Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 33

Kalimi i Detit të Kuq

Kalimi i Detit të Kuq

SHIKO çfarë po ndodh! Ky burri që ka shtrirë shkopin mbi Detin e Kuq është Moisiu. Këta që kanë shpëtuar e që janë me të në anën tjetër, janë izraelitët. Por faraoni dhe e gjithë ushtria e tij po mbyten në det. Të shohim se si ndodhi kjo.

Siç e mësuam, pas plagës së dhjetë që Perëndia dërgoi mbi egjiptianët, faraoni u tha izraelitëve të iknin nga Egjipti. U nisën rreth 600.000 burra izraelitë, si dhe shumë gra e fëmijë. Bashkë me izraelitët u nis edhe një grup njerëzish të tjerë që kishin filluar të besonin te Jehovai. Të gjithë morën me vete delet, dhitë dhe lopët e tyre.

Para se të niseshin, izraelitët u kërkuan egjiptianëve rroba dhe sende prej ari e argjendi. Egjiptianët ishin shumë të frikësuar për shkak të plagës së fundit që kishte rënë mbi ta. Prandaj u dhanë izraelitëve çdo gjë që kërkuan.

Pas pak ditësh, izraelitët iu afruan Detit të Kuq. Aty ndaluan për t’u çlodhur. Ndërkohë, faraoni dhe njerëzit e tij u penduan që i kishin lënë izraelitët të iknin. ‘Kemi lënë të ikin skllevërit tanë’,—thanë ata.

Kështu faraoni ndërroi mendje prapë. Me të shpejtë përgatiti karrocën e luftës dhe ushtrinë e tij. Pastaj filloi të ndiqte izraelitët me 600 karroca të veçanta, si dhe me të gjitha karrocat e tjera të Egjiptit.

Kur panë faraonin dhe ushtrinë e tij që po i ndiqnin, izraelitët u frikësuan shumë. Nuk kishin rrugë shpëtimi. Nga njëra anë ishte Deti i Kuq dhe nga ana tjetër po vinin egjiptianët. Por Jehovai vuri një re midis popullit të tij dhe egjiptianëve. Kështu egjiptianët nuk ishin në gjendje t’i shihnin izraelitët për t’i sulmuar.

Pastaj Jehovai i tha Moisiut të shtrinte shkopin mbi Detin e Kuq. Kur Moisiu e bëri këtë, Jehovai bëri të fryjë një erë e fortë nga lindja. Ujrat e detit u ndanë dhe po qëndronin ngritur në të dyja anët.

Atëherë izraelitët filluan të marshonin përmes detit, në tokë të thatë. U deshën orë të tëra që miliona njerëz dhe gjithë kafshët e tyre të kalonin nëpër det dhe të arrinin të sigurt në bregun tjetër. Pas kësaj, egjiptianët mund t’i shikonin përsëri izraelitët. Skllevërit e tyre po largoheshin! Prandaj nxituan në det pas tyre.

Po ndërsa kalonin nëpër det, Perëndia bëri që t’u binin rrotat e karrocave. Egjiptianët patën shumë frikë e filluan të ulërinin: ‘Jehovai po lufton me izraelitët kundër nesh. Të dalim që këtej!’ Por ishte tepër vonë.

Ky ishte çasti kur Jehovai i tha Moisiut të shtrinte shkopin mbi Detin e Kuq, siç e pe në figurë. Kur Moisiu veproi kështu, muret e ujit filluan të binin poshtë dhe i mbuluan egjiptianët me gjithë karroca. E gjithë ushtria i kishte ndjekur izraelitët në det, por asnjë egjiptian nuk doli gjallë prej andej!

Sa i lumtur ishte i gjithë populli i Perëndisë, që kishte shpëtuar! Burrat kënduan një këngë falënderimi për Jehovain: ‘Jehovai ka arritur një fitore të lavdishme. Ka hedhur në det kuajt dhe kalorësit e tyre.’ Miriami, motra e Moisiut, mori dajren e saj dhe të gjitha gratë e tjera e ndoqën me dajret e tyre. Duke hedhur valle me gëzim, ato këndonin të njëjtën këngë si burrat: ‘Jehovai ka arritur një fitore të lavdishme. Ka hedhur në det kuajt dhe kalorësit e tyre.’