Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 34

Një lloj i ri ushqimi

Një lloj i ri ushqimi

A E DI çfarë po mbledhin nga toka këta njerëz? Ajo ngjan si brymë. Është e bardhë dhe e hollë si flokë bore. Por nuk është brymë, është diçka që hahet.

Ka kaluar vetëm një muaj pothuajse, që kur izraelitët ikën nga Egjipti. Ata janë në shkretëtirë. Këtu gati nuk rritet asgjë për të ngrënë, prandaj populli ankohet: ‘Më mirë Jehovai të na kishte vrarë në Egjipt. Të paktën atje i kishim të gjitha ushqimet që donim.’

Prandaj Jehovai u thotë: ‘Do të bëj që ushqimi të bjerë si shi nga qielli.’ Dhe bën pikërisht kështu. Mëngjesin tjetër, izraelitët shikojnë që ka rënë në tokë një gjë e bardhë dhe pyesin njëri-tjetrin: ‘Çfarë është kjo?’

Moisiu u thotë: ‘Ky është ushqimi që Jehovai ju ka dhënë për të ngrënë.’ Njerëzit e quajnë këtë ushqim MANË. Ajo ka shije shumë të mirë, si kuleç të hollë me mjaltë.

‘Çdonjëri duhet të mbledhë nga ky ushqim aq sa mund të hajë’,—i thotë Moisiu popullit. Dhe kështu bëjnë çdo mëngjes. Pastaj, kur dielli ngrihet lart dhe bëhet ngrohtë, mana e mbetur në tokë shkrin.

Moisiu thotë gjithashtu: ‘Askush nuk duhet të ruajë manë për ditën tjetër.’ Por disa nuk e dëgjojnë. E di çfarë ndodh? Mëngjesin tjetër, ajo manë që ruajtën është mbushur plot me krimba dhe fillon të vijë erë e keqe!

Megjithatë, Jehovai i thotë popullit që një ditë në javë duhet të mbledhin dyfishin e manës. Kjo është dita e gjashtë. Jehovai u thotë ta ruajnë një pjesë të saj për ditën tjetër, sepse ditën e shtatë ai nuk do të bëjë të bjerë manë. Kur e ruajnë manën për ditën e shtatë, ajo nuk mbushet me krimba dhe nuk vjen erë e keqe! Kjo është një mrekulli tjetër!

Jehovai i ushqen izraelitët me manë gjithë vitet që ata rrinë në shkretëtirë.