Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 6

Një bir i mirë dhe një i keq

Një bir i mirë dhe një i keq

SHIKOJI tani Kainin dhe Abelin. Të dy janë rritur. Kaini është bërë bujk. Ai rrit grurë, fruta dhe perime.

Abeli është bërë bari delesh. Atij i pëlqen të kujdeset për qengjat e vegjël. Këta qengja rriten dhe bëhen dele të mëdha, kështu që s’kalon shumë kohë dhe Abeli ka një tufë të madhe me dele për t’u kujdesur.

Një ditë, Kaini dhe Abeli i sjellin një dhuratë Perëndisë. Kaini i sjell disa ushqime që ka prodhuar vetë, kurse Abeli i sjell delet më të mira që ka. Jehovai është i kënaqur me Abelin dhe me dhuratën e tij, por nuk është i kënaqur me Kainin dhe me dhuratën e tij. A e di pse?

Jo se dhurata e Abelit është më e mirë se e Kainit, por sepse Abeli është njeri i mirë. Ai e do Jehovain dhe vëllanë e tij. Kurse Kaini është i keq, nuk e do vëllanë e tij.

Prandaj Perëndia i thotë Kainit se duhet të ndryshojë sjelljen e tij. Por Kaini nuk e dëgjon. Ai është shumë i zemëruar që Perëndia pëlqeu më shumë Abelin. Prandaj Kaini i thotë Abelit: ‘Hajde të shkojmë në fushë.’ Atje, kur janë vetëm, Kaini e godet vëllanë e tij, Abelin. E godet aq fort, sa e vret. A nuk është një gjë shumë e keqe ajo që bëri Kaini?

Edhe pse Abeli vdiq, Perëndia e kujton akoma. Abeli ishte i mirë dhe Jehovai nuk e harron kurrë një njeri të mirë. Një ditë Perëndia Jehova do ta sjellë Abelin përsëri në jetë. Atëherë Abeli nuk do të vdesë më kurrë. Ai do të jetojë këtu në tokë përgjithmonë. A nuk do të jetë bukur të njohësh njerëz si Abeli?

Por Perëndia nuk kënaqet me njerëz si Kaini i lig. Kështu, pasi Kaini vrau vëllanë e vet, Perëndia e ndëshkoi duke e dëbuar larg familjes së tij. Kur Kaini shkoi të jetojë në një vend tjetër të tokës, mori me vete një nga motrat dhe ajo u bë gruaja e tij.

Më vonë Kaini dhe gruaja e tij patën fëmijë. Edhe djemtë e vajzat e tjera të Adamit dhe Evës u martuan, e pastaj patën fëmijë. Shpejt toka ishte mbushur me njerëz. Le të mësojmë për disa prej tyre.