Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 14

Perëndia sprovon besimin e Abrahamit

Perëndia sprovon besimin e Abrahamit

A E DALLON çfarë po bën Abrahami këtu? Ka një thikë në dorë dhe duket sikur do të vrasë djalin e tij. Po pse ta bëjë këtë? Më parë, le të shohim se si e patën këtë djalë Abrahami dhe Sara.

Të kujtohet që Perëndia u premtoi se do të kishin një djalë? Por kjo dukej e pamundur, sepse Abrahami dhe Sara ishin shumë të moshuar. Megjithatë, Abrahami besonte se Perëndia mund të bënte çdo gjë, edhe kur dukej e pamundur. Çfarë ndodhi, pra?

Kaloi plot një vit, që kur Perëndia bëri premtimin e vet. Pastaj, kur Abrahami ishte 100 vjeç dhe Sara 90 vjeçe, u lindi një djalë që e quajtën Isak. Perëndia e mbajti premtimin!

Por kur Isaku u rrit, Jehovai e vuri në provë besimin e Abrahamit. Ai thirri: ‘Abraham!’ Dhe Abrahami u përgjigj: ‘Ja ku jam!’ Atëherë Perëndia i tha: ‘Merre birin tënd, birin tënd të vetëm, Isakun dhe shko në malin që do të tregoj. Atje vrite djalin tënd dhe paraqite si një flijim.’

Sa u trishtua Abrahami nga këto fjalë, sepse e donte shumë djalin e tij! Të kujtohet, Perëndia kishte premtuar se fëmijët e Abrahamit do të jetonin në tokën e Kanaanit. Por, si do të ndodhte kjo, po të vdiste Isaku? Abrahami nuk po kuptonte, megjithatë iu bind Perëndisë.

Kur arriti në mal, Abrahami e lidhi Isakun dhe e vuri mbi altarin që kishte ndërtuar. Pastaj, nxori thikën për të vrarë të birin. Por tamam në atë çast, Perëndia i thirri me anë të një engjëlli: ‘Abraham, Abraham!’ Dhe Abrahami u përgjigj: ‘Ja ku jam!’

‘Mos e vrit djalin dhe mos i bëj gjë,—i tha Perëndia.—Tani e di që ke besim tek unë, sepse nuk kurseve për mua as birin tënd të vetëm.’

Sa shumë besim që kishte Abrahami te Perëndia! Ai besonte se, për Jehovain, asgjë s’ishte e pamundur dhe se Jehovai mund ta ringjallte Isakun. Por, në të vërtetë, Perëndia nuk donte që Abrahami ta vriste Isakun. Prandaj, Ai bëri që një dele të ngatërrohej në ca shkurre aty pranë dhe i tha Abrahamit që të flijonte delen në vend të të birit.