TREGIMI 31
Moisiu dhe Aaroni shkojnë te faraoni
KUR u kthye në Egjipt, Moisiu i tregoi Aaronit, vëllait të tij, për të gjitha mrekullitë. E kur Moisiu dhe Aaroni ua treguan izraelitëve këto mrekulli, i gjithë populli besoi se Jehovai ishte me ta.
Pastaj, Moisiu dhe Aaroni shkuan te faraoni. Ata i thanë: ‘Jehovai, Perëndia i Izraelit thotë: “Lëre popullin tim të shkojë për tri ditë në shkretëtirë, që të më adhurojnë.”’ Por faraoni u përgjigj: ‘Unë nuk besoj te Jehovai. Nuk do ta lë Izraelin të shkojë.’
Faraoni ishte i zemëruar, sepse populli donte të ndërpriste punën për të adhuruar Jehovain. Kështu i detyroi të punonin edhe më shumë. Izraelitët ia hodhën fajin Moisiut që po i trajtonin kaq keq, dhe Moisiu u trishtua. Por Jehovai i tha të mos mërzitej. ‘Do ta detyroj faraonin që ta lërë popullin tim të shkojë’,—tha Jehovai.
Moisiu dhe Aaroni shkuan përsëri te faraoni. Këtë herë bënë një mrekulli. Aaroni hodhi përtokë shkopin e tij dhe ai u bë një gjarpër i madh. Mirëpo, edhe njerëzit e mençur të faraonit hodhën në tokë shkopinjtë dhe u shfaqën gjarpërinj. Por shiko! Gjarpri i Aaronit po i ha gjarpërinjtë e atyre njerëzve të mençur. Megjithatë faraoni nuk i la izraelitët të shkonin.
Atëherë, erdhi koha që Jehovai t’i jepte një mësim faraonit. Si? Duke dërguar në Egjipt 10 plagë ose mjerime të mëdha.
Për shumë nga plagët, kur ndodhnin, faraoni dërgonte të thërritnin Moisiun dhe i thoshte: ‘Ndaloje plagën dhe do ta lë Izraelin të shkojë.’ Por kur plaga ndalej, faraoni ndërronte mendje dhe nuk e linte popullin të shkonte. Pastaj, më në fund, pas plagës së dhjetë, faraoni i la izraelitët të shkojnë.
A e di se cilat ishin 10 plagët? Ktheje faqen që ta shohim bashkë.