TREGIMI 32
Dhjetë plagët
SHIKOJI këto figura. Secila prej tyre tregon një nga plagët që dërgoi Jehovai në Egjipt. Në figurën e parë mund të shikosh Aaronin që po godet me shkopin e tij lumin Nil. Kur e goditi, uji i lumit u kthye në gjak. Peshqit ngordhën dhe lumi filloi të binte erë të keqe.
Pastaj Jehovai bëri të dilnin bretkosa nga lumi Nil. Ato i gjeje kudo: në furra, në tepsi, në krevatet e njerëzve, nga të katra anët. Kur bretkosat ngordhën, egjiptianët i mblodhën në grumbuj të mëdhenj që lëshonin një erë të keqe në të gjithë vendin.
Pastaj Aaroni goditi tokën me shkopin e tij dhe pluhuri u kthye në harrje, insekte të vogla që kanë krahë e që të pickojnë. Harrjet ishin plaga e tretë në vendin e Egjiptit.
Plagët e tjera që erdhën, dëmtuan vetëm egjiptianët, jo izraelitët. Plaga e katërt ishte me miza të mëdha që hynin me tufa në shtëpitë e gjithë egjiptianëve. Plaga e pestë ra te kafshët. Shumë lopë, dele e dhi që ishin të egjiptianëve ngordhën.
Pastaj Moisiu dhe Aaroni morën pak hi dhe e hodhën në ajër. Kjo shkaktoi plagë të këqija te njerëzit dhe te kafshët. Kjo ishte plaga e gjashtë.
Pas kësaj Moisiu ngriti dorën nga qielli dhe Jehovai dërgoi vetëtima e breshër. Kjo ishte stuhia më e keqe me breshër që kishte ndodhur ndonjëherë në Egjipt.
Plaga e tetë ishte një tufë e madhe karkalecash. Kurrë më parë ose më pas s’ka pasur aq shumë karkaleca. Ata hëngrën gjithçka që nuk e kishte shkatërruar breshëri.
Plaga e nëntë ishte errësira. Për tri ditë vendin e mbuloi errësira e thellë, por atje ku banonin izraelitët kishte dritë.
Në fund, Perëndia i tha popullit të tij të spërkaste te kornizat e dyerve të shtëpive gjakun e një keci ose të një qengji. Pastaj engjëlli i Perëndisë kaloi në gjithë Egjiptin. Kur shikonte gjakun te korniza e derës, nuk vriste asnjë në atë shtëpi. Por në të gjitha shtëpitë që nuk kishin gjak te kornizat, engjëlli i Perëndisë vrau fëmijën e parë te njerëzit dhe te kafshët. Kjo ishte plaga e dhjetë.
Pas kësaj plage të fundit, faraoni u tha izraelitëve të largoheshin. Populli i Perëndisë ishte gati për t’u nisur, e po atë natë filluan marshimin për të ikur nga Egjipti.