Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 52

Gideoni dhe 300 burrat

Gideoni dhe 300 burrat

E SHEH çfarë po ndodh këtu? Të gjithë këta janë luftëtarë izraelitë. Burrat e përkulur po pinë ujë. Burri që po qëndron në këmbë pranë tyre është gjykatësi Gideon. Ai po i vështron se si pinë ujë.

Shiko me kujdes në çfarë mënyre po pinë ujë burrat. Disa e futin fytyrën drejt e në ujë. Por njëri po pi ujë me grusht, që të vëzhgojë se ç’bëhet përreth. Kjo është e rëndësishme, sepse Jehovai i tha Gideonit të zgjedhë vetëm burrat që vazhdojnë të vëzhgojnë ndërsa pinë ujë. Të tjerët duhet të kthehen në shtëpi, i kishte thënë Perëndia. Të shohim pse.

Izraelitët përsëri kanë shumë probleme. Arsyeja është se nuk i janë bindur Jehovait. Populli i Midianit i ka pushtuar dhe po i mundon. Prandaj, izraelitët i thërrasin Jehovait për ndihmë dhe Jehovai i dëgjon thirrjet e tyre.

Jehovai i thotë Gideonit që të mbledhë një ushtri, prandaj ai mbledh 32.000 luftëtarë. Ushtria që ka dalë kundër Izraelit është me 135.000 burra. Megjithatë Jehovai i thotë Gideonit: ‘Burrat që ke me vete janë tepër.’ Pse e tha Jehovai këtë?

Sepse pastaj, po ta fitonte luftën Izraeli, mund të mendonin se e kishin fituar vetë. Mund të mendonin se nuk kishin nevojë për ndihmën e Jehovait që të fitonin. Prandaj, Jehovai i thotë Gideonit: ‘Thuaju të gjithë burrave që kanë frikë, të kthehen në shtëpi.’ Kur Gideoni thotë kështu, 22.000 luftëtarë kthehen në shtëpi. Atij i mbeten vetëm 10.000 burra për të luftuar kundër 135.000 ushtarëve.

Por, dëgjo! Jehovai thotë: ‘Prapë ke shumë luftëtarë.’ Kështu, e urdhëron Gideonin që t’i çojë burrat për të pirë ujë në këtë përrua e pastaj t’i kthejë në shtëpi të gjithë burrat që futin fytyrën në ujë për të pirë. ‘Do të ta jap fitoren me ata 300 burra që vazhduan të vëzhgonin ndërsa pinin ujë’,—premton Jehovai.

Vjen koha për të luftuar. Gideoni i ndan 300 burrat në tri grupe. I jep secilit një bri dhe një qyp me një pishtar brenda tij. Aty nga mesnata, mblidhen të gjithë rreth kampit të ushtarëve armiq. Pastaj, të gjithë në të njëjtën kohë, u fryjnë brirëve dhe thyejnë qypat e bërtasin: ‘Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!’ Kur ushtarët armiq zgjohen, çoroditen dhe frikësohen. Të gjithë fillojnë të vrapojnë për të ikur, kështu që izraelitët fitojnë betejën.