Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 46

Muret e Jerikosë

Muret e Jerikosë

PSE po bien këto mure të Jerikosë? Duket sikur i ka goditur një bombë e madhe. Por në ato kohë nuk kishte bomba, njerëzit s’kishin as pushkë. Prandaj, kjo është një mrekulli tjetër e Jehovait. Le të mësojmë se si ndodhi.

Dëgjo se çfarë i thotë Jehovai Josiut: ‘Ti dhe luftëtarët e tu duhet të marshoni përreth qytetit. Marshoni rreth tij një herë në ditë, për gjashtë ditë me radhë. Mbani me vete arkën e besëlidhjes. Shtatë priftërinj duhet të ecin përpara saj dhe t’u bien brirëve.

Ditën e shtatë, duhet të marshoni përreth qytetit shtatë herë. Pastaj u bini brirëve me një tingull të zgjatur dhe bërtisni të gjithë me britma të mëdha lufte. Dhe muret do të rrafshohen.’

Josiu dhe populli bëjnë ashtu si u thotë Jehovai. Ndërsa marshojnë, të gjithë heshtin. Askush nuk flet asnjë fjalë. Nuk dëgjohet tjetër veçse tingulli i brirëve dhe zhurma e këmbëve që ecin. Brenda Jerikosë, armiqtë e popullit të Perëndisë duhet të jenë frikësuar. A e shikon litarin e kuq që varet nga një dritare? E kujt është ajo dritare? Po, Rahaba ka bërë çfarë i kishin thënë dy zbuluesit. E gjithë familja e saj është brenda në shtëpi dhe po shikojnë ç’po ndodh.

Së fundi, ditën e shtatë, pasi kanë marshuar shtatë herë rreth qytetit, dëgjohet tingulli i brirëve, ushtarët bërtasin dhe muret bien. Pastaj Josiu thotë: ‘Vritini të gjithë në qytet dhe digjeni qytetin. Digjni gjithçka. Shpëtoni vetëm sendet prej ari, argjendi, bakri e hekuri dhe çojini në thesarin e tendës së Jehovait.’

Josiu u thotë dy zbuluesve: ‘Shkoni në shtëpinë e Rahabës dhe silleni jashtë atë bashkë me familjen.’ Rahaba dhe familja e saj shpëtuan, ashtu siç kishin premtuar dy zbuluesit.