Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 40

Moisiu godet shkëmbin

Moisiu godet shkëmbin

VITET kalojnë: 10 vjet, 20 vjet, 30 vjet, 39 vjet! Izraelitët janë akoma në shkretëtirë. Por, gjithë këto vjet, Jehovai kujdeset për popullin e tij. I ushqen me manë. Ditën i udhëheq me një shtyllë reje dhe natën me një shtyllë zjarri. Gjatë gjithë këtyre viteve, nuk u vjetrohen rrobat dhe nuk u bëhen plagë këmbët.

Tani është muaji i parë i vitit të 40-të që kur janë larguar nga Egjipti. Izraelitët përsëri fushojnë në Kadesh. Këtu ishin rreth 40 vjet më parë, kur 12 zbuluesit u dërguan për të vëzhguar vendin e Kanaanit. Miriami, motra e Moisiut, vdes në Kadesh. Dhe, si më përpara, këtu ka probleme.

Njerëzit nuk gjejnë ujë. Prandaj i ankohen Moisiut: ‘Më mirë të kishim vdekur. Pse na nxore nga Egjipti dhe na solle në këtë vend të tmerrshëm, ku nuk rritet asgjë? Nuk ka as grurë, as fiq, as rrush, as shegë. Nuk ka as ujë për të pirë.’

Kur Moisiu dhe Aaroni shkojnë në tabernakull për t’u lutur, Jehovai i thotë Moisiut: ‘Mblidhe popullin. Pastaj përpara të gjithëve, foli atij shkëmbit atje. Prej tij do të dalë mjaft ujë për njerëzit dhe për të gjitha kafshët.’

Atëherë Moisiu mbledh popullin dhe i thotë: ‘Dëgjoni, ju që s’keni besim te Perëndia! A duhet që unë dhe Aaroni të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?’ Pastaj Moisiu e godet dy herë shkëmbin me shkop dhe nga shkëmbi fillon të rrjedhë shumë ujë. Ka mjaft ujë për të pirë gjithë njerëzit dhe kafshët.

Por Jehovai është zemëruar me Moisiun dhe Aaronin. E di pse? Sepse Moisiu dhe Aaroni thanë se ata do të bënin që të dilte ujë nga shkëmbi. Por në të vërtetë këtë e bëri Jehovai. Meqë Moisiu dhe Aaroni nuk thanë të vërtetën për këtë, Jehovai thotë se do t’i ndëshkojë. ‘Ju nuk do ta udhëhiqni popullin tim në Kanaan’,—thotë ai.

S’kalon shumë dhe izraelitët ikin nga Kadeshi. Pas pak arrijnë te mali Hor. Këtu, në majë të malit, Aaroni vdes. Ai është 123 vjeç kur vdes. Izraelitët janë shumë të trishtuar dhe qajnë 30 ditë për Aaronin. Djali i tij, Eleazari, bëhet kryeprifti tjetër i kombit të Izraelit.