doli në skenë i ashtuquajturi krishterim. Klerikët e saj përvetësuan mësime dhe praktika pagane. Gjithashtu, e bënë gati të pamundur afrimin me Perëndinë, duke e përshkruar atë si një Trinitet të pakuptueshëm e duke u mësuar njerëzve t’u rrëfeheshin priftërinjve e t’i luteshin Marisë dhe ‘shenjtorëve’ të ndryshëm, në vend të Jehovait. Çfarë ka bërë Jehovai tani, pasi kanë kaluar shumë shekuj me një korruptim të tillë? Në mes të botës së sotme, të mbushur me mashtrime fetare dhe të ndotur nga praktikat e paperëndishme, ai ka ndërhyrë dhe ka rivendosur adhurimin e pastër. Mund të themi pa e tepruar se kjo rivendosje është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve tona.

10, 11. (a) Cilat janë dy aspektet që përfshin parajsa frymore dhe si ndikohesh ti prej tyre? (b) Ç’lloj njerëzish ka mbledhur Jehovai në parajsën frymore dhe cilën gjë do të jenë të privilegjuar të shohin me sytë e tyre?

10 Pra, të krishterët e vërtetë sot kanë një parajsë frymore. Çfarë përfshin kjo parajsë? Kryesisht dy aspekte. I pari është adhurimi i pastër i Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Ai na ka bekuar me një mënyrë adhurimi që është pa gënjeshtra e shtrembërime. Na ka bekuar me ushqim frymor. Kjo na jep mundësi të mësojmë për Atin tonë qiellor, t’i pëlqejmë dhe t’i afrohemi atij. (Gjoni 4:24) Aspekti i dytë i parajsës frymore ka të bëjë me njerëzit. Siç e paratha Isaia, «në pjesën përfundimtare të ditëve» Jehovai u ka mësuar adhuruesve të tij udhët e paqes. Ai e ka zhdukur luftën mes nesh. Pavarësisht nga papërsosmëritë tona, na ndihmon të veshim «personalitetin e ri». I bekon përpjekjet tona duke na dhënë frymën e tij të shenjtë, e cila prodhon te ne cilësi të shkëlqyera. (Efesianëve 4:22-24; Galatasve 5:22, 23) Kur vepron në harmoni me frymën e Perëndisë, je vërtet pjesë e parajsës frymore.

11 Jehovai ka mbledhur në këtë parajsë frymore llojin e njerëzve që Ai do: njerëz që e duan atë, që duan paqen e që janë «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore». (Mateu 5:3) Këta janë njerëzit që do të kenë privilegjin të shohin me sytë e tyre një ripërtëritje edhe më mahnitëse: ripërtëritjen e njerëzimit dhe të të gjithë tokës.

«Ja, unë po bëj çdo gjë të re»

12, 13. (a) Pse themi që profecitë e rivendosjes duhet të kenë edhe një përmbushje tjetër? (b) Cili është qëllimi i Jehovait për tokën, siç u tha në Eden, dhe pse kjo na jep shpresë për të ardhmen?

12 Shumë nga profecitë e rivendosjes përfshijnë më tepër sesa vetëm ripërtëritjen frymore. Për shembull, Isaia shkroi për një kohë kur të sëmurët, të çalët, të verbrit dhe të shurdhrit do të shëroheshin, e madje edhe vdekja do të gëlltitej përgjithnjë. (Isaia 25:8; 35:1-7) Këto premtime nuk patën ndonjë përmbushje të mirëfilltë në Izraelin e lashtë. E ndonëse në ditët tona kemi parë përmbushjen frymore të këtyre premtimeve, kemi plotësisht arsye për të besuar se në të ardhmen do të ketë një përmbushje të mirëfilltë e të plotë. Si e dimë këtë?

13 Në Eden Jehovai e bëri të qartë qëllimin që kishte për tokën: ajo do të banohej nga një familje njerëzore e lumtur, e shëndetshme dhe e bashkuar. Burri e gruaja duhej të kujdeseshin për tokën e për të gjitha krijesat e saj, në mënyrë që ta kthenin të gjithë planetin në parajsë. (Zanafilla 1:28) Ky përshkrim është shumë larg gjendjes së sotme të botës. Megjithatë, të jesh i sigurt se askush nuk mund t’u kundërvihet qëllimeve të Jehovait e të ketë sukses. (Isaia 55:10, 11) Këtë Parajsë mbarëbotërore do ta sjellë Jezui, si Mbreti mesianik i caktuar nga Jehovai.​—Luka 23:43.

14, 15. (a) Si do ta bëjë Jehovai «çdo gjë të re»? (b) Si do të jetë jeta në Parajsë dhe cili aspekt të tërheq më shumë?

14 Përfytyro ta shikosh të gjithë tokën të kthyer në Parajsë! Jehovai thotë në lidhje me këtë periudhë: «Ja, unë po bëj çdo gjë të re.» (Zbulesa 21:5) Mendo pak se ç’do të thotë kjo. Kur Jehovai të ketë mbaruar së përdoruri fuqinë e tij shkatërruese kundër këtij sistemi të vjetër e të lig, do të mbeten ‘qiej të rinj dhe një tokë e re’. Kjo do të thotë që një qeveri e re do të sundojë nga qielli mbi një shoqëri të re tokësore, të përbërë nga ata që e duan Jehovain e që kryejnë vullnetin e tij. (2 Pjetrit 3:13) Satanai dhe demonët e tij do të vihen në një gjendje joaktive. (Zbulesa 20:3) Për herë të parë pas mijëra vjetësh, njerëzimi do të jetë i lirë nga ky ndikim i korruptuar, i urryer e negativ. Pa dyshim, do të ndihemi jashtë mase të lehtësuar.

15 Më në fund do të jemi në gjendje të kujdesemi për këtë planet të bukur, ashtu siç pritej nga ne në fillim. Toka ka aftësi natyrore ripërtëritëse. Liqenet dhe lumenjtë e ndotur mund të pastrojnë vetveten në qoftë se hiqet burimi i ndotjes; peizazhet e dëmtuara nga luftërat mund të ripërtërihen në qoftë se pushojnë luftërat. Ç’kënaqësi do të jetë të punojmë në harmoni me ligjet natyrore të tokës, duke ndihmuar për ta kthyer në një park, në një Eden mbarëbotëror plot larmi! Në vend që të shkatërrojë kot llojet e kafshëve dhe të bimëve, njeriu do të jetë në paqe me gjithë krijimin në tokë. Edhe fëmijët s’do të kenë arsye për të pasur frikë nga kafshët e egra.​—Isaia 9:6, 7; 11:1-9.

16. Çfarë ripërtëritjeje do të provojë çdo individ besnik në Parajsë?

16 Do ta provojmë ripërtëritjen edhe në nivel personal. Pas Armagedonit, ata që do të mbijetojnë do të shohin shërime të mrekullueshme në shkallë botërore. Siç bëri kur ishte në tokë, Jezui do ta përdorë fuqinë që i ka dhënë Perëndia për t’u kthyer shikimin të verbërve, dëgjimin të shurdhërve, shëndetin fizik të gjymtuarve e të sëmurëve. (Mateu 15:30) Të moshuarit do të kënaqen kur të rifitojnë forcën, shëndetin dhe gjallërinë rinore. (Jobi 33:25) Rrudhat do të zhduken, gjymtyrët do të drejtohen dhe muskujt do të punojnë me fuqi të ripërtërirë. I gjithë njerëzimi besnik do ta ndiejë se efektet e mëkatit dhe të papërsosmërisë zvogëlohen dalëngadalë, derisa zhduken. Sa shumë do ta falënderojmë Perëndinë Jehova për fuqinë e tij të mrekullueshme ripërtëritëse! Le të përqendrohemi tani në një aspekt veçanërisht inkurajues të kësaj kohe drithëruese ripërtëritjeje.

U rikthen jetën të vdekurve

17, 18. (a) Pse i qortoi Jezui saducenjtë? (b) Cilat rrethana e bënë Elijan t’i lutej Jehovait që të kryente një ringjallje?

17 Në shekullin e parë të e.s. disa udhëheqës fetarë të njohur me emrin saducenj nuk besonin te ringjallja. Jezui i qortoi me këto fjalë: «E keni gabim, sepse nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë.» (Mateu 22:29) Po, Shkrimet bëjnë të qartë se Jehovai e ka këtë fuqi ripërtëritëse. Si kështu?

18 Përfytyroni çfarë ndodhi në kohën e Elijas. Një vejushë po mbante në krahë trupin e lëshuar të birit të saj të vetëm. Djali kishte vdekur. Profeti Elija, i cili kishte qenë mysafir te kjo vejushë për ca kohë, duhet të ketë mbetur i tronditur. Më parë ai e kishte ndihmuar këtë fëmijë që të mos vdiste nga uria dhe ka të ngjarë të ishte lidhur fort me të. Kurse nëna ishte zemërplasur. Ky djalë kishte qenë i vetmi person i gjallë që i kujtonte të shoqin e vdekur. Ndoshta kishte shpresuar që kur ajo të plakej, i biri do të kujdesej për të. Vejusha e pështjelluar kishte frikë se mos po ndëshkohej për ndonjë gabim që kishte bërë në të kaluarën. Elija nuk duronte dot ta shihte këtë tragjedi që vazhdonte të rëndohej. Me butësi ai ia mori nënës kufomën nga krahët, e çoi në dhomën e tij dhe iu lut Perëndisë Jehova që t’i rikthente fëmijës shpirtin ose jetën.​—1 Mbretërve 17:8-21.

19, 20. (a) Si tregoi Abrahami se kishte besim në fuqinë ripërtëritëse të Jehovait dhe cila ishte baza për një besim të tillë? (b) Si e shpërbleu Jehovai besimin e Elijas?

19 Elija nuk ishte i pari njeri që besonte te ringjallja. Abrahami, i cili kishte jetuar shekuj më parë, me arsye të vlefshme kishte besuar se Jehovai e kishte këtë fuqi ripërtëritëse. Kur Abrahami ishte 100 vjeç dhe Sara 90, Jehovai u riktheu aftësitë riprodhuese që u kishin humbur dhe me anë të një mrekullie i dha mundësi Sarës që të lindte një djalë. (Zanafilla 17:17; 21:2, 3) Më vonë, kur djali ishte i rritur, Jehovai i kërkoi Abrahamit që ta flijonte të birin. Abrahami tregoi besim, duke qenë i mendimit se Jehovai mund ta kthente prapë në jetë Isakun e tij të dashur. (Hebrenjve 11:17-19) Ky besim i fortë mund të shpjegojë përse Abrahami, para se të ngjitej në mal për të flijuar të birin, i siguroi shërbëtorët e tij se ai dhe Isaku do të ktheheshin së bashku.​—Zanafilla 22:5.

«Shiko, biri yt është gjallë»

20 Jehovai e kurseu Isakun, kështu që në atë kohë nuk pati nevojë për të bërë një ringjallje. Mirëpo, në rastin e Elijas i biri i vejushës tashmë kishte vdekur. Por jo për shumë kohë, pasi Jehovai e shpërbleu besimin e profetit duke e ringjallur fëmijën. Më pas Elija ia ktheu djalin së ëmës, duke i thënë këto fjalë të paharrueshme: «Shiko, biri yt është gjallë.»​—1 Mbretërve 17:22-24.

21, 22. (a) Cili ishte qëllimi i ringjalljeve që janë dokumentuar në Shkrime? (b) Ç’përmasa do të kenë ringjalljet në Parajsë dhe kush do t’i kryejë ato?

21 Kështu, për herën e parë në dokumentimin biblik, shohim që Jehovai e përdori fuqinë e tij për të rikthyer në jetë një njeri. Më vonë Jehovai u dha fuqi edhe Eliseut, Jezuit, Pavlit e Pjetrit që të rikthenin në jetë të vdekur. Sigurisht, ata që u ringjallën, me kalimin e kohës vdiqën prapë. Megjithatë, këto tregime biblike na japin një pamje paraprake të mrekullueshme të gjërave që do të vijnë.

22 Në Parajsë Jezui do të përmbushë rolin e tij si «ringjallja dhe jeta». (Gjoni 11:25) Ai do të ringjallë miliona e miliona njerëz, duke u dhënë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. (Gjoni 5:28, 29) Përfytyro kur miqtë dhe të afërmit e dashur, të ndarë prej kohësh nga vdekja, të ribashkohen duke përqafuar njëri-tjetrin, të shastisur nga gëzimi! I gjithë njerëzimi do ta lavdërojë Jehovain për fuqinë e tij ripërtëritëse.

23. Cila ishte shfaqja më e madhe e fuqisë së Jehovait dhe si na e bën të sigurt kjo shpresën tonë për të ardhmen?

23 Jehovai ka siguruar një garanci të fortë e të patundshme që kjo shpresë është e sigurt. Në shfaqjen më të madhe të fuqisë së tij, ai e ringjalli Birin e vet, Jezuin, si krijesë të fuqishme frymore, duke i dhënë vendin e dytë vetëm pas vetë Jehovait. Jezui i ringjallur iu shfaq qindra dëshmitarëve okularë. (1 Korintasve 15:5, 6) Edhe për ata që s’para besojnë, kjo dëshmi duhet të jetë e mjaftueshme. Jehovai ka fuqinë për të rikthyer jetën.

24. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit, e cilën shpresë mund të ushqejë secili prej nesh?

24 Jehovai jo vetëm që ka fuqinë për të rikthyer në jetë të vdekurit, por ka edhe dëshirën për ta bërë këtë. Jobi besnik u frymëzua të thoshte se Jehovai në të vërtetë dëshiron me zjarr t’i kthejë në jetë të vdekurit. (Jobi 14:15) A nuk ndihesh i tërhequr ndaj Perëndisë tonë, i cili është gati të përdorë fuqinë e tij ripërtëritëse në një mënyrë kaq të dashur? Por, mos harro se ringjallja është vetëm një aspekt i veprës së madhe ripërtëritëse që do të bëjë Jehovai. Ndërsa i afrohesh edhe më shumë atij, mbaje gjithnjë fort shpresën e çmuar se edhe ti mund ta shohësh me sytë e tu kur Jehovai ‘të bëjë çdo gjë të re’!​—Zbulesa 21:5.

^ par. 3 «Kohët e rivendosjes së të gjitha gjërave» filluan kur u vendos Mbretëria mesianike me një trashëgimtar të mbretit David në fron. Jehovai i kishte premtuar Davidit se një nga trashëgimtarët e tij do të vazhdonte të sundonte përgjithmonë. (Psalmi 89:35-37) Por, pasi Babilonia shkatërroi Jerusalemin në vitin 607 p.e.s., asnjë pasardhës njerëzor i Davidit nuk u ul më në fronin e Perëndisë. Jezui, i cili lindi në tokë si trashëgimtar i Davidit, u bë ai Mbret i premtuar që prej shumë kohësh, kur hipi në fron në qiell.

^ par. 6 Këtë temë, për shembull, e zhvilluan të gjithë këta shkrimtarë: Moisiu, Isaia, Jeremia, Ezekieli, Hozea, Joeli, Amosi, Abdia, Mikea dhe Sofonia.