TREGIMI 51
Rutha dhe Naomi
NË BIBËL ka një libër me titullin Rutha. Është historia e një familjeje që jetoi gjatë kohës kur në Izrael kishte gjykatës. Rutha është një grua e re nga vendi i Moabit; ajo nuk është nga kombi i Izraelit që ishte kombi i Perëndisë. Por kur Rutha mëson për Perëndinë e vërtetë Jehova, fillon ta dojë shumë atë. Naomi është një grua e moshuar, që e ka ndihmuar Ruthën të mësojë për Jehovain.
Naomi është izraelite. Ajo, burri i saj dhe dy djemtë e tyre erdhën në vendin e Moabit në një kohë kur në Izrael s’kishte shumë ushqim. Pas ca kohësh, burri i Naomit vdiq. Më vonë, djemtë e Naomit u martuan me dy vajza moabite, që quheshin Rutha dhe Orpa. Por, pas 10 vjetësh, dy bijtë e Naomit vdiqën. Sa e trishtuar ishte Naomi dhe dy nuset! Ç’do të bënte Naomi tani?
Një ditë, Naomi vendos të niset për udhëtim e të kthehet te populli i saj. Rutha dhe Orpa duan të qëndrojnë me të, prandaj nisen së bashku. Por pasi kanë bërë një copë rrugë, Naomi kthehet nga nuset e u thotë: ‘Kthehuni në shtëpi dhe qëndroni te nënat tuaja.’
Naomi i puth të dyja dhe u thotë lamtumirë. Ato fillojnë të qajnë, sepse e duan shumë Naomin. Thonë: ‘Jo! Ne do të vijmë me ty te populli yt.’ Por Naomi përgjigjet: ‘Duhet të ktheheni, bijat e mia. Do të jetë më mirë për ju në shtëpi.’ Kështu Orpa niset për t’u kthyer në shtëpinë e saj. Kurse Rutha nuk ikën.
Naomi i kthehet asaj dhe i thotë: ‘Orpa iku. Shko dhe ti në shtëpinë tënde.’ Por Rutha përgjigjet: ‘Mos u mundo të më bindësh të të lë! Më lër të vij. Ku të shkosh ti, do të vij edhe unë e ku të jetosh ti, do të jetoj edhe unë. Populli yt do të jetë populli im e Perëndia yt do të jetë Perëndia im. Ku të vdesësh ti, do të vdes dhe unë, e atje do të më varrosin.’ Kur Rutha thotë këtë, Naomi nuk përpiqet më që ta kthejë në shtëpi.
Më në fund të dyja gratë arrijnë në Izrael. Vendosen me shtëpi aty. Rutha menjëherë fillon të punojë në ara, sepse është koha për mbledhjen e elbit. Një burrë me emrin Boaz e lejon që të mbledhë elb në arat e tij. E di kush ishte mamaja e Boazit? Ishte Rahaba nga qyteti i Jerikosë.
Një ditë, Boazi i thotë Ruthës: ‘I kam dëgjuar të gjitha ato që fliten për ty dhe sa e dashur ke qenë me Naomin. Unë e di që ke lënë nënën, babanë dhe vendin tënd e ke ardhur të jetosh te një popull që s’e ke njohur kurrë më parë. Jehovai qoftë i mirë me ty!’
Rutha përgjigjet: ‘Jeni shumë i mirë me mua, zotëri. Më keni bërë të ndihem mirë me mënyrën e dashur se si më keni folur.’ Boazi e pëlqen shumë Ruthën dhe s’kalon shumë e ata martohen. Sa e lumtur është tani Naomi! Por ajo bëhet edhe më e lumtur kur Rutha e Boazi lindin djalin e tyre të parë, Obedin. Më vonë, Obedi bëhet gjyshi i Davidit, për të cilin do të mësojmë shumë gjëra.
Libri biblik i Ruthës.