Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TREGIMI 53

Premtimi i Jefteut

Premtimi i Jefteut

KE BËRË ndonjëherë një premtim, po pastaj e kishe të vështirë ta mbaje? Kjo i ka ndodhur këtij burrit në figurë, prandaj është kaq i trishtuar. Ai është një gjykatës trim i Izraelit dhe e ka emrin Jefteu.

Jefteu jeton në një kohë kur izraelitët nuk po e adhurojnë më Jehovain. Ata po bëjnë prapë gjëra të këqija. Prandaj, Jehovai e lejon popullin e Amonit t’u bëjë keq. Nga kjo, izraelitët i thërrasin Jehovait: ‘Kemi mëkatuar kundër teje. Të lutemi, na shpëto!’

Njerëzve u vjen keq për gjërat e këqija që kanë bërë. E tregojnë këtë duke filluar ta adhurojnë prapë Jehovain. Kështu Jehovai i ndihmon përsëri.

Populli zgjedh Jefteun për të luftuar kundër amonitëve të ligj. Jefteu dëshiron shumë që Jehovai ta ndihmojë në luftë. Prandaj i premton Jehovait: ‘Në qoftë se do të më japësh fitoren mbi amonitët, njeriun e parë që do të dalë nga shtëpia ime për të më takuar, kur të kthehem me fitore, do të ta jap ty.’

Jehovai e dëgjon premtimin e Jefteut dhe e ndihmon për të fituar luftën. A e di kush është njeriu i parë që del për ta takuar Jefteun, kur kthehet në shtëpi? Është vajza e tij, fëmija e vetme që ka. ‘Oh, bija ime!—qan Jefteu.—Sa shumë trishtim po më sjell! Por unë i kam bërë një premtim Jehovait e s’mund ta kthej mbrapsht.’

Kur merr vesh për këtë premtim, në fillim edhe vajza e Jefteut trishtohet. Kjo do të thotë që duhet të largohet nga babai i saj dhe nga shoqet. Por ajo do ta kalojë pjesën tjetër të jetës duke i shërbyer Jehovait në tabernakullin e tij, në Shiloh. Prandaj i thotë babait: ‘Nëse i ke bërë një premtim Jehovait, duhet ta mbash atë.’

Kështu vajza e Jefteut shkon në Shiloh dhe e kalon pjesën tjetër të jetës duke i shërbyer Jehovait në tabernakullin e tij. Për katër ditë çdo vit gratë e Izraelit shkojnë ta vizitojnë atje dhe ia kalojnë mirë së bashku. Njerëzit e duan vajzën e Jefteut, sepse ajo është një shërbëtore e mirë e Jehovait.