TREGIMI 2
Një kopsht i bukur
SHIKOJE tokën këtu! Sa e bukur është çdo gjë! Shiko barin, pemët, lulet dhe të gjitha kafshët. A e gjen dot në figurë elefantin dhe luanët?
Si u bë ky kopsht i bukur? Le të shohim si e përgatiti Perëndia tokën për ne.
Së pari, Perëndia bëri barin e gjelbër, që të mbulonte tokën. Bëri edhe lloj-lloj bimësh të vogla, shkurresh dhe pemësh. Duke u rritur, këto bimë ndihmojnë që toka të zbukurohet. Por nuk bëjnë vetëm këtë. Shumë prej tyre na japin ushqime, që kanë shije shumë të mirë.
Më vonë, Perëndia bëri peshqit, që të notonin në ujë dhe zogjtë, që të fluturonin në qiell. Bëri qentë, macet dhe kuajt, kafshët e mëdha dhe të vogla. Çfarë kafshësh jetojnë pranë shtëpisë sate? A nuk duhet të jemi të gëzuar që Perëndia ka bërë gjithë këto gjëra për ne?
Në fund, Perëndia e ktheu një pjesë të tokës një vend shumë të veçantë. Këtë vend e quajti kopshti i Edenit. Ky kopsht ishte i përsosur. Aty çdo gjë ishte e bukur. Perëndia donte që e gjithë toka të bëhej njësoj si ky kopsht i bukur që krijoi.
Por, shikoje përsëri kopshtin në figurë. Perëndia pa se mungonte diçka. A e di se çfarë? Le ta shohim.