Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 16

Isaku merr një grua të mirë

Isaku merr një grua të mirë

A E DI kush është gruaja në këtë figurë? Është Rebeka. Burri tek i cili po vjen për ta takuar, është Isaku. Ajo do të bëhet gruaja e tij. Si ndodhi kjo?

Babai i Isakut, Abrahami, donte që djali i tij të merrte një grua të mirë. Nuk donte që Isaku të martohej me një grua nga Kanaani, sepse njerëzit aty adhuronin perëndi të rreme. Prandaj, Abrahami thirri shërbëtorin e tij dhe i tha: ‘Dua që të shkosh në vendin ku jetojnë të afërmit e mi në Haran, që të gjesh një grua për djalin tim, Isakun.’

Menjëherë, shërbëtori i Abrahamit mori dhjetë deve dhe u nis për këtë udhëtim të gjatë. Kur mbërriti pranë vendit ku jetonin të afërmit e Abrahamit, ndaloi te një pus. Ishte pasdite vonë, koha kur gratë e qytetit vinin për të marrë ujë në pus. Shërbëtori i Abrahamit iu lut Jehovait: ‘Bëj që gruaja e cila do të sjellë ujë për mua e për devetë e mia, të jetë ajo që ti ke zgjedhur për të qenë gruaja e Isakut.’

S’kaloi shumë dhe erdhi Rebeka për të marrë ujë. Kur shërbëtori i kërkoi ujë për të pirë, ajo i dha. Pastaj shkoi dhe solli shumë ujë për të gjitha devetë e etura. Kjo ishte një punë e vështirë, sepse devetë pinë vërtet shumë ujë.

Kur Rebeka e mbaroi këtë punë, shërbëtori i Abrahamit e pyeti si e quanin atë dhe babanë e saj. Gjithashtu e pyeti nëse mund ta kalonte natën në shtëpinë e tyre. Ajo i tha: ‘Babai im është Betueli, dhe te ne ka vend edhe për ty.’ Shërbëtori i Abrahamit e dinte se Betueli ishte djali i Nahorit, vëllait të Abrahamit. Prandaj, ai ra në gjunjë dhe falënderoi Jehovain që e udhëhoqi te të afërmit e Abrahamit.

Atë mbrëmje, shërbëtori i Abrahamit i tha Betuelit dhe Labanit, vëllait të Rebekës, pse kishte ardhur. Ata të dy pranuan që Rebeka të shkonte me të dhe të martohej me Isakun. Çfarë tha Rebeka kur e pyetën? Ajo tha: ‘Po.’ Donte të shkonte. Kështu, ditën tjetër ata hipën në deve dhe filluan udhëtimin e gjatë për t’u kthyer në Kanaan.

Kur mbërritën, ishte mbrëmje. Rebeka pa një burrë që po ecte në fushë. Ishte Isaku. Ai ishte i gëzuar që po shihte Rebekën. Nëna e tij, Sara, kishte vdekur tre vjet më parë dhe ai ishte akoma i trishtuar për këtë. Por tani, Isaku filloi ta donte shumë Rebekën e kështu ishte i lumtur përsëri.