TREGIMI 25
Familja shkon në Egjipt
JOZEFI nuk i fsheh dot më ndjenjat e tij. U thotë të gjithë shërbëtorëve të tij që të largohen nga dhoma. Kur mbetet vetëm me vëllezërit e tij, Jozefi fillon të qajë. Mund të përfytyrojmë sa çuditen vëllezërit, sepse nuk e dinë pse po qan. Më në fund, ai u thotë: ‘Unë jam Jozefi. A është akoma gjallë babai im?’
Vëllezërit janë kaq të habitur, sa nuk flasin dot. Ata kanë frikë. Por Jozefi u thotë: ‘Ju lutem, afrohuni.’ Kur i afrohen, ai u thotë: ‘Unë jam vëllai juaj, Jozefi, që ju e shitët në Egjipt.’
Jozefi vazhdon të flasë me dashamirësi: ‘Mos e bëni veten me faj veten pse më shitët këtu. Në të vërtetë ishte Perëndia që më dërgoi në Egjipt për t’u shpëtuar jetën njerëzve. Faraoni më ka bërë qeveritar të gjithë vendit. Prandaj, nxitoni tani te babai dhe ia thoni këtë. I thoni që të vijë të jetojë këtu.’
Pastaj, Jozefi i përqafon vëllezërit dhe i puth të gjithë. Kur faraoni merr vesh se kanë ardhur vëllezërit e Jozefit, i thotë këtij: ‘Le të marrin qerret, të shkojnë te babai e te familjet e tyre dhe të kthehen përsëri këtu. Unë do t’u jap atyre tokën më të mirë në të gjithë Egjiptin.’
Dhe kështu bënë. Këtu mund të shohësh Jozefin që po takon babanë, kur erdhi në Egjipt me tërë familjen.
Familja e Jakobit ishte bërë shumë e madhe. Gjithsej ishin 70 veta kur shkuan në Egjipt, duke numëruar Jakobin, fëmijët dhe nipërit. Por pastaj ishin edhe gratë e ndoshta edhe shumë shërbëtorë. Të gjithë u vendosën në Egjipt. Ata u quajtën izraelitë, sepse Perëndia ia kishte ndryshuar emrin Jakobit në Izrael. Siç do të shohim më vonë, izraelitët u bënë një popull shumë i veçantë i Perëndisë.