Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 21

Jezui zbulon ‘mençurinë prej Perëndisë’

Jezui zbulon ‘mençurinë prej Perëndisë’

1-3. Si iu përgjigjën mësimit të Jezuit fqinjët e tij të mëparshëm dhe çfarë nuk arritën të kuptonin për vetë Jezuin?

AUDITORI kishte mbetur i shtangur. Jezui po qëndronte para tyre në sinagogë dhe po i mësonte. Ky i ri s’ishte i huaj për ta, pasi ishte rritur në qytetin e tyre dhe për vite të tëra kishte punuar atje si zdrukthëtar. Ndoshta disa prej tyre jetonin në shtëpi për të cilat Jezui kishte ndihmuar që t’i ndërtonin ose e punonin tokën me plugje dhe zgjedha që ai i kishte bërë me duart e tij. * Por, si do t’i përgjigjeshin ata mësimit të këtij ish-zdrukthëtari?

2 Shumica e atyre që po dëgjonin u shtangën dhe pyetën: «Ku e mori ky njeri këtë mençuri?» Pastaj thanë edhe: «Ky është zdrukthëtari, i biri i Marisë.» (Mateu 13:54-58; Marku 6:1-3) Mjerisht fqinjët e mëparshëm të Jezuit arsyetuan: ‘Ky zdrukthëtar s’është veçse një vendës si ne.’ Pavarësisht nga mençuria që gjendej në fjalët e tij, ata e hodhën poshtë. Nuk e dinin se mençuria që po u shfaqte ai nuk ishte e tij.

3 Ku e mori Jezui këtë mençuri? «Ajo që mësoj nuk është e imja,​—tha ai,​—por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Apostulli Pavël shpjegoi se Jezui «është bërë për ne mençuri prej Perëndisë». (1 Korintasve 1:30) Mençuria e vetë Jehovait është zbuluar nëpërmjet Birit të tij, Jezuit. Kjo ishte kaq e vërtetë, saqë Jezui mundi të thoshte: «Unë dhe Ati jemi një.» (Gjoni 10:30) Le të shqyrtojmë tri fusha ku Jezui shfaqi ‘mençurinë prej Perëndisë’.

Gjërat që mësonte

4. (a) Cila ishte tema e mesazhit të Jezuit dhe pse kjo ishte shumë e rëndësishme? (b) Pse këshillat e Jezuit ishin gjithnjë praktike dhe për të mirën e dëgjuesve të tij?

4 Së pari shqyrto gjërat që mësonte Jezui. Tema e mesazhit të tij ishte ‘lajmi i mirë i mbretërisë’. (Luka 4:43) Kjo ishte shumë e rëndësishme, për shkak të rolit që do të luante Mbretëria për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait dhe për t’i sjellë bekime të qëndrueshme njerëzimit. Kur mësonte, Jezui jepte edhe këshilla të mençura për jetën e përditshme. U bë vërtet ‘Këshilltari i Mrekullueshëm’ që ishte parathënë. (Isaia 9:6) Në të vërtetë, si të mos ishin të mrekullueshme këshillat e tij? Ai kishte njohuri të thellë për Fjalën dhe për vullnetin e Perëndisë, kuptueshmëri të mprehtë për natyrën njerëzore dhe dashuri të madhe për njerëzimin. Prandaj, këshillat që jepte ishin gjithnjë praktike dhe për të mirën e dëgjuesve të tij. Jezui thoshte «fjalë jete të përhershme». Po, këshillat e tij, kur ndiqen, çojnë në shpëtim.​—Gjoni 6:68.

5. Cilat ishin disa nga temat që trajtoi Jezui në Predikimin në Mal?

5 Predikimi në Mal është një shembull i jashtëzakonshëm i mençurisë së pakrahasueshme që gjendet në mësimet e Jezuit. Ndoshta do të jenë dashur vetëm 20 minuta për të mbajtur këtë predikim, të dokumentuar te Mateu 5:3–7:27. Megjithatë, këshillat që gjenden aty vlejnë për çdo kohë dhe janë po aq të zbatueshme sot, sa edhe në kohën kur u dhanë. Jezui foli për një shumëllojshmëri temash, si për shembull: si të përmirësojmë marrëdhëniet me të tjerët (5:23-26, 38-42; 7:1-512), si të mbahemi të pastër moralisht (5:27-32) e si të bëjmë një jetë domethënëse (6:19-24; 7:24-27). Por nuk u mjaftua vetëm duke u thënë dëgjuesve të tij se cila është rruga më e mençur për t’u ndjekur. Ai ua tregoi këtë duke shpjeguar, duke arsyetuar dhe duke dhënë prova.

6-8. (a) Çfarë arsyesh bindëse jep Jezui për të shmangur ankthin? (b) Çfarë tregon se këshillat e Jezuit pasqyrojnë mençurinë nga lart?

6 Shqyrto, për shembull, këshillën e mençur të Jezuit se si të përballojmë ankthin për gjërat materiale, këshillë që e gjejmë në kapitullin 6 të Mateut. «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, apo për trupat tuaj, se ç’do të vishni»,​—na këshillon Jezui. (Vargu 25) Ushqimi dhe veshja janë gjëra të domosdoshme dhe është krejt e natyrshme të jemi të shqetësuar për të pasur këto gjëra. Por Jezui na thotë që ‘të mos jemi më në ankth’ për gjëra të tilla. * Pse?

7 Dëgjo se ç’arsyetim bindës bën Jezui. Meqë Jehovai na ka dhënë jetën dhe trupin, a nuk mund të na sigurojë ai ushqim për të na mbajtur në jetë dhe veshje për të veshur trupin tonë? (Vargu 25) Në qoftë se Perëndia u jep zogjve ushqim dhe i vesh bukur lulet, sa më tepër do të kujdeset për njerëzit që janë adhurues të tij! (Vargjet 26, 28-30) Në të vërtetë, ankthi i tepërt është gjithsesi i kotë. Ai nuk mund të na e zgjatë jetën as edhe një çast më shumë. * (Vargu 27) Si ta shmangim ankthin? Jezui këshillon: vazhdo t’i japësh adhurimit të Perëndisë përparësi në jetë. Ata që veprojnë kështu mund të jenë të sigurt se të gjitha nevojat e përditshme ‘do t’u shtohen’ nga Ati i tyre qiellor. (Vargu 33) Në fund, Jezui jep një sugjerim shumë praktik: merri ditët një e nga një. Pse t’u shtosh anktheve të sotme edhe ato të ditës së nesërme? (Vargu 34) Veç kësaj, pse të shqetësohesh së tepërmi për gjëra që mund të mos ndodhin kurrë? Zbatimi i këtyre këshillave të mençura mund të na kursejë shumë dhembje në këtë botë stresuese.

8 Është e qartë se këshillat që dha Jezui janë po aq praktike sot, sa ishin atëherë kur u dhanë, rreth 2.000 vjet më parë. A nuk është kjo dëshmi e mençurisë nga lart? Për sa u përket këshilluesve njerëzore, edhe këshillat më të mira të tyre kanë prirjen të vjetërohen dhe shumë shpejt rishikohen ose zëvendësohen. Ndërsa mësimet e Jezuit i kanë qëndruar provës së kohës. Por kjo nuk duhet të na habitë, sepse ky Këshilltar i Mrekullueshëm fliste «fjalët e Perëndisë».​—Gjoni 3:34.

Mënyra se si mësonte

9. Çfarë thanë disa ushtarë për mësimdhënien e Jezuit dhe pse nuk po e tepronin duke folur kështu?

9 Fusha e dytë në të cilën Jezui pasqyroi mençurinë e Perëndisë ishte mënyra se si mësonte. Në një rast, disa ushtarë që ishin dërguar për ta arrestuar u kthyen duarbosh, duke thënë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» (Gjoni 7:45, 46) Ata nuk po e tepronin. Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë, Jezui, i cili ishte «nga sferat e sipërme», kishte bagazhin më të madh të njohurisë dhe të përvojës. (Gjoni 8:23) Ai mësoi vërtet në një mënyrë që asnjë njeri tjetër nuk mund të mësonte. Shqyrto vetëm dy nga metodat që përdori ky Mësues i mençur.

«Turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte ai»

10, 11. (a) Pse është e natyrshme të mrekullohemi duke parë se si i përdorte ilustrimet Jezui? (b) Çfarë janë shëmbëlltyrat dhe cili shembull e tregon pse shëmbëlltyrat e Jezuit janë kaq të efektshme për të mësuar të tjerët?

10 Përdorimi i efektshëm i ilustrimeve. «Jezui ua tha [gjërat] turmave me anë të ilustrimeve,​—na thuhet.​—Në fakt, pa ilustrim s’u fliste atyre.» (Mateu 13:34) Nuk mund të mos mrekullohemi nga aftësia e tij e pakrahasueshme për të mësuar të vërteta të thella nëpërmjet gjërave të jetës së përditshme. Bujq që mbillnin farëra, gra që bënin bukë, fëmijë që luanin në sheshin e pazarit, peshkatarë që hidhnin rrjetat, barinj që kërkonin delet e humbura​—këto ishin gjëra që dëgjuesit e tij i kishin parë shumë herë. Kur të vërteta të rëndësishme lidhen me gjëra të njohura, këto të vërteta nguliten shpejt dhe thellë në mendje e në zemër.​—Mateu 11:16-19; 13:3-8, 33, 47-50; 18:12-14.

11 Shpesh Jezui përdorte shëmbëlltyra, domethënë tregime të shkurtra nga të cilat mund të nxirren të vërteta morale ose frymore. Meqë tregimet kuptohen dhe mbahen mend më me lehtësi se idetë abstrakte, shëmbëlltyrat ndihmuan për të ruajtur mësimin e Jezuit. Në shumë shëmbëlltyra Jezui e përshkroi Atin e tij me ilustrime të gjalla që s’ishte e lehtë t’i harroje. Për shembull, kush nuk e kupton thelbin e shëmbëlltyrës së djalit plëngprishës, pra që, kur dikush që ka gabuar pendohet me të vërtetë, Jehovait i vjen keq dhe e pranon përsëri me butësi atë?​—Luka 15:11-32.

12. (a) Si i përdori Jezui pyetjet në mësimin e tij? (b) Si ua mbylli gojën Jezui atyre që vunë në dyshim autoritetin e tij?

12 Përdorimi me mjeshtëri i pyetjeve. Jezui i përdori pyetjet që dëgjuesit të arrinin vetë në përfundime, të shqyrtonin motivet e tyre ose të merrnin vendime. (Mateu 12:24-30; 17: 24-27; 22:41-46) Kur udhëheqësit fetarë vunë në dyshim nëse atij ia kishte dhënë Perëndia autoritetin, Jezui u përgjigj: «Pagëzimi prej Gjonit, ishte nga qielli apo nga njerëzit?» Të shtangur nga kjo pyetje, ata arsyetuan mes tyre: «Po të themi ‘nga qielli’, do të na thotë: ‘Përse, atëherë, nuk i besuat?’ Ndërsa, po të themi ‘nga njerëzit’, ia kemi frikën turmës, sepse ata të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.» Kështu që u përgjigjën: «Nuk e dimë.» (Marku 11:27-33; Mateu 21:23-27) Me një pyetje të thjeshtë Jezui i la pa fjalë dhe zbuloi pabesinë që kishin në zemër.

13-15. Si e pasqyron shëmbëlltyra e samaritanit të mirë mençurinë e Jezuit?

13 Nganjëherë Jezui i kombinonte metodat duke gërshetuar në ilustrimet e tij pyetje që të bënin të mendoheshe. Kur një avokat jude e pyeti se çfarë kërkohej për të fituar jetën e përhershme, Jezui e drejtoi te Ligji i Moisiut, i cili urdhëron të duam Perëndinë dhe të afërmin. Duke dashur të dilte i drejtë, burri e pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui iu përgjigj duke i treguar një histori. Një jude po udhëtonte vetëm kur e sulmuan disa kusarë që e lanë gjysmë të vdekur. Më pas kaluan aty dy judenj, së pari një prift e pastaj një levit. Që të dy bënë sikur s’e panë. Por pastaj kaloi një samaritan. I shtyrë nga keqardhja, ai ia mjekoi me butësi plagët viktimës e me dashuri e çoi në një han ku mund të rrinte derisa të shërohej. Në përfundim të tregimit, Jezui i tha atij që i kishte bërë pyetjen: «Cili prej këtyre të treve të duket se u bë i afërm i njeriut që ra mes kusarëve?» Ai njeri ishte i detyruar të përgjigjej: «Ai që veproi në mënyrë të mëshirshme ndaj tij.»​—Luka 10:25-37.

14 Si e pasqyron kjo shëmbëlltyrë mençurinë e Jezuit? Në kohën e Jezuit, judenjtë e përdornin termin «i afërm» vetëm për ata që mbanin traditat e tyre, e sigurisht jo për samaritanët. (Gjoni 4:9) Sikur Jezui ta kishte treguar historinë duke e paraqitur samaritanin si viktima dhe judeun si ai që e ndihmoi, a do t’i kishte hequr paragjykimet kjo? Me mençuri Jezui e formuloi historinë në mënyrë që të ishte samaritani ai që u kujdes me butësi për një jude. Vër re, gjithashtu, pyetjen që bëri Jezui në fund të tregimit. E zhvendosi qendrën e vëmendjes për sa i përket termit «i afërm». Në të vërtetë, avokati kishte pyetur: ‘Kujt duhet t’ia tregoj dashurinë time për të afërmin?’ Kurse Jezui pyeti: «Cili prej këtyre të treve të duket se u bë i afërm?» Jezui nuk u përqendrua tek ai që mori këtë mirëdashje, pra te viktima, por tek ai që tregoi mirëdashje, te samaritani. Një i afërm i vërtetë merr nismën për t’u treguar dashuri të tjerëve, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike. Vështirë se Jezui mund ta kishte bërë të qartë më me efektshmëri atë që donte të thoshte.

15 A është për t’u çuditur që njerëzit ishin të mahnitur nga «mënyra se si mësonte» Jezui dhe që ndiheshin të tërhequr drejt tij? (Mateu 7:28, 29) Në një rast, ‘një turmë e madhe’ i qëndroi pranë për tri ditë, pa ngrënë fare!​—Marku 8:1, 2.

Mënyra se si jetonte

16. Si dha «provë praktike» Jezui se udhëhiqej nga mençuria hyjnore?

16 Fusha e tretë në të cilën Jezui pasqyroi mençurinë e Jehovait ishte mënyra se si jetonte. Mençuria është praktike, funksionon. «Kush ndër ju është i mençur?»​—pyeti dishepulli Jakov. Pastaj, iu përgjigj vetë pyetjes së tij, duke thënë: «Sjellja e tij e drejtë le të japë provë praktike për këtë.» (Jakovit 3:13, The New English Bible) Sjellja e Jezuit dha ‘prova praktike’ se ai udhëhiqej nga mençuria hyjnore. Le të shqyrtojmë se si shfaqi gjykim të shëndoshë në mënyrën si jetonte vetë dhe si i trajtonte të tjerët.

17. Çfarë provash ka se Jezui kishte një ekuilibër të përsosur në jetën e tij?

17 A e ke vënë re se njerëzit që s’kanë gjykim të shëndoshë shpesh shkojnë në ekstreme? Puna është se duhet mençuri për të qenë i ekuilibruar. Jezui kishte një ekuilibër të përsosur sepse pasqyronte mençurinë hyjnore. Mbi të gjitha, vinte gjërat frymore në vend të parë në jetën e tij. Ishte shumë i zënë me veprën e shpalljes së lajmit të mirë. «Për këtë qëllim kam dalë»,​—tha ai. (Marku 1:38) Natyrisht, gjërat materiale nuk kishin rëndësi parësore për të, madje duket se kishte shumë pak nga ana materiale. (Mateu 8:20) Megjithatë, nuk bënte një jetë prej asketi. Ashtu si Ati i tij, ‘Perëndia i lumtur’, Jezui ishte një njeri i gëzuar dhe ua shtonte gëzimin të tjerëve. (1 Timoteut 1:11; 6:15) Kur shkoi në një dasëm, ku zakonisht ka muzikë, këngë e hare, ai nuk shkoi për të prishur lezetin e saj. Kur mbaroi vera, e ktheu ujin në verë të shkëlqyer, pije që «ia gëzon zemrën njeriut». (Psalmi 104:15; Gjoni 2:1-11) Jezui pranoi shumë ftesa për të ngrënë dhe shpesh i përdori këto raste që të mësonte të tjerët.​—Luka 10:38-42; 14:1-6.

18. Si shfaqi Jezui gjykim të përkryer në mënyrën se si i trajtonte dishepujt e tij?

18 Jezui shfaqi gjykim të përkryer në mënyrën se si i trajtonte të tjerët. Gjykimi i thellë që kishte për natyrën njerëzore i jepte një tablo të qartë për dishepujt e tij. E dinte mirë se ata nuk ishin të përsosur. Por, prapëseprapë, vinte re tek ata cilësi të mira. Vinte re potencialin që kishin këta njerëz, të cilët i kishte tërhequr vetë Jehovai. (Gjoni 6:44) Megjithëse kishin mangësi, Jezui tregoi gatishmëri për t’u besuar. Duke dhënë prova të atij besimi, ai u delegoi një përgjegjësi të madhe dishepujve të tij. I caktoi që të predikonin lajmin e mirë dhe ishte i sigurt se do të ishin të aftë për ta përmbushur këtë caktim. (Mateu 28:19, 20) Libri i Veprave dëshmon se ata e çuan deri në fund me besnikëri veprën që ai u kishte urdhëruar të bënin. (Veprat 2:41, 42; 4:33; 5:27-32) Pra, është e qartë se Jezui u tregua i mençur duke u besuar atyre.

19. Si e tregoi Jezui se ishte «me natyrë të butë dhe i përulur në zemër»?

19 Siç e vumë re në kapitullin 20, Bibla e shoqëron përulësinë dhe butësinë me mençurinë. Patjetër që Jehovai lë shembullin më të mirë në këtë aspekt. Por, ç’të themi për Jezuin? Na ngrohet zemra kur vërejmë se çfarë përulësie tregoi Jezui në marrëdhëniet me dishepujt e tij. Si njeri i përsosur, ai ishte më lart se ata, por megjithatë nuk i shihte me përbuzje dishepujt. Nuk përpiqej kurrë t’i bënte të ndiheshin më të ulët ose të paaftë. Përkundrazi, i merrte parasysh kufizimet e tyre dhe ishte i durueshëm me mangësitë që kishin. (Marku 14:34-38; Gjoni 16:12) A nuk është domethënëse që edhe fëmijët ndiheshin rehat me Jezuin? Natyrisht që ndiheshin të tërhequr drejt tij, sepse e ndienin që ishte «me natyrë të butë dhe i përulur në zemër».​—Mateu 11:29; Marku 10:13-16.

20. Si shfaqi arsyetueshmëri Jezui në mënyrën se si veproi me një grua johebreje, e cila e kishte vajzën të demonizuar?

20 Jezui e pasqyroi përulësinë e Perëndisë edhe në një drejtim tjetër të rëndësishëm. Ai ishte i arsyeshëm ose hapte rrugë, kur mëshira e bënte të përshtatshme këtë. Kujto për shembull rastin kur një grua johebreje iu lut që t’i shëronte të bijën, që ishte e demonizuar keqas. Në tri mënyra të ndryshme, fillimisht Jezui i tregoi se nuk do ta ndihmonte: së pari, nuk iu përgjigj fare; së dyti, i tha shkoqur se nuk ishte dërguar te johebrenjtë, por te judenjtë; së treti, i dha një ilustrim që me mirësjellje e bënte të qartë pikën. Mirëpo, gruaja nguli këmbë, duke treguar besim të jashtëzakonshëm. Si reagoi Jezui duke marrë parasysh këtë rrethanë fare të veçantë? Ai bëri pikërisht atë që kishte thënë se nuk do ta bënte. Ia shëroi të bijën asaj gruaje. (Mateu 15:21-28) Një përulësi e jashtëzakonshme, apo jo?! E mos harro se përulësia është baza e mençurisë së vërtetë.

21. Pse duhet të përpiqemi të imitojmë personalitetin, të folurit dhe mënyrën se si vepronte Jezui?

21 Sa mirënjohës mund të jemi që Ungjijtë na zbulojnë fjalët dhe veprimet e njeriut më të mençur që ka jetuar ndonjëherë! Le të mos harrojmë se Jezui e pasqyroi me përsosmëri Atin e tij. Duke imituar personalitetin, të folurit dhe mënyrën se si vepronte Jezui, do të zhvillojmë mençurinë nga lart. Në kapitullin vijues, do të shohim se si mund ta zbatojmë mençurinë hyjnore në jetën tonë.

^ par. 1 Në kohët biblike zdrukthëtarët punësoheshin për të ndërtuar shtëpi, për të bërë mobilje dhe vegla bujqësore. Justin Martiri i shekullit të dytë të e.s. shkroi për Jezuin: «Ai e kishte zakon të punonte si zdrukthëtar kur ishte mes njerëzve, duke bërë plugje dhe zgjedha.»

^ par. 6 Folja greke e përkthyer «të jesh në ankth» do të thotë «ta kesh mendjen të shpërqendruar». Siç është përdorur te Mateu 6:25, ajo i referohet frikës dhe shqetësimit që e bën mendjen të shpërqendrohet ose të shpërndahet, duke i hequr gëzimin jetës.

^ par. 7 Pikërisht, kërkimet shkencore kanë treguar se shqetësimi dhe stresi i tepërt mund të na vënë në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të shumë sëmundjeve të tjera që mund të na e shkurtojnë jetën.