TREGIMI 50
Dy gra trime
KUR janë në telashe, izraelitët i thërrasin në lutje Jehovait. Jehovai u përgjigjet, duke u dhënë udhëheqës trima për t’i ndihmuar. Këta, Bibla i quan gjykatës. Josiu ishte gjykatësi i parë. Disa gjykatës të tjerë pas tij ishin Otnieli, Ehudi dhe Shamgari. Por, ndër njerëzit që ndihmojnë Izraelin janë dhe dy gra, që e kanë emrin Debora dhe Jaela.
Debora është profeteshë. Jehovai i jep informacione për të ardhmen, e ajo pastaj i tregon popullit çfarë thotë Jehovai. Debora është edhe gjykatëse. Ajo ulet nën një palmë në kodrat e qytetit dhe njerëzit vijnë tek ajo për ndihmë që të zgjidhin problemet e tyre.
Gjatë kësaj kohe, mbret i Kanaanit është Jabini. Ai ka 900 karroca lufte. Ushtria e tij është kaq e fortë, sa shumë izraelitë janë të detyruar të bëhen shërbëtorë të Jabinit. Komandanti i ushtrisë së mbretit Jabin quhet Sisera.
Një ditë, Debora dërgon që të thërrasin gjykatësin Barak e i thotë: ‘Jehovai ka thënë: “Merr 10.000 burra dhe udhëhiqi për në malin Tabor. Atje do të të dërgoj Siserën. E do të ta jap ty fitoren mbi të dhe ushtrinë e tij.”’
Baraku i thotë Deborës: ‘Unë do të shkoj në qoftë se vjen edhe ti me mua.’ Debora e shoqëron, por i thotë Barakut: ‘Nuk do ta marrësh ti meritën për fitoren, sepse Jehovai do t’ia japë Siserën në dorë një gruaje.’ Dhe kështu ndodh.
Baraku zbret nga mali Tabor për t’u ndeshur me ushtarët e Siserës. Papritmas Jehovai shkakton një përmbytje dhe shumë ushtarë armiq mbyten. Mirëpo Sisera zbret nga karroca e tij dhe ikën me vrap.
Pas pak, Sisera arrin te tenda e Jaelës. Ajo e fton të hyjë dhe i jep të pijë një gotë qumësht. Kjo e bën t’i vijë gjumë dhe shpejt ai bie në një gjumë të thellë. Atëherë Jaela merr një kunj nga tenda dhe ia ngul në kokë këtij njeriu të lig. Kur vjen Baraku, ajo i tregon Siserën e vdekur! Ja pra, që fjalët e Deborës u përmbushën.
Më në fund, edhe mbreti Jabin vritet e kështu izraelitët kanë një periudhë tjetër paqeje.