Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 21

Vëllezërit e urrejnë Jozefin

Vëllezërit e urrejnë Jozefin

SHIKO sa i trishtuar dhe i dëshpëruar është ky djalë! Është Jozefi. Vëllezërit e tij sapo e kanë shitur te këta burra që po udhëtojnë për në Egjipt. Atje Jozefin do ta bëjnë skllav. Përse e bënë këtë veprim të keq vëllezërit e tij nga babai? Sepse janë xhelozë për Jozefin.

Jakobi, babai i tyre, e donte jashtëzakonisht shumë Jozefin. E tregoi këtë duke i dhuruar një rrobë të bukur e të gjatë. Kur 10 vëllezërit e mëdhenj panë sa shumë e donte Jakobi Jozefin, filluan të ishin xhelozë dhe ta urrenin vëllanë. Por kishte edhe një arsye tjetër pse e urrenin.

Jozefi kishte parë dy ëndrra. Në të dy ëndrrat, vëllezërit përkuleshin para tij. Kur Jozefi ua tregoi ëndrrat vëllezërve, urrejtja e tyre u rrit edhe më shumë.

Një ditë, kur vëllezërit e mëdhenj të Jozefit po kujdesen për delet e babait, Jakobi i kërkon Jozefit të shkojë për të parë si janë. Kur e shohin Jozefin duke ardhur, disa nga vëllezërit thonë: ‘Ta vrasim!’ Por vëllai më i madh, Rubeni, thotë: ‘Jo, mos e bëni këtë!’ Atëherë e kapin Jozefin dhe e hedhin në një gropë uji të tharë. Pastaj ulen për të vendosur se çfarë do të bëjnë me të.

Në këtë kohë kalojnë andej disa burra ismaelitë. Juda u thotë vëllezërve të tjerë: ‘T’ia shesim ismaelitëve Jozefin.’ Dhe kështu bëjnë. E shesin Jozefin për 20 copë argjendi. Sa gjë e shëmtuar dhe e keqe ishte kjo!

Çfarë do t’i thonë vëllezërit babait të tyre? Ata vrasin një dhi dhe e zhytin disa herë rrobën e bukur të Jozefit në gjakun e dhisë. Pastaj e çojnë rrobën në shtëpi dhe i thonë babait, Jakobit: ‘Gjetëm këtë. Shikoje se mos është rroba e Jozefit.’

Jakobi e njeh që është rroba e djalit të tij. ‘Jozefin duhet ta ketë ngrënë një kafshë e egër!’—thërret ai. Pikërisht këtë duan 10 vëllezërit që të mendojë babai. Jakobi është shumë i trishtuar. Ai qan për shumë ditë. Por, në të vërtetë, Jozefi nuk ka vdekur. Le të shohim çfarë ndodh me të, në vendin ku e çojnë.