Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 9

Noeja ndërton një arkë

Noeja ndërton një arkë

NOEJA kishte gruan dhe tre djem. Djemtë e tij quheshin Sem, Kam dhe Jafet. Secili nga djemtë kishte gruan e tij. Pra, gjithsej, familja e Noesë kishte tetë veta.

Perëndia i tha Noesë të bënte një gjë të çuditshme. I tha të ndërtonte një arkë të madhe. Kjo arkë ishte e madhe si një anije, por kishte formën e një kutie të lartë e të gjatë. ‘Bëje me tri kate,—i tha Perëndia,—dhe brenda bëj dhoma.’ Dhomat do të ishin për Noenë dhe për familjen e tij, për kafshët dhe për gjithë ushqimin që do t’u duhej.

Gjithashtu, Perëndia i tha Noesë ta lyente arkën me zift nga jashtë e nga brenda, që të mos futej uji. Perëndia i tha: ‘Unë do të sjell një përmbytje të madhe dhe do të shkatërroj tërë botën. Çdo njeri që nuk është në arkë do të vdesë.’

Noeja dhe bijtë e tij iu bindën Jehovait dhe filluan të ndërtonin arkën. Por njerëzit e tjerë talleshin dhe vazhdonin të ishin të këqij. Asnjë nuk e besoi Noenë kur u thoshte se çfarë do të bënte Perëndia.

Meqë arka ishte shumë e madhe, u desh shumë kohë për ta ndërtuar. Më në fund, pas shumë vitesh, e përfunduan. Atëherë, Perëndia i tha Noesë të sillte kafshët në arkë. Për disa lloje kafshësh, Perëndia i tha Noesë të fuste brenda nga dy, mashkull dhe femër. Por për llojet e tjera, i tha të fuste në arkë nga shtatë. I tha edhe të fuste brenda nga të gjitha llojet e zogjve. Noeja bëri pikërisht çfarë i tha Perëndia.

Pastaj edhe Noeja me familjen e tij hyri në arkë. Atëherë, Perëndia mbylli derën. Brenda në arkë, Noeja dhe familja e tij prisnin. Mendo sikur je edhe ti aty në arkë bashkë me ta, duke pritur. A do të ketë me të vërtetë përmbytje, ashtu siç tha Perëndia?